Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka rikonfirmuar mbështetjen për marshin e organizuar më 17 shkurt, në kërkim të drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, që po gjykohen në Hagë.
Rama ka bërë të ditur po ashtu se do të sigurohet që "Trafiku Urban" të jetë pa pagesë në atë ditë.
“Kam thënë që vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilat i kam i përkrahur gjithmonë edhe si kryetar edhe si institucion. Ne përveç që kemi ndihmuar proceset edhe më parë, i çmojmë dhe i vlerësojmë dhe duhet me i lartësua përtej partive politike, sepse kjo është çështje kombëtare. Po ashtu edhe këtë herë do jem aty dhe do të kemi edhe Trafikun Urban në shërbim të qytetarëve pa pagesë po në atë ditë”, tha Rama.
I pyetur se a e përkrah LDK-ja marshin e 17 shkurtit, pasi që nuk ka votuar Rezolutën në Kuvendin e Kosovës, Rama ka thënë se LDK-ja nuk ka qenë kundër, por nuk ka votuar, shkak i kërkesës së një pike shtesë e cila nuk u realizua.
“E di që as LDK-ja nuk ka qenë kundër përkrahjes të asaj rezolute, kanë kërkuar një pikë shtesë dhe si rezultat nuk e kanë votuar, nuk ka qenë që nuk e ka përkrah, jemi në përkrahje të vlerave të UÇK-së gjithmonë”, tha Rama.
Këto deklarime, Rama i ka bërë në një konferencë për media ku foli për buxhetin e Prishtinës.
Me 90 vota për 1 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ditë më parë Rezolutën në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së. Deputetët e LDK-së nuk kanë marrë pjesë fare në votim, ndërsa deputetët e Listës Serbe e kanë lëshuar sallën para votimit.
Marshi i organizuar nga platforma “Liria ka Emër” – “Drejtësi, jo politikë” do të mbahet me 17 shkurt në ora 14:00 për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.