Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ramës i kërkohet tërheqja nga taksa 10-euroshe për joprishtinasit

Përparim Rama

Përparim Rama

Foto: Driton Paçarada

Nisma për vendosje të taksave të reja në Prishtinë ka nxitur reagime të shumta. Megjithatë, në debatin e parë publik për draftin e plotësim-ndryshimit të Rregullores për Taksa, Tarifa dhe Ngarkesa Komunale, nuk pati shumë pjesëmarrës. Aktivistë të shoqërisë civile, opozitarë e profesionistë të fushave të ndryshme që ishin prezent në debatin e mbajtur në sallën e Kuvendit Komunal të Prishtinës, kërkuan tërheqjen e nismës

Reagime e vërejtje të shumta janë dhanë në debatin e parë publik për draftin që përmban plotësimin dhe ndryshimin e Rregullores për Taksa, Tarifa dhe Ngarkesa Komunale, që parasheh vendosjen e një tarife për automjetet që hyjnë në kryeqytet e që nuk janë të regjistruara në Prishtinë, si dhe taksa të tjera për bizneset.

Nisma e Komunës u kundërshtua nga aktivistë të shoqërisë civile, opozitarë dhe nga profesionistë të fushave të ndryshme.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Një nga aktivistët, Avi Gashi, , kërkoi tërheqjen e kësaj nisme, duke vlerësuar se vendosja e taksave të reja në kushtet e inflacionit të lartë është e papranueshme.

“Me vendos taksa në një kohë kur inflacioni është t’u kupë, kjo nuk është normale për asnjë shoqëri të vendit tonë. Kush mendoni që i paguan këto taksa? Biznesi a? Jo! Unë si qytetar i Prishtinës kam me i paguar këto taksa. Nëse deri tani kam paguar 5 euro për t’i prerë flokët, tani kam me i paguar 10, 7 ose 8 euro”, ka thënë Gashi, tek i është referuar taksës së propozuar prej 1000 eurosh për berberët, shumë kjo e ngjashme me taksën për bankat e hotelet.

Asamblistja e Partisë Socialdemokrate në Komunën e Prishtinës, Besa Shahini, u shpreh se taksa prej 10 eurosh për hyrje në kryeqytet nuk do të kalojë.

“Taksa 10 euro për të hyrë në Prishtinë në asnjë mënyrë nuk do të kalojë. Kam përshtypjen që është bërë për të ngjallur diskutim publik në mënyrë që të mbulohet diskutimi për taksat e tjera që po i vendosen bizneseve”, ka thënë Shahini, e cila në zgjedhjet e fundit lokale ka qenë kandidate për kryetare të kryeqytetit.

E përfaqësuesi i Odës së Avokatëve, Besnik Berisha, kundërshtoi vendosjen e taksës  prej 1000 eurosh për avokatët.

“Avokatatura është një kategori jo që nuk bën pa të, por në ditën që futen policët në komunë, të parët që ju shkojnë në mend janë avokatët”, ka thënë ai, dhe ka kërkuar rishikimin e nivelit të taksës.

E, përfaqësuesit e komunës thanë se do t’i shqyrtojnë vërejtët e dhëna para se rregullorja të procedohet për miratim në Kuvendin Komunal.

Drejtori i Ekonomisë, Luftar Braha, theksoi se taksa prej 10 eurosh është paraparë të vlejë vetëm për një zonë të caktuar të kryeqytetit.

“Nuk është krejt kryeqyteti, e përcaktojmë zonën. Mund të ketë lëshime në përcaktim e formulim. Do e përcaktojmë, prandaj është në dëgjim publik”, ka thënë ai, ndryshe nga çfarë ka thënë kryetari Përparim Rama një ditë më parë, e sipas të cilit taksa për automjete të jorezidentëve duhet të jetë një ose dy euro, kurse 10 euro për mjetet e rënda, siç janë kamionët. Sipas Ramës, taksa nuk do të  zbatohet nëse Qeveria i zhbllokon fondet e BERZH-it për ndërtimin e unazës së qytetit.

Afati për komente dhe sugjerime mbi plotësim-ndryshimin e kësaj rregulloreje do të jetë i hapur deri më 24 qershor.

Pas kësaj date, kjo rregullore pritet të dërgohet në Kuvendin Komunal të Prishtinës për miratim.