John Bolton, ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare në administratën e Donald Trump, ka arritur marrëveshje për t’u deklaruar fajtor për mbajtjen e paligjshme të dokumenteve të ndjeshme të sigurisë kombëtare. Në kuadër të marrëveshjes me prokurorinë, ai ka pranuar një akuzë penale dhe është dakorduar të paguajë një gjobë prej më shumë se 2 milionë dollarësh.
John Bolton, ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit Donald Trump, i cili më vonë u shndërrua në një kritik dhe kundërshtar të tij, ka arritur marrëveshje për t’u deklaruar fajtor për keqmenaxhimin e dokumenteve të klasifikuara, sipas tri burimeve të njohura me çështjen.
Sipas njërit prej burimeve, Bolton synon të pranojë fajësinë për një akuzë penale që lidhet me mbajtjen e paligjshme të dokumenteve të ndjeshme që përmbajnë informacione të sigurisë kombëtare. Gjithashtu, ai ka rënë dakord të paguajë një gjobë prej më shumë se 2 milionë dollarësh.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjë dënim për një akuzë të tillë mund të shoqërohet me një masë ndëshkuese që shkon deri në 60 muaj burgim.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë nuk pranoi të komentojë mbi rastin dhe e referoi CNN-in te dokumentet e gjykatës, ku tregohet se një seancë dëgjimore është caktuar për datën 26 qershor.
Marrëveshja për pranimin e fajësisë vjen disa muaj pasi Bolton u akuzua nga prokurorët në Maryland për mbajtjen në shtëpinë e tij të shënimeve personale në formë ditari, të hartuara gjatë kohës kur shërbeu në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së parë të Donald Trumpit.
Prokurorët pretendojnë se Bolton ka shpërndarë përmes adresës së tij personale të emailit më shumë se një mijë faqe me informacione që përshkruanin aktivitetet e tij të përditshme gjatë kohës që mbante detyrën e këshilltarit për Sigurinë Kombëtare. Këto informacione dyshohet se iu dërguan dy personave të paautorizuar, të cilët CNN-i ka raportuar se janë bashkëshortja dhe vajza e tij. Megjithatë, transmetimi i informacionit të klasifikuar nuk është pjesë e akuzës për të cilën ai pritet të deklarohet fajtor.
Bolton, i cili shërbeu për rreth një vit në administratën e parë të Trumpit, fillimisht ishte akuzuar për tetë raste të transmetimit të informacionit që lidhet me mbrojtjen kombëtare dhe për dhjetë raste të mbajtjes së paligjshme të materialeve të tilla.
Trump prej kohësh kishte kërkuar arrestimin e Boltonit për shkak të librit të tij autobiografik të botuar në vitin 2020, në të cilin ai kritikonte ashpër presidentin. Trump kishte deklaruar se Bolton duhej të përfundonte në burg, duke pretenduar se libri përmbante informacione të klasifikuara.
Megjithatë, ndryshe nga rastet e tjera të ngritura kundër personave që Trumpi i konsideronte kundërshtarë të tij, si ish-drejtori i FBI-së James Comey apo çështja tashmë e pushuar kundër prokurores së përgjithshme të New Yorkut, Letitia James, rasti ndaj Boltonit ka vazhduar të mbështetet nga prokurorë dhe hetues të karrierës, sipas personave të informuar më herët për CNN-in.
Departamenti i Drejtësisë gjatë mandatit të parë të Trumpit kishte hapur hetime penale dhe civile lidhur me librin e Boltonit në vitin 2020, por ato u mbyllën brenda një viti.
Megjithatë, FBI-ja hapi një hetim të ri ndaj Boltonit vitin pasues, gjatë presidencës së Joe Biden. Kjo ndodhi pasi adresa e tij elektronike u komprometua nga hakerë që dyshohet se ishin të lidhur me Iranin. Gjatë hetimeve, autoritetet zbuluan shënime të ngjashme me ditarë personalë, të cilët përmbanin informacione tepër sekrete nga periudha kur Bolton shërbente si këshilltar për Sigurinë Kombëtare.