Dëshmi para trupit gjykues ka dhënë edhe zyrtari policor, Avni Shala.
Ai rrëfeu prej momentit kur kishte pranuar informatën për vendosjen e barrikadave në fshatin Banjskë.
Dëshmia e plotë e Avni Shalës:
Diku rreth orës 2:00 përmes radiolidhjes kemi dëgjuar kolegët e njësisë kufitare se në fshatin Banjskë janë vendosur barrikada. Kolegët me të marrë informatat janë përgatitur për të shkuar në drejtim të Banjskës. Kam kërkuar nga kolegu im që të shkojmë edhe ne të shikojmë me rreshterin Afrim Bunjaku, kam vlerësuar se janë pak katër policë. Jemi nisur pesë minuta pas tyre dhe në hyrje para se të shkojmë te vendi i ngjarjes që ka ndodhur, më kujtohet se rreshteri me njësinë tjetër e kanë ndaluar një automjet dhe e kanë kontrolluar dhe më pas jemi bashkuar tri njësi, e nga aty jemi nisur drejt barrikadave. Në automjetin e parë ka qenë Fahri Shala dhe Sedat Dushi, në automjetin e dytë kanë qenë rreshteri (Afrim Bunjaku) dhe Elez Peci, ndërsa në veturën e tretë unë dhe Halim Behramaj. Kemi arritur të afërsi të barrikadës, jemi parkuar në cepin e majtë të rrugës, pra të lëvizjes dhe kemi dalë nga automjetet të gjithë.
Nuk ishte urdhër, por ishte nevojë e çastit. Para nesh ka qenë një automjet i njësisë së kufirit dhe tre kolegë kanë qenë jashtë automjetit. Jemi nisur në drejtim të barrikadës.
Kemi filluar të afrohemi në afërsi, unë me kolegun kemi qenë të fundit...Rreshteri i ndjerë, Afrim Bunjaku, ka arritur të kontaktojë me kolegët e tjerë për kohë të shkurtër. Gjithë ne që kemi qenë kemi shkuar në drejtim për të shikuar, dëgjuar diçka...Kolegu Elez Peci ka thënë me zë të lartë se diçka nuk është në rregull. Diçka mund të jetë kurth, me hapa të mëdhenj e ka kaluar rrugën. Në atë moment unë kam filluar të largohem dhe kjo ka ndodhur në distancë 10 sekonda. Është dëgjuar fishkëllima e fishekzjarrëve dhe më pas një detonim dhe ka shkaktuar zbardhje të rrugës. Të njëjtën kohë janë dëgjuar të shtëna nga drejtime të ndryshme në kalibra të ndryshëm. Unë për një moment kam arritur të kthehem te automjeti im. Nuk e di saktë pas sa kohe kam shikuar dhe kam vërejtur një person që ishte i shtrirë. Nuk kam qenë i sigurt që është rreshteri, por e kam parë që nuk lëvizte. Por, shpejt zyrtarët Elez Peci dhe Mirsadi kanë arritur të marrin një automjet, sepse automjeti i tyre ishte i prishur nga plumbat dhe goditjet dhe kanë tërhequr rreshterin, e kanë futur në automjet mes plumbave. Kanë arritur të largohen nga vendi i ngjarjes. Në atë kohë ju kemi përgjigjur zjarrit me aq sa kemi pasur mundësi. Gjatë gjithë kohës ka qenë droni mbi kokat tona t’u na filmuar. E di që ka ardhur një autoblindë, nëse jeni të lënduar. Ne kemi thënë ‘jo’ dhe kanë vazhduar në drejtim të barrikadës dhe kanë bërë transportimin e kolegëve të tjerë.
Unë dhe Halil Behrami kemi qëndruar për pak orë. Unë e kam shfrytëzuar momentumin dhe kam hipur në automjet...dhe kam vazhduar në drejtim të spitalit. Rrugës i kam parë kolegët e tjerë dhe ju kam kërkuar që të kthehen. Rrugës e kam kuptuar që ka ndërruar jetë rreshteri. E më pas kam vazhduar te stacioni, e kam qëndruar aty se është menduar që mundet të sulmohet stacioni. Stacioni kishte pak polic. Jo shumë vonë kanë ardhur udhëheqësit e stacionit dhe kolegët e tjerë, dhe mua më kanë liruar nga detyra dhe më kanë përcjell deri në shtëpi.
Shala ka deklaruar gjatë dëshmisë se rreshteri Bunjaku ka mundur të komunikojë me njësitë e kufirit për pak sekonda, pasi tha se më pas ishte aktivizuar detonimi.
Vazhdim i dëshmisë:
Ka pas të shtëna me detonimin. Në bazë të krismave kanë qenë të kalibrave të ndryshëm. Prej pjesës së fshatit në disa pjesë të ndryshme. Pasi që detonimi dhe gjuajtja nga anë të ndryshme nga fshati, kam dëgjuar më vonë sharje në gjuhën serbe dhe refall në të njëjtën kohë. Saktë më kujtohen sharje në gjuhën serbe...Unë nuk kam pa persona, s’kam pas mundësi se ka pasë barrikada dhe anën tjetër kanë qenë automjetet tona. Kam dëgjuar zëra, sharje dhe krisma. E kam vërejt dronin që është mbi kokat tona. Ka qenë çështje mbijetesë, kam dëgjuar zëra.
Kolegët e stacionit bashkë me të kufirit kanë dëmtuar ndriçimin publik, unë për hir të vërtetës kam gjuajtur, por nuk kam arritur ta prish ndriçimin, se kam pas frikë se mund të mbes pa municion...Instinkti i mbijetesës na ka organizuar, kolegët Elez Peci dhe Mirsadi dhe e kanë berë aktin e mbështetjes. Nuk ka pasur ndonjë organizim ne ato momente. Jemi organizuar vetvetiu për me u mbrojt.
Sulmin në Banjskë, Shala e cilëson shumë mirë të organizuar dhe me persona të stërvitur.
Peci: Sulmi në Banjskë, tipik ushtarak dhe i financuar mirë
Zyrtari policor, Elez Peci, ka rrëfyer para trupit gjykues ngjarjen e natës së 24 shtatorit në Banjskë, ku ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.
Ai ka thënë se sulmi i parë ishte përcjell me detonim të fuqishëm “saqë ma ka humbur edhe balancën”. Sipas tij, pas detonimit kanë pasuar të shtëna me armë zjarri, me kalibra të ndryshëm.
Dëshmia e plotë e Elez Pecit:
E nderuara gjykatë, jam shumë i lënduar shpirtërisht me humbjen e heroit kombëtar Afrim Bunjaku. Normal atë natë nuk kam pas lëndime nga të shtënat me armë zjarri, por shpirtërisht dhe emocionalisht po dhe e ndiej veten te lënduar. Më 23 shtator 2023, ndërrimin e kem filluar në ora 19. Plani operativ ka qenë 12 orësh për shkak të situatës. Nga ora 19 deri në 7:00 në mëngjes. Si çdo herë rreshteri e ka ba orarin se ku kush punon. Si zakonisht kem filluar me patroll, lëvizjet kanë qenë të kufizuara, arsyet dihen, rrezik. Deri në 2:00 kem qenë në komunë të Zveçanit, bashkë me Fahri Shalën. Rreth orës 2:00 jem kthyer në stacion, rreth orës 2:30 nga radiolidhjet është njoftuar dhoma komanduese nga njësia NNJSH, se në fshatin Banjskë saktësisht mbi urë janë vendosur dy kamionë. Është bllokuar rruga ma saktësisht ura, të cilat kamionë janë me rërë, pasi që Banjska i përket stacionit policor Zveçan, rreshteri i ndjerë Afrim Bunjaku, na ka ftuar mua, Fahri Shalën dhe Sadat Dushin. I kemi vendos antiplumbat, helmetat, i kem vendos pajisjet policore. Kem njoftuar kontrollin dhe dhomën komanduese se jemi në drejtim të Banjskës. Unë kam qenë në automjet me rreshterin Afrim Bunjakun, kurse veturën tjetër Fahri Shala dhe Sedat Dushi, duke shkuar në fshatin Joshovil të Zveçanit, e kem pa një automjet golf 3. Fahria ka qenë mbrapa, Fahria më ka thirr mua dhe ka thanë: A e ndalim. E kemi ndal automjetin e kem kërkuar dokumentacionin, në karrige të pasagjerit e kem gjetur një antenë të radiolidhjeve të policisë, mirëpo pasi personi nuk ka qenë në listë, kem vazhduar në Banjskë. Ne si zyrtar policor e kem pas rreshterin, ai ka vendos, e kem konfiskuar antenën dhe të dhënat e personit i kem marr. E kem verifikuar në bazë, personi s’ka qenë i kërkuar. Kem vazhduar në drejtim të Banjskë.
Kur jemi shkuar në Banjskë, pa u afruar te kamionët, afër 20 metra, i kem parku automjetet, automjeti im mbrapa, i Fahrisë para ka dalë. Avni Shala dhe Halim Behrami kanë qenë edhe kur e kem ndal golfin, kur i kem ndal automjetet, kemi vazhduar në drejtim të kolegëve tonë, të cilët kanë qenë të monitoruar situatën. E kom vërejtur që diçka s’është në rregull, fshati në terr, drita shumë pak, kurse rruga ku jem kanë na, shumë ndriçim i fortë, kur jem ofruar te kolegët e tanë. Unë kam thënë koleg po shpërndan se mund të jetë kurth. Prapa meje ka qene Saditi, në anën e majtë, ka qenë i parkuar një kamion i gjelbër, te lumi i Banjskës. Unë jam mbështet te motori, Sedatit i kam thënë përcjelle rrugën e Izvorit. Në atë moment ka ndodh një detonim shumë i fortë, saqë ma ka humb edhe balancën. E kam marr veten në moment, detonimi ka qenë me shtëna armësh, kalibrave të ndryshëm, unë i përkas gjeneratës së mesme të Jugosllaviseë. Kalibrat i njoh. Ka formë të shtënave të armësh në formë të hënës, nga shkolla ana e djathtë deri te hoteli, tash ku është Posta e Kosovës. Për shembull në pjesën ku kam qenë unë ka qenë lumi, në anën tjetër të lumit kanë qenë rrathë e gypa të betonit, e prej asaj pozite kanë gjuajt në drejtim tonë. Në atë pjesë ka pas pjesëtarë (sulmues), distanca 10-15 metra. Po ka pas edhe te manastiri lart atje, ku edhe dëshmitë janë gjetur.
Gjykatë e nderuar, momentin kur jem sulmuar, unë thash e kam marr veten, përvoja e luftës, sakrificat na kanë bërë më të fortë dhe kam filluar me mbrojt veten dhe kolegët e mi, duke shti në drejtim të terroristëve. Mirëpo ishim të pabarabarte, si në numër edhe në armatim.
Toyota e NNJSH ka qenë shumë afër, Mirsadi ka ardhur te unë dhe më ka thënë koleg e kanë plagos rreshterin. E shihnim krejt se shumë afër, po ndihëm m’i dhëne e pamundur. Më ka thënë po shkoj po e ndezi veturën time, mirëpo për fat keq nuk ka ndez. Mirëpo unë kam qenë i përqendruar në drejtim të sulmuesve. E kam dëgjuar zërin dhe m’ka tregu që vetura s’po ndizet, pasi që ai ish afruar në drejtim të veturës tonë. Për fat të mirë, i lashë çelësat e veturës dhe xhamin e çela dhe e kam njoftuar që Mirsad, nëse mundesh te vetura jonë, është çel dhe çelësat janë në kerr. Edhe e ka pru veturën në drejtim të Izvorit dhe ka kerkuar ndihmën tonë, se rreshteri ka qene goxha në peshë. Fahri Shala më ka thënë ‘Elez a po del ndihmoj, unë po ju mbroj sa të mundem’. Po komunikonim me zë, Kam dal unë dhe aty vdekja shihej me sy. Unë kam shkuar, jam hy prapa në veturë, jam munduar prej lart me tërheq po s’kam mund. Atëherë kam dal jashtë dhe e kam ngritur rreshterin në gju dhe e kam tërheq. Ia kom shti duart me tërheq nën krahë. Fillimisht i kem thyer dritat se ka qenë shumë dritë dhe kolegu Fahria ka thanë m’i thye dritat para se me dal. Kur i kom shti duart nën krahë, m’u kanë nxeh duart, e kom dit që gjak dhe i kam larguar kam thanë mos p’e lëndoj. Atëherë plumbi jon...Dhe e kam tërheq deri te dera e automjetit, te dera nuk kam mund se isha edhe me pajisje. Kam menduar që ka qenë Albani, po një koleg na ka ndihmuar dhe e kam tërheq në kerr. Kur e kam shti mbrapa deri në fund dhe antiplumbi t’u e tërheq dhe ia kom largu prej trupi krejt. E kom gjuajt antiplumbin në kerr, e kam mbyll derën dhe jam hy te pasagjeri, kurse Mirsadi te shoferi. Të shtënat nuk janë ndal asnjë moment. Derisa u sill në drejtim të Mitrovicës dhe Mirsadi ka thanë ‘ma shpërthyen gomën’.
E nderuara gjykatë, sulmi që ka ndodh ndaj nesh, është sulm tipik ushtarak, i trajnuar fort mirë, nuk jam ballafaquar ashtu në jetën time, e besa i financuar shumë mirë. Dhe ai armatim nuk mundet m’u ble në treg.
Siç thash më herët që punoj në Zveçan nga 2011-a, personat si Radoiçiqi janë në pjesën veriore, kanë qenë gjithçka. Ata kanë pasur aq strukturë të organizuar, si çdo here kanë qarkulluar me përcjellje të vet.
Sa herë të ka nevojë për të dëshmuar, jam i gatshëm dhe vij.
Më pas, Peci u pyet nga avokati i Vlladimir Toliqit, Millosh Deleviq se a e dinë me çfarë arme ishte vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, derisa iu përgjigj se “unë s’jam ekspert i armëve, veç qysh ka vdekur, më së miri i tregon obduksioni”.
“Ju keni përmendur një bombë të montuar, pse keni thënë kështu”, pyeti avokati Deleviq, derisa Peci shtoi se prapa kamionit të gjelbër kishte eksploziv.
“Atëherë kam thënë se tash po them. Prej çfarë ka vdekur rreshteri, nuk e di. Mirëpo, prapa kamionit të gjelbër është një pllakë për reklama. Mirëpo, afër saj ka qenë mjeti eksploziv dhe aty ka kërcitur dhe aty ka ndodhur detonimi se është vërejtur”, ka thënë ai.
Avokatët e dy të akuzuarve të tjerë nuk parashtruan pyetje
Dëshmitari i radhës do të dëgjohet në orën 13:00.
Rasti “Banjska”, dëshmon zyrtari policor Elez Peci
Të enjten po dëgjohet dëshmia e zyrtarit policor, Elezi Peci, mbi rastin e sulmit serb në fshatin Banjskë të Zveçanit.
Në sallën e gjyqit janë dërguar të akuzuarit Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq.
Një ditë më parë, zyrtari policor, Mirsad Kryeziu, ka deshmuar për ngjarjet e natës së 24 shtatorit të 2023-s.
Ai ka rrëfer për momentet kur kanë nisur të shtënat e serbëve ndaj Policisë së Kosovës, si dhe për vrasjen e kolegut të tij, Afrim Bunjaku.