Të premten është konstituuar Kuvendi i Kosovës, pas zgjedhjes së nënkryetarit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq. Këtu mund t’i lexoni reagimet e deputetëve pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Abdixhiku: Mbajtja e vendit të bllokuar për një pozitë të parëndësishme ka qenë e papërgjegjshme
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se mbajtja e vendit e bllokuar për disa muaj për një pozitë që ai e ka quajtur “të parëndësishme” – referuar nënkryetarit të komunitetit serb – ka qenë e papërgjejshme.
Ai ka theksuar se LDK-ja vendosi që ta largonte këtë çështje duke votuar pro Nenad Rashiqit për t’i hapur rrugë formimit të institucioneve.
“LDK-ja vlerëson se mbajtja e vendit të bllokuar për më shumë se pesë muaj, për një pozitë tërësisht formale dhe të parëndësishme, ka qenë akt i papërgjegjshëm, që ka dëmtuar interesin e Republikës. E vetëdijshme se debati i paqenë mbi Listën Serbe dhe veton e saj në procesin e konstituimit të kuvendit, ishte kthyer në temë elektorale, LDK-ja vendosi ta largojë këtë çështje nga axhenda politike dhe institucionale, duke i hapur rrugë procesit kushtetues dhe institucional të vendit”, ka shkruar ai në Facebook.
Abdixhiku ka shtuar se rruga për formimin e qeverisë është hapur, teksa ka ftuar VV-në që ta dëshmojë se i ka votat për të.
“Me këtë veprim, u zhbllokua procesi për themelimin e institucioneve të reja, si dhe u parandaluan shkeljet e reja kushtetuese të Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, përfshirë uzurpimin e institucioneve nga një qeveri pa legjitimitet dhe pa autorizime ligjore e kushtetuese”.
VV-ja e hapur për koalicion, përveç me LS-në e PDK-në, Haxhiu: Ka pasur përpjekje me LDK-në
Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se pas konstituimit të Kuvendit do të vazhdojnë me formimin e qeverisë së re.
Ajo ka theksuar se janë të hapur për koalicion me partitë e tjera, përveç Listës Serbe dhe Partisë Demokratike të Kosovës.
“Më shumë se 4 muaj na ka marrë Gjykata Kushtetuese. Edhe përkundër faktit që vendimi i Gjykatës Kushtetuese thotë që janë 13 ditë për konstituim, ishin të vetëdijshëm PDK-ja, sot sërish tentuan të pengojnë konstituimin. Ne do të fillojmë me procedimin e emrit te mandatarit tone, kryeministrit Kurti. Kryeministri Kurti është personi më i votuar ndonjëherë. Ne do të vazhdojmë komunikimet edhe me deputetët e tjerë nëse kanë vullnet me qenë pjesë e qeverisë. Mund të ketë deputet që janë nga grupet parlamentare apo subjektet e tjera politike. Ka pasur përpjekje me LDK-në. Ka pasur vullnet që të kemi koalicion me Nismën por s’kanë pas vullnet”, ka thënë ajo para mediave.
Haxhiu ka shtuar se duhet të vazhdohet me formimin e qeverisë, por se nuk përjashtohen as zgjedhjet e reja.
“Nëse qëllimi i partive ka qenë konstituimi i Kuvendit e pastaj shpërndarja atëherë ç’kuptim ka pas me na mbajt kështu. Nëse qëllimi i tyre është që të shkojmë në zgjedhje për shkak se s’po munden me pranu rezultatin e zgjedhjeve është dashtë me kohë. Ne konsiderojmë që duhet të vazhdojmë me qeverinë por natyrisht që nuk përjashtohen zgjedhjet e jashtëzakonshme”, ka thënë ajo.
Basha: Procedura për konstituimin e Kuvendit ka qenë e rregullt
Kryetari Kuvendit, Dimal Basha, ka thënë se procedura për zgjedhjen e nënkryetarit serb e më pas shpallja e Kuvendit të konstituuar ka qenë në rregull.
Ai ka thënë se me 71 votat e deputetëve është legjitimuar konstituimi.
“Mendoj që ka qenë një procedurë e rregullt, e mirë dhe gjithçka ka shku mirë”, deklaroi ai para mediave.
Basha ka shtuar se mbetet në të drejtën e secilës parti t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse ka dyshime.
“PDK ka të drejtë me i ngrit dyshimet e veta në Gjykatë Kushtetuese është për atë punë. Por procedura ka qenë e rregullt”, u shpreh ai.
Lista Serbe thotë se Kuvendi nuk është konstituuar
Deputeti i Listës Serbe Igor Simiq, në deklarimin e tij pas seancës konstituive ka thënë se Kuvendi nuk është konstituuar.
“Sot nuk ka përfunduar konstituimi i seancës së Kuvendit dhe mos lejoni të ju gënjejnë”, ka theksuar ai.
Simiqi ka thënë se "është shkelur aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, si edhe Kushtetuta dhe Rregullorja”, teksa ka paralajmëruar se do të ankohet.
Nëntë deputetët e Listës Serbe, të premten kanë dështuar që të marrin votat e mjaftueshme për t’u bërë nënkryetar të Kuvendit.
Pas kësaj me shumicë votash nënkryetar i Kuvendit nga radhët e komunitetit serb është zgjedhur deputeti Nenad Rashiq.
Krasniqi: Sot u bë një konstatim se është bërë një konstituim i Kuvendit
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij ka mbajtur qëndrimet e njëjta qysh prej fillimit sa i përket nënkryetarit nga komuniteti serb.
Ai e ka quajtur konstituimin “konstatim” të kryeparlamentarit, për të cilin ka shtuar se nuk e di nëse do të jetë valid apo jo.
“Që para 15 prillit PDK-ja ka qenë ndoshta partia e vetme që ka mbajtur konsistencë në qëndrimet e saj. Ne kemi abstenuar për sa i përket nënkryetarit të komunitetit serb. Unë besoj që konstituimi ka qenë i domosdoshëm dhe i nevojshëm. Për neve është shumë i rëndësishëm që konstituimi të jetë final dhe të hyjmë në afate kushtetuese për formimin e qeverisë së re dhe duke ditë që asnjëra palë nuk e ka shumicën parlamentare, e rëndësishme është të gjejmë mekanizmin që na dërgon në zgjedhje të parakohshme sa më parë”.
Krasniqi ka thënë se PDK-ja nuk do të votonte për asnjërin prej kandidatëve serbë për nënkryetar.
“Është çështje e vendimeve të partive se si vendosin dhe pse vendosin... sa na përket neve edhe para aktgjykimit, nuk jam i sigurt sepse këtu nuk pat as short... Unë mendoj që ka pasur hapësirë tjetër për konstituim legal ose kushtetues, sepse kryetari i Kuvendit mundohej të konsultohej me ata që i japin udhëzime në vend se të jepte interpretim. Ishte një konstatim se është bërë konstituimi por si do të shkojë tutje mbetet të shihet. Shpresoj që nuk do të ketë më lëndë në Kushtetuese”, tha Krasniqi pas seancës.
Bajrami: Nëse nuk formohet qeveria e re, LDK-ja voton për shpërndarje të Kuvendit
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, pas konstituimit të Kuvendit ka thënë se nëse nuk formohet qeveria e re, atëherë LDK-ja do të votojë për shpërndarje të Kuvendit.
Ajo ka thënë se nuk sheh mundësinë për qeveri të opozitës.
Bajrami ka treguar edhe pse e kanë votuar deputetin serb Nenad Rashiq, për nënkryetar të Kuvendit.
“Ne votuam për Nenad sepse aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka dhënë një interpretim sipas asaj që kemi kuptuar ai ka të drejtë të zgjidhjet si nënkryetar i komunitetit serb. E kemi parë nga fillimi që varet nga partia e parë, nëse nuk do të formohet qeveria vota e LDK-së do të jetë për shpërbërje të Kuvendit. Ka kaluar shumë kohë në mars kemi zgjedhjen e presidentit. Nuk e kemi pasur te qartë këtë qartësi e ka dhënë aktgjykimi e kemi parë që ka të drejtë të zgjidhet”, ka deklaruar ajo.