Në këtë tekst do të mund t’i lexoni reagimet lidhur me publikimin e aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Kushtetuesja ka konstatuar që me moszgjedhjen e një nënkryetari nga ky komunitet nuk është konstituuar Kuvendi. Megjithëkëtë në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për seancën konstituive është specifikuar se asnjë subjekt i komuniteteve nuk mund ta bllokojë konstituimin e Kuvendit të Kosovës, edhe nëse refuzon të propozojë emrin e ndonjë deputeti për nënkryetar. Sipas Kushtetueses procedura e ndjekur në procesin e deritashëm me votimin jo në pako me nënkryetarin e komuniteteve tjera joshumicë, nuk përbën shkelje. Sipas Kushtetueses, deputetët mund të vendosin në vullnetin e tyre për procedurën e votimit në pako apo ndaras.
Kryeziu: Përgjegjësia për bllokimin e Kuvendit i takon shumicës, e jo komunitetit serb
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës, Ismet Kryeziu, ka thënë se Gjykata Kushtetuese ka sqaruar se dështimi për konstituimin e Kuvendit nuk ka ndodhur për shkak të pengesave nga komuniteti serb, por për shkak të mosvotimit të shumicës së deputetëve.
Ai ka shtuar tutje se përgjegjësia për bllokimin e Kuvendit i takon shumicës dhe komuniteteve pakicë joserbe.
“Pra, përgjegjësia për bllokimin e Kuvendit i takon shumicës dhe komuniteteve pakicë jo-serbe, e jo komunitetit serb, dhe për këtë arsye Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar. Gjykata po ashtu bëri të ditur se vetëm në rrethana të jashtëzakonshme, kur Kuvendi nuk arrin të zgjedhë një ose disa anëtarë të Kryesisë për arsye që nuk varen nga vullneti i shumicës, por për shkak të pengimit nga deputetë apo grupe të caktuara politike, përfshirë ato të komuniteteve pakicë, Kuvendi mund të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin prej anëtarëve të Kryesisë. Për sa kohë që Kryesia ka kuorum për vendimmarrje”, ka shkruar në Facebook.
Krasniqi: Lista Serbe ka tendencën të jetë mbizotëruese ndaj komuniteteve të tjera
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke thënë se është konfirmuar e drejta e tyre.
“Në seancën e 26 gushtit 2025, në emër të Grupit Multietnik, propozova deputeten Emilija Rexhepi për nënkryetare të Kuvendit, përfaqësuese e komuniteteve nga grupi multietnik. Kërkuam që votimi për znj. Rexhepi të jetë i veçantë dhe i ndarë nga ai për nënkryetarin që zgjidhet nga deputetët e komunitetit serb, 73 deputetë votuan për, 1 kundër dhe 23 abstenuan”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.
Ai ka thënë se Gjykata Kushtetuese e rrëzoi pretendimin “e pabazë të partisë Lista Serbe dhe konfirmoi të drejtën tonë për votimin sipas vullnetit të deputetëve”.
“Kundërshtimi i kësaj të drejte nga Lista Serbe është i ngjashëm me kundërshtimin e tyre në Kushtetuese ndaj përbërjes etnike të Qeverisë Kurti 2. Po ashtu, kundërshtimi që MAPL të udhëhiqet nga një person që nuk është serb tregon qartë tendencën për të mbajtur pozitë mbizotëruese ndaj komuniteteve të tjera. Por duhet ta kemi parasysh që Lista Serbe nuk janë i gjithë komuniteti serb në vendin tonë”, ka shkruar Krasniqi.