Arbëri

Reduktime të paparalajmëruara të rrymës – qytetarët e bizneset në telashe

Vetëm pak ditë pasi KOSTT-i ka paralajmëruar rrezikun e mbingarkesave në rrjet gjatë sezonit dimëror, qytetarë në disa komuna të Kosovës po përballen me ndërprerje të paparalajmëruara të energjisë elektrike. Ndonëse kompanitë thonë se furnizimi është stabil, reduktimet po shkaktojnë telashe për familjet dhe bizneset

Vetëm pak ditë pasi Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT paralajmëroi mundësinë e reduktimeve në furnizimin me energji elektrike shkaku i mbingarkesës, qytetarët në komuna të ndryshme po përballën tashmë me mungesë të rrymës.

Ani se KOSTT të shtunën ka njoftuar për rikthim të furnizimit me energji elektrike për konsumatorët që furnizohen nga nënstacioni në Rahovec, qytetarë të Rahovecit e Malishevës kanë thënë se reduktimet kanë vazhduar edhe gjatë ditës së diel.

Shqetësim për këtë ka shprehur kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, i cili ka thënë se ka komunikuar me përgjegjës të KEDS-it dhe me ata të KOSTT-it lidhur me këtë situatë që, sipas tij, po e rëndon jetën e qytetarëve dhe funksionimin e bizneseve.

“Gjendja me energjinë elektrike është serioze dhe e papranueshme. Qytetarët jo vetëm që po e paguajnë shtrenjtë energjinë elektrike, por po i bartin edhe pasojat e mungesës së saj. Prandaj, u bëjmë thirrje urgjente KOSTT-it, KEDS-it dhe KEK-ut që të marrin masa të menjëhershme për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike. Energjia elektrike nuk është luks, por nevojë themelore për qytetarët tanë”, ka thënë ai.

Me ndërprerje të paparalajmëruara të rrymës janë përballur edhe qytetarë të komunave të tjera të Kosovës, duke shkaktuar telashe edhe në funksionim të bizneseve. 

Biznesmeni Burim Piraj nga Dragashi ka thënë se nga e shtuna kanë pasur ndërprerje të paparalajmëruara të rrymës dhe nuk kanë marrë përgjigje pse po ndodh kjo.

“Në këtë kohë të dimrit është shumë telashe, pasi ne kemi shumë hapësira në reparte dhe mund të vijë deri te ngrirja e ujërave. Në anën tjetër kemi frigoriferë që duhet të punojnë non-stop. Ne po e aktivizojmë agregatin dhe nuk kemi zgjidhje tjetër. Ne kemi provuar të kontaktojmë KEDS-in dhe KESCO-n nëpërmjet numrit të qendrës së thirrjeve, por nuk kemi arritur të kontaktojmë për të marrë një arsye pse është duke u ndërprerë energjia pa paralajmërim”, ka thënë Piraj.

Nga KESCO kanë thënë për KOHËN se nuk ka telashe në furnizim, ndërsa në kompaninë KEDS nuk janë përgjigjur rreth ndërprerjeve të rrymës.

Në ditën kur qytetarët po përballen me mungesë të rrymës, në Korporatën Energjetike të Kosovës kanë thënë se prodhimi nga termocentralet është 870 megavate-orë, ndërsa kërkesa për import nga KEK-u rreth 27 megavate-orë.

E në KOSTT nuk ka parashikime për ditën e diel, por sipas parashikimeve të datës 19 dhjetor, ngarkesa ka arritur në afro 1 mijë e 500 megavate-orë.

Shkaku i ngarkesave në rrjet, ky institucion më 18 dhjetor ka kërkuar nga qytetarët që të ulin konsumin, duke e zhvendosur atë jashtë orareve të pikut.

“Sistemi Elektro-Energjetik i Kosovës gjatë sezonit dimëror po përballet me rritje të ndjeshme të konsumit të energjisë elektrike, veçanërisht në orët e pikut. Krahasuar me vitin e kaluar, konsumi ka shënuar rritje prej 14.33%, ndërsa ngarkesa maksimale prej 1468 MW është arritur dje, në kushte kur temperaturat nuk kanë qenë shumë të ulëta, çka tregon se në ditët më të ftohta konsumi mund të rritet edhe më tej”, thuhet në njoftimin e KOSTT-it.

Sipas KOSTT-it, ngarkesat më të larta janë në Rahovec, Prizren, Gjilan dhe Lipjan.

Qytetarëve të këtyre zonave u është kërkuar kujdes i shtuar dhe bashkëpunim për të shmangur mbingarkesat dhe për të ruajtur furnizimin e qëndrueshëm me energji elektrike.