Në podcastin PIKË, të moderuar nga publicisti Veton Surroi, antropologia amerikane Janet Reineck, e njohur ndryshe si “Amerikania në Kosovë”, ka rrëfyer lidhjen e veçantë që ka me — një lidhje që ka nisur para më shumë se katër dekadash.
“I love Kosovo! Diqysh, e du Kosovën, më ka prekur në zemër që nga viti 1981, kur kam ardhur këtu për herë të parë”, ka thënë Reineck, duke kujtuar takimin e parë me shqiptarët në një festival folklorik në Zagreb dhe më pas vizitën në një dasmë në fshatin Gërmovë të Vitisë.
Në bisedë me Surroin, ajo përshkroi emocionet e para që përjetoi në Kosovë, në një kohë kur vendi po kalonte periudha të ndjeshme politike dhe shoqërore.
“Kam ardh për herë të parë në vitin 1980, bash kur Tito ka vdekë…”, rrëfeu ajo.
Reineck tregon se në fillim jetoi në “Breg të Diellit”, përballë sfidave të jetesës në një realitet krejt ndryshe nga ai amerikan.
“Kam qenë e vetmja amerikane, shumë pak njerëz flisnin anglisht. Ishte vështirë, por njerëzit më ndihmonin gjithmonë”, u shpreh ajo, duke kujtuar shokët e parë në Fakultetin e Gjuhës Angleze.
Në vijim, Surroi e quajti Reineck “kalifornianen e vetme opojane”, duke nënvizuar lidhjen e saj të thellë me kulturën dhe muzikën e Kosovës, të cilën ajo e përshkroi si “të egër, dramatike dhe të bukur në mënyrë unike”.