Arbëri

Respektimi i masave anti-Covid s’po inspektohet – shkak mungesa e inspektorëve

Ato masa anti-COVID që kanë mbetur në fuqi, tash e dy javë nuk janë duke u inspektuar nga Agjencia e Ushqimit e Veterinarisë.

Kjo për shkak se rreth 90 inspektorëve, të kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë për këtë çështje, u kanë skaduar kontratat.

“Ata nuk kanë kontratë dhe ne kemi mbetë pa inspektorë dhe në këtë forme jemi si autoritet i hendikepuar për të pasur mundësi që të mbikëqyrim zbatimin e masave anti-COVID; ne jemi mandatorë, por nuk kemi kapacitete humane për ta bërë këtë punë”, tha zëdhënës i AUV-it, Lamir Thaçi.

Nga Ministria e Shëndetësisë nuk kanë dhënë shumë detaje rreth kësaj çështjeje, por vetëm kanë thënë se në ditët në vazhdim do t’i shohin kapacitetet e institucioneve mbikëqyrëse.
“Kontratat kanë qenë me afat të kufizuar dhe në të ardhmen MSH-ja do të bashkëpunojë me institucionet mbikëqyrëse për t’i parë kapacitetet e tyre inspektuese dhe për të parë nëse kapacitetet që i kanë në dispozicion janë të mjaftueshme për ta bërë monitorimin e masave që janë në fuqi”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti.

Për zbatimin e masave anti-COVID është përkujdesur dhe vazhdon të kujdeset edhe Policia e Kosovës.

Zyrtarë të këtij institucioni shkurt kanë thënë se që nga fillimi i zbatimit të Ligjit anti-COVID, pra nga 26 gushti i vitit të kaluar, policia ka shqiptuar mbi 200 mijë gjoba për shkelje të masave.

“Policia e Kosovës që nga fillimi i pandemisë (mars 2020) ka hartuar dhe zbatuar planin operativ me qëllim të koordinimit me institucionet e tjera për shtim të masave parandaluese. Që nga fillimi i zbatimit të Ligjit anti-Covid (26.8.2020), policia ka shqiptuar 206.729 gjoba bazuar në këtë ligj”, thuhet nga Policia.

Në anën tjetër, nga AUV thonë se 12 inspektorë sanitarë, që janë me kontrata të rregullta, për momentin janë duke u kujdesur më shumë për inspektimin e kushteve sanitare në gastronomi e vende të tjera, sidomos në këtë periudhë që temperaturat janë të larta.