Arbëri

Rexhepi: S’kemi çka dialogojmë, Serbia t’i plotësojë kërkesat e shqiptarëve të Luginës

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Enkel Rexhepi, ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë populli më i diskriminuar në Ballkan. 

Ai të mërkurën në një intervistë në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka akuzuar Qeverinë e Serbisë për mosrealizim të kërkesave të shqiptarëve dhe shkelje të të drejtave të tyre. 

Për këtë arsye ai ka thënë se të mërkurën ka refuzuar që të marrë pjesë në një takim që e kishte thirrur ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave në Qeverinë e Serbisë, Demo Berisha. 

“Ky takim nuk ka pasur asnjë pike të rendit të ditës për të cilën do të diskutohej, është një tentativë e radhës e ministrit shqipfolës Demo Berisha, i cili përpiqet që Këshilli kombëtar Shqiptarë ta amnistojë, ose ta shohë si pro-shqiptarë, por ne të kaluarën e ministrit shumë mirë e dimë”, ka theksuar Rexhepi.
Ai ka thënë se më këtë Ministri në vitin 2022 kanë nënshkruar një platformë në të cilën janë cekur të drejtat e shqiptarëve, të cilat sipas tij do të duhej të realizoheshin deri në vitin 2026. 

Por, Rexhepi ka thënë se ende asnjë prej kërkesave të përcaktuara në këtë platformë nuk është realizuar.

“Është koha për veprim dhe jo për dialog, sepse ministri kërkon dialog dhe ne nuk kemi çfarë të dialogojmë, sepse shqiptarët e Luginës nuk kanë kohë që të presim, i kam kërkuar edhe ministrit që t’i përmbushë ato pika”, ka deklaruar Rexhepi.

Ai ka thënë se Berisha paraqitet me media me fjalët më ofenduese për Këshillin Kombëtar Shqiptar.

Rexhepi ka theksuar se ministrit i ka kërkuar që të shfuqizojë edhe vendimin që ndalon subvencionimin e bujqve shqiptarë të Luginës nga Qeveria e Kosovës.

Ai ka folur edhe për nismën ligjore për ta bërë të detyrueshëm shërbimin ushtarak në Serbi. Ka thënë se kjo paraqet një metodë për spastrim etnik të shqiptarëve nga ana e Qeverisë së Serbisë. 

“Të rinjtë shqiptarë, si t’i mbushin 18 vjet do të detyrohen të emigrojnë dhe të kërkojnë azil politik nëpër vende të tjera siç kanë bërë në vitet ’80”, është shprehur ai, duke shtuar se në atë kohë shqiptarët që ishin pjesë Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ), u trajtuan në mënyrë diskriminuese dhe se kishte edhe viktima. 

Sipas Rexhepit kjo do të paraqesë edhe një fazë tjetër të pasivizimit të adresave të shqiptarëve në Luginë. 

Ai ka kërkuar që Kosova dhe Shqipëria të angazhohen dhe të ngrenë çështjen e shqiptarëve të Luginës si temë me faktorin ndërkombëtar.