Nënkryetarja nga komunitetet joshumicë joserbe në Kuvend, Emilija Rexhepi, ka thënë se nënkryetarët nga komunitetet nuk e kanë domosdo që të votohen në pako.
Ajo ka shtuar se nënkryetari nga komuniteti serb mund të votohet ndaras, pasi nuk është rregull apo ligj që një gjë e tillë të bëhet në pako me përfaqësuesin e komuniteteve të tjera.
“Votat që kam marrë për nënkryetare të Kuvendit nga pjesëtarët e tjerë ka qenë një votë e një shifre prej 73 votash dhe mendoj se nuk kemi pasur nevojë të votohemi në paketë. Është gjë normale që jemi votuar ndaras. Si parlament, deputetë, mund ta votojmë edhe përfaqësuesin serb ndaras. Nuk ka diçka të shkruar, është vetëm praktikë që është bërë të votohemi në pako. Por ne si pjesëtarë të komuniteti joserb, si grup multietnik, jemi pajtuar dhe kemi prurë vendim të përbashkët që të votohemi enkas, ndaras. Nuk është ligj që të votohemi në pako, nuk është Kushtetutë, është praktikë”, ka theksuar ajo në “60 Minuta”.
Rexhepi ka theksuar se nuk do të ketë kthim në votimin e nënkryetarëve në pako nga komunitetet, dhe se do të vazhdojë vetëm me votimin e atij nga komuniteti serb siç kërkohet nga Gjykata Kushtetuese.
“Jo nuk do të vijë deri të një situatë e tillë sepse nuk ka një shpjegim të tillë nga Kushtetuesja që të votohemi në pako por na është dhënw secilit deputet e shkruar që nga dita e shpalljes në gazetë zyrtare që të votojmë edhe kandidatin serb. Jo domosdo e caktuar që të jetë nga Lista Serbe, por të jetë nga komuniteti serb. Ne kemi votuar Rashiqin, dhe për herë të parë është jashtë Listës Serbe dhe është gjë e mirë”, ka përfunduar Rexhepi.
Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare e Kuvendit nga pakica joserbe në një votim ndaras nga pakica serbe në gusht, praktikë ndryshe nga herët e kaluara kur ishin votuar gjithmonë në një pako. Derisa ajo mori votat e nevojshme, kandidatët nga komuniteti serb nuk morën asnjëri votat e nevojshme. Megjithëse nënkryetari serb nuk u zgjodh, kryeparlamentari Dimal Basha e pati shpallur të konstituuar Kuvendit. Kjo çoi më pas në ankesën e Listës Serbe në Gjykatën Kushtetuese, e cila në vendim njoftoi se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar ende dhe se ky proces nuk përfundon pa zgjedhjen e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.