Arbëri

Rihapet shqyrtimi gjyqësor në rastin “Gylenistët”

Trupi gjykues te gyleniatet

Foto: Driton Paçarada

Në ditën kur ishte paraparë të shpallej aktgjykimi, është rihapur shqyrtimi gjyqësor në rastin “Gylenistët” me qëllim të grumbullimit disa provave materiale.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani, nuk e bëri të qartë se për cilat prova bëhet fjalë.

Për këtë rast, Driton Gashi është dënuar më 2023 me katër vjet e tetë muaj burgim, porse në fund të vitit të shkuar, Gjykata e Apelit e ka kthyer rastin në rigjykim sa i përket pikës 1 të dispozitivit ndërsa e ka vërtetuar lirimin e dy të akuzuarve të tjerë. Nga aktakuza asokohe u patën liruar ish-drejtori i Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), Valon Ramadani, dhe ish-drejtori i Drejtorisë për Migracion dhe të Huaj në kuadër të Policisë Kufitare, Rrahman Sylejmani.

Bazuar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale më 24 shkurt të 2021-tës, Gashi se në rastin e dëbimit të 6 shtetasve turq e ka keqpërdorur detyrën zyrtare në mënyrën që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion të Ministrisë së Punëve të Brendshme ia ka rekomanduar revokimin e lejeve të qëndrimit për Ozkanin, Karabinanë, Demirezin, Hyseyn-Demirin dhe Erdenin si dhe mosdhënien e lejes për Karakoyanë, nën arsyetimin se ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare. Prokuroria Speciake pretendon se Gashi duke tejkaluar detyrën e tij zyrtare u përfshi në dëbim, përfshirë edhe në aspektet që kishin të bënin me dërgimin e të dëmtuarve në Turqi. Sipas aktakuzës ai i paraqiti si rrezik shtetasit turq, ndërkohë që ata nuk paraqisnin rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Në këtë rast disa seanca janë mbajtur të mbyllura për për publikun me qëllim të mbrojtjes e të dëmtuarve, por edhe të informacioneve të klasifikuara të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.