Arbëri

Rikthehen në punë psikiatri që u suspendua pas arrestimit në Tiranë për përndjekjen e një gruaje

Behar Kamberi

Psikiatri Behar Kamberi që u suspendua më 29 shtator nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) pas arrestimit të tij në Shqipëri për përndjekje ndaj një gruaje, është rikthyer në punë.

Të premten ai është parë në hapësira të punës në Klinikën e Psikiatrisë së Fëmijëve, duke e shoqëruar stafin tjetër mjekësor në një ngjarje në shënim të ditës ndërkombëtarë të shëndetit mendor.

Për suspendimin e tij, kishte bërë të ditur Durim Elshani, këshilltari politik i ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia më 30 shtator.

“Pas arrestimit të psikiatrit, Behar Kamberi në Shqipëri, SHSKUK ka marrë vendim për pezullimin e tij nga detyra. Vendimi ka hyrë në fuqi më 29 shtator 2025 dhe mbetet në fuqi deri në përfundim të procedurave ligjore”, ka thënë Elshani.

Sipas mediave në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës vendosi ta lirojë nga mbajtja dhe të vazhdojë hetimi i tij në liri.

Drejtori i Klinikës së Psikiatrisë, Faton Kutllovci, tha se për Kamberin nuk kanë pranuar asnjë ankesë zyrtare.

“Gjithsesi që institucionet e QKUK-së dhe ShSKUK-së janë marrë me rastin në fjalë dhe kemi përcjellë të gjitha procedurat ligjore në lidhje me këtë rast, deri në rastin në të cilin Prokuroria në Tiranë e ka liruar, unë nuk di çka të them tutje, përveç që ai nuk është i dënuar. Tani a ka pasur përndjekje apo jo, nuk jemi ne ta vlerësojmë. Personi në fjalë deri më tani nuk ka asnjë ankesë zyrtare për keqpërdorimit të detyrës së tij. Në rastin kur do ta kemi një ankesë gjithsesi se do ta trajtojmë”, ka deklaruar ai.

KOHA përmes Kutllovcit ka tentuar të kontaktoj me Kamberin për të marrë një qëndrim nga ai, por deri më tani nuk ka dhënë ndonjë përgjigje. Posa të marrim një përgjigje nga ai teksti do të përditësohet. 
As në ShSKUK nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me vendimin për suspendim dhe arsyen e lirimit nga masa e suspendimit.