Arbëri

Rrëfimi i ushtarëve për qytetin e parë të çliruar

Përveç si portë nga ku u larguan rreth 400 mijë refugjatë të Kosovës për në Maqedoninë e Veriut, qyteza e Hanit të Elezit është edhe vendi i parë në Kosovë ku arriti liria. Trupat e NATO-s u futën fillimisht në ketë komunë, për t’u shpërndarë në pjesë të tjera të vendit

Qyteza e vogël e Hanit të Elezit, për shkak të pozicionit gjeografik, ishte lajmëtari i parë për zhvillimet në kohë lufte, por edhe për përfundim të saj.

Në këtë qytet, tashmë janë të institucionalizuara si monumente treni që shërbeu për bartjen e rreth 400 mijë refugjatëve shqiptarë deri në kufi me Maqedoninë, pastaj armët që UÇK-ja në këtë zonë përdori kundër serbëve e po ashtu edhe mbetjet e municionit të ushtrisë së ish-Jugosllavisë që u përdor kundër shqiptarëve.

Në memorien e shumë qytetarëve të Kosovës, Hani i Elezit mbetet simbol i një dere për largim të shumë shqiptarëve nga Kosova. Por në memorien e ish-ushtarëve të UÇK-së, ky qytet tregon se liria erdhi. Hani i Elezit ishte qyteti i parë që u çlirua.

Më 11 qershor të vitit 1999, trupat e NATO-s u futën në Kosovë, fillimisht në Han të Elezit.

Kryetari aktual i kësaj komune, Mehmet Ballazhi, atëkohë ishte pjesë e UÇK-së. Ai e mban mend mirë takimin e parë të pjesëtarëve të UÇK-së me ata të NATO-s menjëherë pas futjes së tyre në Kosovë.

“Më kujtohet kur na kemi zbritë prej Shtabit, ku i kemi pasë pikat, takimi i parë ka qenë KFOR-i anglez në kuadër të kësaj edhe kurke – kështu quheshin ushtarët e Nepalit.  Me kujtohet armatimi që e kemi bart dhe takimi me armatim me një ushtri profesionale që në krahasim me ne ishte pak më e avancuar. Sjellja e KFOR ishte shumë bashkëpunuese për shkak që sipas marrëveshjes ndërkombëtare që të mos ketë formacione të tjera të armatosura, ne në bashkëpunimin me Shtabin sepse kishim vendim të Shtabit që të përcjellim hyrjen e NATO-s që të mos ketë asnjë problem”, ka thënë Ballazhi.

Ushtarët e kësaj pjese kishin për detyrë edhe të përcillnin largimin e forcave serbe.
“Me kujtohet dita e fundit, duhej të tërhiqeshin forcat serbe ka pasur një zbrazje të mllefit të tyre, me gjithë ato pajisje ushtarake që kanë pasë, me gjithë ato predha që i kanë pasë me minahedhës e të tjera”, ka shtuar ai.

Në 25-vjetorin e çlirimit, të mërkurën, veteranet e Zonës së Nerodimes vizituan këtë komunë, si pikën e parë ku erdhi liria.

“Ne kemi qenë në vijën e parë të frontit kur e kemi kuptuar që liria erdhi. Unë nuk kam qenë 10 vjet në familjen time. Kam ardhë prej diasporës për tu rreshtuar në radhët e gjata të UÇK-së. Dita e parë me emocione, plot gëzim por kishim edhe ato emocionet se një numër i madh i bashkëluftëtarëve nuk ishin”, ka thënë Safet Syla, ish-ushtar i UÇK-së.

E një ish-ushtar i kësaj zone, ndonëse i një komune tjetër, kujton me nostalgji takimin e parë në liri me familjen, pikërisht në Han të Elezit.

“Pikërisht në Hanin e Elezit vendosa kontakte shumë shpejtë me familjarë dhe i takova në Han të Elezit. Familja mu ka kthy me 11 qershor 1999 e shoqëruar me shumë qytetarë të Kosovës por edhe ushtarë të KFOR-it”, ka thënë Nexhat Shahini, ish-ushtar i UÇK-së.

Përveç Hanit të Elezit, edhe pikat e tjera kufitare u përdorën si rrugë për largimin e gati një milion shqiptarëve nga Kosova, por edhe për kthimin e tyre pas çlirimit.