Arbëri

Rrëfimi rrëqethës, si u maltretua një person i komunitetit LGBTIQ+

Një person nga komuniteti LGBTIQ+ në Kosovë ka rrëfyer për një ngjarje të rëndë dhune që ka përjetuar nga tre persona.

Ai ka treguar se pas një takimi me një person që e njihte më parë, është sulmuar dhe rrëmbyer nga ai dhe dy të tjerë, duke u dërguar në një vend të panjohur, ku është keqtrajtuar fizikisht dhe psikikisht.

Sipas rrëfimit të tij, sulmuesit kanë përdorur mjete të mprehta dhe objekte të forta për ta dëmtuar trupin e tij, duke i shkaktuar lëndime të rënda.

“Ka qenë njëra prej ditëve më të këqija të jetës sime që e kam përjetuar. E kam takuar një person që kam pasur kontakt më parë me të. Pas asaj here, jemi takuar edhe dy herë, herën e tretë ka ndodhur që personi në fjalë me dy persona të tjerë më kanë sulmuar dhe më kanë dërguar në një vend që nuk e di as vetë se ku kam qenë. Ka qenë shumë situatë e vështirë, jam rrahur prej anës së tyre, jam dhunuar psiqikisht, fizikisht, ka pasur gjërat më të këqija që kanë mund të bëhen prej anës së tyre, nuk kam besuar që dal gjallë prej aty, nuk kam besuar që do të ketë të nesërme për mua sërish për të vazhduar e denoncuar si rast, vetëm se i takoj komunitetit LGBT. Nuk ka pasur dhunë seksuale, ka pasur dhunë fizike, psikike, maltretime, incizime, gjithçka ka pasur. Dhuna fizike ka shkuar deri në atë masë që kanë përdorur mjete mprehëse (thikë), më kanë prerë organin gjenital, kanë prekur vende të ndryshme të trupit, kanë përdorur dana për të mi ngre thonjtë, kanë përdorur shtagë e gjithçka”, ka rrëfyer ai për "Konfront" të KTV-së.

Pas ngjarjes, ai ka thënë se ka kërkuar ndihmë psikologjike dhe ka vendosur ta çojë rastin në gjykatë.

“Përmes psikologut kam rënë në kontakt me Qendrën (CSGD), përmes së cilës vendosa të shkoj në gjykatë dhe sot fatmirësisht drejtësia ka triumfuar, është në anën time, jam i lumtur për këtë pjesë. Ka qenë proces shumë i gjatë, shumë i zvarritshëm, ka qenë shumë dërrmues për mua psiqikisht, shumë i rëndë, disa herë kam tentuar edhe të tërhiqem prapa, por me shpresë e vullnet kam arritur në atë pikë që sot të ndahem i kënaqur, ka drejtësi, ekziston drejtësia në Kosovë edhe për ne personat që jemi të komunitetit LGBT”, është shprehur ai.

Prokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Bashkim Zeqaj, i cili është marrë me rastin e viktimës, nofka e të cilit është Fabian, ka thënë se rasti është lajmëruar nga viktima po atë ditë kur ka ndodhur dhe është trajtuar si rast tërësisht i mbyllur për shkak të sensitivitetit. 

“Kur ka ndodhur rasti ne jemi paraqitur në vendin e ngjarjes dhe për hir të konfidencialitetit të rastit nuk mund të japim detaje se ku jemi paraqitur, procedura ka qenë tërësisht e mbyllur. Madje në rastin konkret janë zbatuar edhe kushtet e spitalit për anonimitet. E kemi një nofkë që e mban viktima dhe për të cilën ne i kemi zhvilluar të gjitha procedurat e nevojshme penale. Ka qenë një nga rastet më sensitive. Prokuroria këtë rast dhe rastet e tjera të ngjashme i ka trajtuar me prioritet të lartë. Brenda dy viteve i kemi katër raste të ngjashme”, ka thënë ai në "Konfront" të KTV-së.

Ndërsa avokati i Fabianit, Alban Krasniqi, derisa ka pranuar se rasti është raportuar nga Fabiani në institucionet kompentente në ditën që ka ndodhur, ka thënë se rasti është trajtuar mirë në shumë faza. 

“Rasti është trajtuar mirë në shumë faza, normalisht që ka disa çështje që mund të përmirësohen, mirëpo prej fillimit është trajtuar në pajtim me ligjin, kualifikimet e veprave penale janë bërë duke pasur parasysh edhe motivin dhe rrjedhimisht kjo e ka reflektuar më pas edhe aktgjykimin”, është shprehur ai.

Arbër Nuhiu, drejtues i Organizatës Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, ka thënë se Fabiani është vënë në kurth dhe se sipas tij në rastin ndaj tij ka pasur elemente të krimit ët urrejtjes bazuar në orientim seksual.

“Në bazë të tregimeve dhe ngjarjeve që më janë shpjeguar aty ka edhe urrejtje sidomos te personat që kanë ardhur fshehurazi, sepse Fabiani është futur në kurth dhe mendoj se ka qenë pikërisht orientimi i tij seksual që ka bë që ata njerëz të sillen në atë formë. Si aktivist, nga përvoja dhe jo nga kualifikimi, dhe në bazë të tregimit të tij, aty ka elemente të krimit të urrejtjes bazuar në orientim seksual”, ka thënë ai.

Ndërkaq Suzana Gashi, drejtoreshë e departamentit për mbrojtje nga diskriminimi në Institutin e Avokatit të Popullit, ka thënë se këto raste trajtohen në disa procedura edhe nga Avokati i Popullit, por sipas saj, ankesat nga ky komunitet mbesin në nivel të paktë dhe kryesisht nga shoqatat që merren me ta.