Veli Kelmendi nga Prizreni që prej 36 vjetësh është i paralizuar dhe lëviz me ndihmën e karrocës, këtë muaj ka fituar përmes gjykatës betejën ndaj Ministrisë së Financave për njohjen e së drejtës për kujdestar personal.
Ajo i ishte mohuar nga Komisioni Vlerësues i kësaj ministrie në tetor të vitit të kaluar, pavarësisht se rregullorja e re, që parashihte t’u jepte fund situatave të tilla, pati hyrë në fuqi një muaj më herët.
“E kanë marrë një praktikë tepër të keqe, që tani nëpërmes gjyqeve pesë vjet nuk po mundem me e marr të drejtën me i kthy paret..... Na kanë largu prej grupit të parë, na kanë qitë në grupin e dytë, vetëm me manipulu me ato para. Edhe krejtve, jo veç mua, që thashë e kam vetë ata, e ata do shokë”, ka thënë Kelmendi.
Për personat që kanë pasoja të përhershme shëndetësore dhe që janë të varur nga të tjerët, rregullorja e re parasheh njohjen e përhershme të kujdestarit dhe eliminon procesin e rivlerësimit.
Në rastin e Kelmendit, pavarësisht se prej mbi tri dekada është i paralizuar dhe plotësisht i varur nga kujdesi i të tjerëve, i është mohuar kjo e drejtë.
“I kam qitë në gjyq që ma ndalën pensionin, kur i kam qitë në gjyq, iu kam kërku vlerësim prej mjekëve, tre mjekë janë ata, edhe jam dalë para tre mjekëve, ata u shokuan, qysh more, qe sa vjet, qe 35 vjet në kolicë e tash po lujke me top ti me ta hek këtë kategori a, e ku ka kështu? Mirëpo po jetojmë ku po jetojmë edhe tash po duhet me duru”, ka thënë ai.
Rregullorja parasheh që përfituesit, të cilët me rregulloren e vjetër janë transferuar nga grupi i parë në të dytin, të kenë mundësi që brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e dokumentit të kërkojnë rivlerësim.
Pas përfundimit të këtij afati, personave u njihet vetëm statusi i personit paraplegjik ose tetraplegjik, pa të drejtën për kujdestar personal.
Por informata për këtë afat të caktuar nuk ka mbërritur te Veliu në Prizren.
“Nuk jam i informum as për ashtu, as kështu hiç”, ka thënë ai.
Vërejtje për mënyrën se si po zbatohet rregullorja kanë dhënë edhe në “Handikos”.
Përfaqësuesja e shoqatës, Afërdita Gashi, që merr pjesë në punimet e komisionit vlerësues në cilësinë e vëzhgueses, është shprehur se ka vërejtur refuzime ndaj personave që kanë paraqitur kërkesën për njohje të statusit në formë elektronike.
“E kemi pjesën e vlerësimit, kemi pakënaqësi të anëtarëve te pjesa që nuk i thirrin në vlerësim fizik... ka edhe mosha të reja kur ata e dinë që diagnoza e tyre është një diagnozë bazë ose progresive, ose që po shkakton dëme në vazhdimësi dhe nuk thirren në komision, d.m.th. mungesa që ata nuk e shohin personin, munden me e vlerësu vetëm nëpërmes dokumenteve nuk po e shoh ndoshta plotësisht të drejtë, pasi që kemi pasur ankesa deri më tani që ne kemi aplikuar, por na është kthyer në mënyrë elektronike që nuk na kanë thirrur në komision hiç”, ka deklaruar Gashi.
Në Ministrinë e Financave nuk u janë përgjigjur pyetjeve lidhur me aplikimet elektronike, kërkesat për rivlerësim dhe rastet që janë në trajtim nga gjykatat.