Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Hiqet ndalimi për xhamat e errësuar në automjete

xhama të errësuar

Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshme dhe ka shfuqizuar disa dispozita të Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Punëve të Brendshme që kufizonin përdorimin e xhamave të errësuar në automjete.

Vendimi erdhi pas padisë së ngritur nga Organizata Joqeveritare “Marakli t’Kerreve” dhe Instituti “TriPika – Sport, Sociale, Ekonomi”, të cilët kërkuan shqyrtimin e ligjshmërisë së nenit 7 të Udhëzimit Administrativ për regjistrimin e mjeteve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Me aktgjykim, Gjykata Supreme shfuqizoi paragrafin 1, 3 dhe 4 të nenit 7, ndërsa la në fuqi paragrafin 2.

Sipas Gjykatës, legjislacioni në fuqi nuk ndalon në mënyrë të përgjithshme vendosjen e materialeve errësuese apo zëvendësimin e xhamave të automjeteve me xhama të errësuar. Përkundrazi, ligjet lejojnë modifikime të tilla, për sa kohë ato kalojnë procedurat e verifikimit teknik dhe atestimit sipas standardeve ligjore.

Gjykata konstatoi se dispozitat e shfuqizuara vendosnin kufizime që nuk parashiheshin në ligj. Njëra prej tyre lejonte xhamat e errësuar vetëm për automjetet që i kishin të instaluara nga prodhuesi, ndërsa një tjetër ndalonte në tërësi vendosjen e folieve errësuese në xhamat e automjeteve.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës, paragrafi 1 i nenit 7 vendoste një kufizim që nuk gjendet në ligj, duke lejuar xhamat e errët vetëm për automjetet që i kanë të instaluara nga prodhuesi, ndërsa paragrafi 3 ndalonte në mënyrë të përgjithshme vendosjen e folieve errësuese në xhamat e automjeteve. Gjykata vlerësoi se këto dispozita nuk përbënin thjesht zbatim apo konkretizim të ligjit, por krijonin kufizime të reja materiale që ligjvënësi nuk i kishte paraparë. Po ashtu, Gjykata konstatoi se paragrafi 4, i cili parashihte lejimin e përjashtimeve me vendim të Ministrit të Punëve të Brendshme, ishte i lidhur ngushtë me ndalimin e parashikuar në paragrafin 3 dhe, për rrjedhojë, nuk mund të qëndronte në fuqi pasi vetë ndalimi bazë rezultoi i paligjshëm”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Sipas vlerësimit të Gjykatës Supreme, organet administrative mund të nxjerrin akte nënligjore vetëm për zbatimin e ligjit dhe jo për krijimin e ndalimeve ose kufizimeve të reja që nuk mbështeten në autorizim të qartë ligjor.

Po ashtu, Gjykata vlerësoi se dispozitat e shfuqizuara krijonin trajtim të pabarabartë për automjete që ndodhen në situata të ngjashme, pa një bazë të mjaftueshme ligjore.

Ndërkaq, paragrafi 2 i nenit 7 mbeti në fuqi, pasi sipas Gjykatës ai ka karakter teknik dhe administrativ, duke rregulluar vetëm evidentimin e xhamave të errësuar në dokumentacionin e regjistrimit të automjetit, pa vendosur kufizime shtesë.