Në episodin e 27-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është aktivisti Rron Gjinovci.

 

Surroi: Zgjidhja e çështjes me Serbinë është obligim i gjeneratës sonë

2 o. më parë / 11 tet 2025 21:02
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi, në një diskutim në podcastin PIKË me aktivistin Rron Gjinovci, deklaroi se përfundimi i konfliktit me Serbinë është një detyrë historike dhe morale e brezit aktual.

“Është obligim i kësaj gjenerate, së cilës i përkas edhe unë, që ta kryejmë këtë çështje dhe të mos t’ua lëmë gjeneratave të ardhshme”, theksoi Surroi, duke shtuar se çdo njeri në vitet në vijim duhet të çlirohet nga barra e një problemi që ka zgjatur për dekada.

Sipas tij, konflikti i papërfunduar me Serbinë, ndonëse shteti i Kosovës është formalisht i konsoliduar në territor dhe në pushtet, vazhdon të ketë ndikim të thellë në mendimin politik dhe në perceptimin e sigurisë.

“Ky ka qenë dhe mbetet një problem i sigurisë. Dhe gjithmonë duhet të jemi të përgatitur që të jetë i tillë, përderisa nuk arrihet një marrëveshje paqeje me Serbinë”, u shpreh Surroi.

Ai e përkrahu pikëpamjen e Gjinovcit se Serbia është preokupimi kryesor politik i momentit, duke argumentuar se zgjidhja e kësaj çështjeje nuk mund të shtyhet më dhe është përgjegjësi historike e klasës politike dhe shoqërisë në tërësi.

Surroi: Ideja se arsimi shndërrohet në profit, e shndërron atë në fabrikë të prodhimit të diplomave

2 o. më parë / 11 tet 2025 20:47
Veton Surroi

Në një diskutim në podcastin PIKË me aktivistin Rron Gjinovci, publicisti Veton Surroi ngriti shqetësimin se arsimi në Kosovë po humb funksionin e tij thelbësor, duke u shndërruar në një sistem që prodhon diploma, jo dije.

“Ideja se arsimi shndërrohet në profit, e shndërron pastaj arsimin në fabrikë të prodhimit të diplomës, dhe ky është njëri prej problemeve thelbësore”, deklaroi Surroi, duke theksuar se kriza në arsimin e lartë nuk është vetëm teknike, por rrënjësisht strukturore dhe kulturore.

Ai vuri në dukje tri sfida kryesore që përballen universitetet në Kosovë sot: mungesa e një vizioni shtetëror për arsimin publik, kontrolli politik mbi universitetet, dhe mungesa e kuadrove cilësore përballë një shpërndarjeje të pakontrolluar të institucioneve të arsimit të lartë nëpër qytete të ndryshme.

Sipas Surroit, mungesa e elitarizmit akademik – dikur një standard i natyrshëm i universitetit – ka bërë që diploma të mos përfaqësojë më një vlerë të mirëfilltë intelektuale.

Në fund, ai theksoi se përballë revolucionit teknologjik, universiteti duhet të përshtatet urgjentisht me ndryshimet strukturore dhe shoqërore, në mënyrë që gjeneratat e reja të jenë të gatshme për tregun e punës së së ardhmes.

Kurti i dobët në qeverisje, por i fortë ndaj Serbisë – sipas Gjinovcit

3 o. më parë / 11 tet 2025 20:40
Rron Gjinovci

Në një bisedë në podcastin PIKË, aktivisti Rron Gjinovci ka shprehur mbështetjen për kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke e cilësuar atë si figurën e vetme që garanton një qasje të fuqishme të Kosovës në raport me Serbinë dhe ndërkombëtarët.

"Nuk mendoj që Albin Kurti din me qeverisë – e kam pa që s’din me qeverisë. E kam fjalën për shëndetësi, arsim – krejt janë aut. Por për mu është shumë me rëndësi zgjidhja e çështjes me Serbinë në favor të Kosovës, jo veç zgjidhja e çështjes me Serbinë", deklaroi Gjinovci, duke shtuar se vetëm Kurti i jep siguri se Kosova do të kërkojë maksimumin në këtë proces.

Gjinovci u shpreh se përkrahja për Kurtin nuk lidhet me performancën në qeverisje, por me rëndësinë strategjike të qëndrimit të tij ndaj Serbisë.

“Të tjerët i shoh me dyshim”, shtoi ai.

Publicisti Veton Surroi vlerësoi këtë qëndrim si një tregues të një jete politike të fragmentuar, të personalizuar dhe të ndërtuar mbi figura individuale, jo struktura të qëndrueshme politike.

Gjinovci: Nxënësit sot e kryejnë shkollën e mesme pa lexuar asnjë libër

3 o. më parë / 11 tet 2025 20:20
Rron Gjinovci

Në një diskutim në podcastin PIKË, aktivisti i njohur për çështjet e arsimit, Rron Gjinovci, ka ngritur shqetësime serioze për drejtimin që ka marrë arsimi në Kosovë, duke theksuar se një krizë e thellë po afron në nivel universitar.

“Sot fëmijët në Kosovë e kryejnë shkollën e mesme pa lexuar asnjë libër të letërsisë klasike”, u shpreh Gjinovci, duke theksuar mungesën totale të interesimit intelektual te gjeneratat e reja.

Ai përmendi se dikur, të lexuarit ishte pjesë përbërëse e identitetit të një të riu “cool”, ndërsa sot, efikasiteti dhe përfundimi sa më i shpejtë i shkollimit janë bërë prioritet.

Gjinovci vuri në pah edhe sfidën e teknologjisë si rrezik për universitetet, ku kurset online dhe mjetet si ChatGPT tashmë ofrojnë alternativa të shpejta dhe praktike për përvetësimin e njohurive, duke rrezikuar vlerën e diplomave tradicionale.

“Sot aftësitë që i merr në universitet, mund t’i marrësh nëpërmjet kurseve online, madje me planifikim më të mirë”, shtoi ai.

Publicisti Veton Surroi theksoi dimensionin njerëzor si vlerë shtesë që ende e bën të rëndësishëm rolin e profesorit, ndonëse pranoi se teknologjia ka transformuar rrënjësisht mënyrën se si mësojmë.