Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, është përplasur me hulumtuesin e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, duke thënë se opozita po përpiqet të shkojë në zgjedhje lokale duke e mbajtur Kuvendin në bllokadë. Por Jakaj u shpreh se partia fituese e zgjedhjeve është dashur të negociojë më herët për formimin e institucioneve.
“Refuzimi është kategorik i opozitës sepse e kanë qëllimin të shkojnë në zgjedhje lokale me Kuvend të bllokuar. Është synim politik. Thuaje bre, thuaje. Opozita deri tash ka pasur një farë lloj suksesi duke bllokuar konstituimin e Kuvendit. Ne po ofrojmë alternativa”, deklaroi Rrustemi në “Konfront” të KTV-së.
Sipas tij, Vetëvendosje ka bërë përpjekje për të dalë nga ngërçi institucional përmes propozimeve konkrete, por përballë ka pasur refuzim kategorik nga opozita.
E Jakaj u shpreh se faji nuk qëndron vetëm te opozita. Sipas tij, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka bashkëpunuar në kohën kur duhej – para datës 15 prill, duke e lënë të hapur mundësinë për përgjegjësi të ndarë në bllokimin aktual.
“LVV-ja nuk ka bashkëpunuar atëherë kur është dashtë, para 15 prillit”, u shpreh Jakaj.
Jakaj: Partitë po e lexojnë mbrapshtë aktgjykimin e Kushtetueses
Sipas hulumtuesit në IKD, Naim Jakaj, partitë politike po e lexojnë shtrembër aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka thënë se Kushtetuesja qartë vërteton se propozimi për votim të fshehtë është jokushtetues.
“Aktgjykimi është i brishtë dhe ka qenë i paguximshëm, për më tepër një pjesë e madhe është ligjëratë. Edhe për shkak të kontekstit aktual politik kanë ndërtuar një aktgjykim që për IKD-në nuk është shumë i paqartë. Zakonisht leximi i aktgjykimeve pre j politikë lexohet shtrembër dhe kjo prej partive pritjet janë që partitë e lexojnë në mënyrë jokorrekte”, ka thënë ai në “Konfront”.
Zekaj: Aktgjykim i Kushtetueses, i brishtë - shumë më i dobët se ai i 2014-s
Avokati Yll Zekaj ka vlerësuar si jashtëzakonisht të brishtë dhe të paqartë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 25 qershor, duke e krahasuar atë me aktgjykimin e vitit 2014, të cilin e konsideron më të fortë dhe më të guximshëm në përmbajtje.
“Ne kemi aktgjykim të Kushtetueses i cili është shumë më i brishtë, shumë më i paqartë se aktgjykimi i vitit 2014. Ai i vitit 2014 ka qenë më i qartë, ka përdorur gjuhë më të guximshme sesa ajo që kemi sot”, deklaroi Zekaj në “Konfront” të martën.
Sipas tij, përdorimi i një gjuhe më shumë diplomatike në aktgjykimin aktual nuk i shkon për shtat një vendimi të këtij niveli dhe e bën atë të cenueshëm nga keqinterpretimet.
“Pati gjuhë diplomatike. Nuk është gjuhë që duhet të përdoret posaçërisht në aktgjykimet e Kushtetueses. Sepse pastaj i jep mundësinë e keqpërdorimit të së drejtës së tyre apo të keqinterpretimit të tyre varësisht cilës parti i takojnë. Kjo po na ndodh tani”, shtoi avokati.
Zekaj kritikoi gjithashtu faktin se dispozitivi i aktgjykimit është i mangët dhe se, pavarësisht një arsyetimi prej 47 faqesh, nuk ofron qartësi të mjaftueshme për palët e përfshira dhe publikun e gjerë.
“Kemi një aktgjykim me një dispozitivë shumë të mangët dhe me arsyetim 47-faqësh, e cila nuk na tregon shumë”, përfundoi ai.
Rrustemi: Kushtetuesja nuk e ka trajtuar asnjë prej pretendimeve të opozitës
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se Gjykata Kushtetuese nuk e ka trajtuar asnjë prej pretendimeve të ngritura prej partive që në të kaluarën ishin në opozitë.
Ai ka shtuar se aktgjykimi jep një urdhër, që është konstituimi i Kuvendit. Rrustemi ka thënë tutje se Kushtetuesja nuk ka folur fare për mandatin e zyrtarëve qeveritarë që janë aktualisht deputetë dhe për përsëritjen e votimit të kandidates së VV-së për kryeparlamentare.
“Aktgjykimi ka një urdhër përfundimtar që obligon deputetët të kompletojnë konstituimin e Kuvendit. Aktgjykimi nuk i jep përgjigje pretendimeve të opozitës, madje as në pranueshmërinë e rastit nuk përdor bazën ose argumentet e pretenduesve të opozitës por as në merita nuk gjykon tri prej pretendimeve themelore që opozita ka ngritur si kontestime në Kushtetuese”, ka thënë ai në “Konfront”.