Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se moscaktimi i menjëhershëm i seancës konstituive të Kuvendit lidhet me përpjekjet për t'u dhënë hapësirë bisedimeve ndërmjet partive politike në funksion të krijimit të institucioneve.
Ai ka thënë se, ndonëse Kushtetuta parasheh që Kuvendi të konstituohet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve zgjedhore, ushtruesja e detyrës së presidentes duket se po u jep kohë partive për të arritur ndonjë dakordim para mbajtjes së seancës.
“Po i japim kohë dhe mundësi bisedimeve, nuk po thirret menjëherë, sepse edhe sot e nesër do të mund të mbahej kjo seancë konstituive. Nuk e di se kur do ta thërrasë ushtruesja e detyrës së presidentes, por me sa duket po u jep mundësi bisedimeve. Nëse arrihet ndonjë konkretizim para seancës, kjo do t’i kontribuonte efikasitetit të krijimit të institucioneve”, ka thënë Rrustemi për “Ekonomia Online”.
Seanca konstituive e Kuvendit ka kohë të thirret deri më 7 gusht.
Sipas tij, edhe nëse nuk arrihet marrëveshje para konstituimit të Kuvendit, procesi për zgjedhjen e presidentit nuk bllokohet, pasi Kushtetuta parasheh edhe 60 ditë të tjera për këtë çështje.
Rrustemi bëri të ditur se do të ketë takime të tjera ndërmjet partive politike, duke shtuar se ftesat për dialog do të vazhdojnë në përpjekje për të arritur marrëveshje për krijimin e institucioneve.
Ai shprehu shpresën që opozita të heqë dorë nga, siç e quajti ai, qasja bllokuese dhe nga ideja për të marrë pushtetin pa fituar zgjedhjet.
Edhe
Rrustemi: 5 marsi ishte pritje legjitime për zgjedhjen e presidentit, Kuvendi u shpërnda arbitrarisht
Në fund, deputeti i LVV-së foli edhe për LDK-në, duke thënë se kjo parti duhet ta pranojë pozicionin e saj aktual politik.
“LDK-ja është konfirmuar si partia e tretë në tri palë zgjedhje brenda 15 muajve. Si parti e tretë, ka peshë të rëndësishme në procesin e krijimit të institucioneve dhe duhet ta pranojë këtë rol”, u shpreh Rrustemi.
Gjatë ditës së djeshme, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se ka pezulluar bisedimet me LVV-në pas nismës për shkarkimin e tij. Po dje, KOHA raportoi se kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe Abdixhiku në takimin e së premtes ishin dakorduar në parim për një koalicion bashkëqeverisës.
-
Konstituimi i Kuvendit hyn në afat kushtetues, deputetët përballë 30 ditëve vendimtare
-
Haxhiu: Seancën konstituive do ta thërras brenda afatit kushtetues
-
Garë për president mes Haradinajt e një kandidati të VV-së, Rrustemi: Eliminon problemin e kuorumit
-
Rrustemi: Opozita po llogarit se s’ka ku shkon më poshtë, prandaj po provokon zgjedhje