Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Adem Salihaj, ka thënë se ka qenë e paarsyeshme qeverisja e PDK-së me LDK-në.
Ai e ka quajtur të papranueshëm bashkëpunimin mes të dyja partive për shkak të, siç ka thënë, vrasjeve politike.
“Dihen gjërat që janë vrarë shumë veprimtarë të LDK-së, që nuk kanë qenë as tradhtare as spiunë të Serbisë, janë vrarë nga strukturat kriminale të PDK-së. Tash LDK-ja të bëjë koalicion me një parti që ia ka vrarë veprimtarët më të devotshëm është krim. PDK-ja është përgjegjëse plotësisht, bashkë me AAK-në në disa pjesë të Kosovës, që kanë ndodhur këto vrasje”, ka thënë ai në Konfront.
Salihaj: Abdixhiku është anti-rugovist dhe anti-institucionalist, ja faktet
Anëtari i LDK-së, Adem Salihaj, ka thënë se kryetari Lumir Abdixhiku që kur ka marrë këtë pozitë ka bërë gabime. Sipas Salihajt gabimi i parë ka qenë kur e ka hequr fotografinë e presidentit historik Ibrahim Rugova.
Në emisionin “Konfront” në KTV, Salihaj tha se Abdixhiku është anti-rugovist sepse me atë gjest ka dashur të thotë që LDK-ja duhet të identifikohet me të.
“Para së gjithash, unë gati katër vite nuk kam folur asgjë e nuk kam qenë kritik ndaj Lumir Abdixhikut sepse kam pritur rezultate. Unë prita që ta shfrytëzoj ai mundësinë si kryetar i ri i kësaj partie. Prej momentit që është zgjedhur në krye të LDK-së, në intervistën e parë madje e tregoi një fytyrë tjetër që nuk duhej ta kishte. E hoqi fotografinë e presidentit historik Ibrahim Rugova. Siç konsiderohet, Abdixhiku me këtë veprim kishte dashur të thotë që LDK-ja tashmë e ka një fytyrë të re, e ka një kryetar të ri dhe LDK-ja duhet të identifikohet me fytyrën e Lumir Abdixhikut dhe jo të Ibrahim Rugovës. Gabim shumë i madh. Këtu e kam parë anti-rugovizmin”, ka thënë Salihaj.
Tutje anëtari i LDK-së ka thënë se kryetari Abdixhiku u tregua edhe anti-institucionalist kur nuk e votoi konstituimin e Kuvendit të Kosovës për muaj me radhë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Salihaj ka theksuar se nuk kishte logjikë veprimi i LDK-së, konkretisht i liderit të saj sepse me kushtetutë, kryetari i Kuvendit i takon partisë fituese.
“Në zgjedhjet e 9 shkurtit kur u krijua bllokada në Kosovë. Kuvendi i Kosovës është institucion i të gjitha partive politike dhe të gjithë deputetëve dhe e kanë obligim kushtetues ta konstituojnë. Është me kushtetutë që kryetari të vije nga partia fituese. Çfarë logjike ka që edhe LDK-ja të bëjë përpjekje e ta bllokojë konstituimin e institucionit më të rëndësishëm të Kosovës. Pra këtu shprehet anti-institucionalizmi i LDK-së. Konkretisht i liderit që i ka përcaktuar këto qëndrime”, ka deklaruar Salihaj në emisionin “Konfront” në KTV.
Salihaj: S'ka logjikë ajo që thotë Abdixhiku, po e polarizon më shumë LDK-në
Anëtari i LDK-së, Adem Salihaj, ka thënë se nuk ka asnjë logjikë ajo të cilën po e thotë kreu i LDK, Lumir Abdixhiku. Salihaj deklaroi se nuk mban në mend ndonjëherë që në Kuvend të ndonjë partie politike të votohet për dorëheqje.
Salihaj i LDK-së në emisionin “Konfront” në KTV, potencoi se dorëheqja është akt moral por që sipas Salihajt, kryetari Abdixhiku po shpreson se Kuvendi i LDK-së nuk do ta aprovojë dorëheqjen e tij.
“Lumir Abdixhiku nuk po e menaxhon mirë këtë situatë. Ai po ofron dorëheqje para Kuvendit të LDK-së dhe thotë do të votohet dorëheqja ime. Në praktikën e partive politike në Kosovë, nuk mbaj mend ndonjëherë të votohet për dorëheqje. Kjo është një praktikë që nuk ka ndodhur ndonjëherë. Shpresa e Lumir Abdixhikut është që të mos aprovohet dorëheqja e tij. S’ka asnjë logjikë sepse dorëheqja është akt moral në politikë. Asnjëherë nuk ka ndodhur as në institucione shtetërore as në parti politike”, ka thënë Salihaj.
Tutje Salihaj tha se nuk është situatë e mirë ajo të cilën po e krijon kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku sepse sipas tij, po krijon polarizim të ri brenda partisë.
“Disa lobojnë që të pranohet dorëheqja e tij disa lobojnë të mos pranohet. Unë mendoj që nuk është situatë e mirë kjo që po e krijon kryetari i LDK-së sepse e krijon një polarizim të ri brenda LDK-së. Pra një ndeshje të re, një përplasje. Për shembull Jehona Lushaku thotë se nuk duhet të jap dorëheqje kryetari Abdixhiku sepse ai nuk është përgjegjës. Por nëse nuk është kryetari kush është atëherë përgjegjës për humbje”, ka thënë Salihaj në “Konfront” të KTV-së.