Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Sot, 5 qershor, në Tivat të Malit të Zi organizohet samiti i liderëve të BE-së me ata të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila do ta përfaqësojë Kosovën në këtë ngjarje, ka thënë se do të kërkojë trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit. 

Në një njoftim të Presidencës është treguar qëndrimi që do të shprehë Haxhiu në samit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Në këtë samit, u.d. presidentja Haxhiu do të përfaqësojë Republikën e Kosovës dhe do të riafirmojë përkushtimin e vendit për integrim evropian, trajtim të drejtë dhe të barabartë në procesin e zgjerimit, si dhe bashkëpunim rajonal në funksion të paqes dhe stabilitetit”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Samiti mbledh udhëheqësit e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar për perspektivën evropiane të rajonit, Planin e Rritjes, si dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit.

Para samitit, shtetet e rajonit janë vizituar nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa. Të mërkurën ai ka qëndruar në Prishtinë, ku ka thënë se nëse Kosova përmbush obligimet e saj përkitazi me eurointegrimin, nuk do të ketë probleme nga ana e BE-së.

“Secili problem e ka kohën e vet. Jemi pajtuar në agjendën e reformave, në procesin drejt anëtarësimit në BE. Është shumë e rëndësishme që Kosova hap pas hapi të japë rezultate te ato që jemi pajtuar. Vlerësimi është që në fund të procesit më s’do të kemi asnjë problem nga ana e BE-së. Ajo që duhet për momentin është ky konsensus i madh kombëtar në lidhje me anëtarësimin në BE, e kjo mund të përkthehet në veprime konkrete”, ka thënë Costa.

Nga vendet e rajonit, vetëm Kosovës BE-ja nuk ia ka dhënë statusin e vendit kandidat. Problem për këtë vendimmarrje shihet fakti që shteti nuk është njohur nga pesë vende anëtare: Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.

Në samitin në Tivat, Kosova do të kërkojë të hiqen pengesat e kësaj natyre.

E, nisjes së samitit i kanë paraprirë tensione mes Malit të Zi dhe Serbisë.

Për shkaqe sigurie, autoritetet malazeze nuk ua kanë lejuar hyrjen në këtë shtet 87 serbëve me precedentë penalë e histori dhune në protestat në Serbi.

Të mërkurën, një ditë para Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat, ata janë kthyer mbrapsht nga autoritetet malazeze me po të njëjtin aeroplan – atë të kompanisë shtetërore “Air Serbia”.

Si kundërpërgjigje, Serbia ka arrestuar 30 shtetas malazezë në aeroportin e Beogradit dhe ua ka pamundësuar hyrjen shumë të tjerëve përmes pikave kufitare rrugore.

Samiti i së premtes pritet të jetë një nga ngjarjet më të rëndësishme diplomatike në historinë e Malit të Zi. Në të do të marrin pjesë liderë të lartë evropianë dhe rajonalë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, kryeministrin spanjoll Pedro Sanchez, presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa dhe presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Ndërkohë, në BE është konfirmuar se në samit nuk do të marrë pjesë Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, për shkaqe shëndetësore.

“Anëtarësimi i Malit të Zi në BE deri më 2028 – realitet”

2 o. më parë / 5 qer 2026 18:02
“Anëtarësimi i Malit të Zi në BE deri më 2028 – realitet”

Në një konferencë për media pas samitit të Bashkimit Evropian me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor, në Tivat të Malit të Zi, presidenti i Këshillit Evropian Antonio Costa, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq, kanë thënë se anëtarësimi i Malit të Zi në BE deri më 2028 është i mundshëm dhe synim realist.  

“Kemi treguar maturi dhe kemi përçuar mesazh se Mali i Zi është pjesë e Evropës. Ky samit tregoi se politika e zgjerimit është e rëndësishme dhe se është investim strategjik. Rruga evropiane e Malit të Zi ka kaluar në faza të ndryshme – suksesi, fatkeqësisht edhe stagnimi, por që nga 2023-a, qëllimi i Malit të Zi është që të anëtarësohet deri më 2028, dhe ka qenë projekt kombëtar. Besoj fuqishëm që ky qëllim është i realizueshëm dhe i arritshëm”, ka thënë Milatoviq.

Costa ndërkaq ka thënë se BE-ja është komunitet i vlerave dhe aleancë e suksesit. Ai ka thënë se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor është prioritet i BE-së. “Rajoni është pjesë e Evropës dhe mendoj se sot u dërgua një mesazh i fuqishëm”, ka thënë ai.

E Von der Leyen ka thënë se diskutimet e sotme treguan se sa të fuqishme janë lidhjet mes BE-së dhe rajonit dhe se s’bëhet fjalë vetëm për premtim për të ardhmen, por për drejtim strategjik.

Samiti BE-Ballkani Perëndimor në Tivat përfundon pa deklaratë të përbashkët

3 o. më parë / 5 qer 2026 17:47
Samiti BE-Ballkani Perëndimor

Në Tivat të Malit të Zi ka përfunduar pjesa zyrtare e samitit BE-Ballkani Perëndimor. Në fund të samitit nuk u miratua një deklaratë e përbashkët, por Bashkimi Evropian doli me një komunikatë, në të cilën u tha se liderët evropianë mirëpritën reformat që po vazhdojnë dhe riafirmuan përkushtimin ndaj procesit të zgjerimit të BE-së, të bazuar në merita.

Në komunikatën pas samitit u theksua se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal mbeten thelbësore për përfitimin e të gjitha avantazheve të integrimit më të afërt. Po ashtu, u nënvizua rëndësia e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes.

Po ashtu u diskutua për ofertat konkrete të BE-së për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë “korsitë e gjelbra”, përparimin drejt integrimit në Tregun e Përbashkët të BE-së dhe në sistemin SEPA (Zona e Vetme e Pagesave në Euro), si dhe investimet në vazhdim për lidhjen digjitale në mbarë rajonin.

Duke u mbështetur në këtë përparim, gjatë samitit u theksuan edhe mundësi të reja për bashkëpunim, lëvizshmëri dhe ndërlidhje në rajon.

Përmes komunikatës u njoftua për nisjen e një bashkëpunimi më të ngushtë ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë Kibernetike, me qëllim forcimin e qëndrueshmërisë ndaj kërcënimeve kibernetike.

Nisja e një programi të ri të mobilitetit, i financuar nga BE-ja së bashku me Shkollën Rajonale për Administratë Publike, do t’u mundësojë deri në 100 nëpunësve civilë nga Ballkani Perëndimor të fitojnë përvojë profesionale në administratat e shteteve anëtare të BE-së.

Po ashtu, u bë i ditur edhe synimi i Komisionit Evropian që programin DiscoverEU, i cili përfshin ofrimin e biletave falas të udhëtimit për të rinjtë 18-vjeçarë, ta zgjerojë për të rinjtë nga të gjitha vendet e rajonit duke filluar nga viti 2027.

U konfirmua gjithashtu se Komisioni Evropian ka përgatitur hapat e radhës drejt krijimit të marrëveshjeve për roaming ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Në komunikatë u konfirmua po ashtu se BE-ja, nga Plani i Rritjes për vendet e rajonit, nga viti 2024 e deri më tani ka shpërndarë 673.6 milionë euro. Ndërkaq, liderët e rajonit u inkurajuan që të shfrytëzojnë sa më shumë mundësitë që ofron Plani i Rritjes, duke zbatuar reformat brenda afateve të parashikuara.

Ky plan i BE-së për periudhën 2024-2027, në vlerë prej 6 miliardë eurosh, synon qëllim përshpejtimin e afrimit ekonomik të rajonit me BE-në dhe mundësimin e qasjes graduale të tij në pjesë të tregut të përbashkët, para anëtarësimit të plotë. /REL

Haxhiu: Është koha që BE-ja të bashkohet për t’i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat

3 o. më parë / 5 qer 2026 17:41
Albulena Haxhiu

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka thënë se ka ardhur koha që Bashkimi Evropian të bashkohet dhe t’i jap Kosovës statusin e vendit kandidat, më shumë se tri vjet pasi aplikoi për anëtarësim.

Në fjalimin para liderëve evropian në samitin BE – Ballkani Perëndimor, Haxhiu u shpreh se zgjerimi i Bashkimit Evropian duhet të shihet si domosdoshmëri strategjike për paqen, sigurinë dhe stabilitetin e kontinentit, veçanërisht në kontekstin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe shtimit të kërcënimeve hibride në Evropë dhe në rajon.

“Kosova është ndër shoqëritë më proevropiane në rajon. Ne kemi dëshmuar përkushtimin tonë përmes reformave, përputhjes së plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, si dhe kontributit tonë për paqen dhe stabilitetin rajonal”, ka thënë ajo para liderëve evropianë, sipas njoftimit të Presidencës.

Ajo nënvizoi se përparimi i Kosovës duhet të njihet edhe në procesin e integrimit evropian, duke shtuar se më shumë se tri vjet pas aplikimit për anëtarësim, është koha që BE-ja të bashkohet rreth vendimit për statusin e vendit kandidat për Kosovën dhe hapjen e negociatave të anëtarësimit.

“Kosova nuk kërkon rrugë të shkurtra. Kërkojmë një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në meritë. Procesi i anëtarësimit ka fuqi transformuese për demokracinë, institucionet dhe ekonominë, prandaj është koha që Kosova të marrë hapin e radhës”, theksoi Haxhiu.

Në fjalën e saj, Haxhiu mirëpriti edhe vendimin e BE-së për hapjen e negociatave për integrim në zonën “Roam Like at Home”, si dhe hapat drejt integrimit gradual në kuadër të Planit të Rritjes dhe Tregut të Përbashkët Rajonal. Ajo theksoi se integrimi gradual duhet t’i shërbejë qëllimit përfundimtar: anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.

U.d. presidentja po ashtu theksoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, zbatimit të marrëveshjeve të arritura dhe trajtimit të barabartë të të gjitha shteteve në rrugën evropiane, pa pengesa politike kur standardet e BE-së janë përmbushur.

Duke folur për sigurinë rajonale, ajo theksoi se sfidat e sigurisë në Ballkanin Perëndimor duhet të trajtohen me qartësi dhe përgjegjësi. Në këtë kontekst, Haxhiu rikujtoi se pothuajse tri vjet pas sulmit terrorist në Banjskë, ende nuk ka drejtësi për policin e vrarë të Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa kryesi kryesor, Milan Radoiçiq dhe grupi i tij paramilitar vazhdojnë të jenë të lirë dhe të mbrojtur nga Serbia.

“Në përmbyllje, u.d. Presidentja Haxhiu riafirmoi se Kosova është e gatshme të vazhdojë reformat, të thellojë bashkëpunimin me Bashkimin Evropian dhe të kontribuojë në një Ballkan Perëndimor më të sigurt, më demokratik dhe më të integruar në familjen evropiane. Ajo theksoi se trajtimi i barabartë i pakicave është vlerë evropiane, e sanksionuar në traktatet e Bashkimit Evropian, dhe se të gjitha shtetet duhet t’u përmbahen standardeve evropiane për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pakicave”, thuhet në njoftim.

Kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE? Rama: Tri gjëra janë të paparashikueshme: Zoti, seksi, BE-ja

5 o. më parë / 5 qer 2026 15:46
Edi rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se Evropës i duhet një “moment i Helmut Kohlit”, duke bërë thirrje që vendet e rajonit të trajtohen si pjesë e familjes evropiane. 

Shqipëria, Kosova, Bosnja, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia e kërkojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian prej vitesh, por ende nuk kanë arritur t’i përmbushin kushtet e nevojshme. Megjithatë, Shqipëria dhe Mali i Zi janë më përpara në këtë rrugëtim. 

Rama para fillimit të samitit BE-Ballkani Perëndimor në Tivat është pyetur se kur do të anëtarësohet Shqipëria në BE, e ai është përgjigjur se nuk mund ta dijë. 

“Janë tri gjëra që nuk mund t’i parashikosh: Zotin, seksin dhe  BE-në”, i është përgjigjur pyetjes Rama. 
 

Haxhiu: Një BE më e gjerë është përgjigja më e fortë ndaj atyre që duan paqëndrueshmëri në Evropë

6 o. më parë / 5 qer 2026 14:33
haxhiu

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka theksuar rëndësinë e përfshirjes së Kosovës në proceset evropiane dhe ka kërkuar trajtim të barabartë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Në deklarimin e saj para mediave, ajo theksoi se e ardhmja e rajonit është brenda Bashkimit Evropian. Pjesëmarrjen e Kosovës në këtë samit Haxhiu e quajti shumë të rëndësishme. 

“Siç e dini, sot do të diskutojmë tema të rëndësishme që lidhen me sigurinë dhe zgjerimin e BE-së. Duhet të theksoj se e ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian. Bashkimi Evropian i bashkuar dhe më i gjerë është përgjigjja më e fortë ndaj atyre që duan të krijojnë paqëndrueshmëri në Evropë”, u shpreh ajo.

Haxhiu ka thënë se Kosova ka bërë reforma të rëndësishme dhe se po punon për të ardhmen evropiane, duke qenë plotësisht në përputhje me forumin e BE-së dhe politikën e sigurisë.

“Nga ky samit presim diskutime të frytshme nga të gjithë përfaqësuesit dhe rezultate pozitive. Kjo është arsyeja pse Kosova meriton pyetësorin, statusin e kandidatit dhe hapjen e negociatave. Duhet të theksoj se integrimi në BE nuk është vetëm një proces teknik. Ka të bëjë me prosperitetin, ka të bëjë me paqen, demokracinë dhe dinjitetin për Evropën dhe për popullin tonë”, ka thënë Haxhiu.

 

Von der Leyen: Duhet ta bëjmë procesin e zgjerimit më të shpejtë dhe të besueshëm

8 o. më parë / 5 qer 2026 12:32
leyen

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se procesi i zgjerimit është i bazuar në merita dhe nëse shtetit i përmbushin kriteret e kërkuara ecin përpara dhe bëhen anëtare të Bashkimit Evropian. Ajo ka përgëzuar Shqipërinë dhe Malin e Zi në këtë drejtim. 

Von der Leyen nga Tivati ku pritet të nisë samiti BE-Ballkani Perëndimor ka theksuar se ekziston momentumi që të lëvizet drejt integrimit. 

“Zgjerimi bazohet në meritë, por të qenit i bazuar në meritë nuk do të thotë të jetë i ngadalshëm. Ne duhet ta bëjmë procesin e zgjerimit më të shpejtë dhe më të besueshëm. Dhe procesi i zgjerimit duhet të jetë më i dukshëm. Vendet kandidate duhet t’u shpjegojnë qytetarëve të tyre përfitimet e zgjerimit, por edhe nga ana jonë, shtetet anëtare duhet t’u shpjegojnë qytetarëve tanë përfitimet e zgjerimit. Dhe ky është komponenti strategjik. Zgjerimi do të thotë më shumë siguri, më shumë prosperitet dhe një rol më të madh të Evropës në botë. Ekziston momentumi. Tani duhet ta shndërrojmë këtë momentum në lëvizje dhe këtë lëvizje në anëtarësim”, ka thënë ajo para mediave.

 

Franca dhe Gjermania propozojnë integrim gradual të Ballkanit Perëndimor në BE

10 o. më parë / 5 qer 2026 10:50 Nga: Radio Evropa e Lirë
Friedrich Merz

Në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor, Gjermania dhe Franca e kanë paraqitur një të ashtuquajtur non-paper, përmes të cilit propozojnë integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë në programet dhe politikat e Bashkimit Evropian.

Qëllimi i kësaj nisme është përshpejtimi i integrimit të vendeve kandidate dhe dhënia e një shtyse të re për reforma.

Dokumenti franko-gjerman, i përgatitur nga kabinetet e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, niset nga vlerësimi se politika e zgjerimit ka nevojë për një impuls të ri politik.

Propozimi pritet të jetë një nga temat e diskutimit në samitin BE–Ballkani Perëndimor, që zhvillohet sot në Tivat të Malit të Zi.

Bëhet fjalë për nismën e dytë të kancelarit gjerman Merz lidhur me politikën e zgjerimit, pasi në maj ai doli me propozimin për “zgjidhje kreative” për vendet e përfshira në procesin e anëtarësimit në BE.

Njëkohësisht, kjo është nisma e parë e përbashkët e Francës dhe Gjermanisë, dy prej shteteve më me ndikim në BE, kushtuar së ardhmes së procesit të zgjerimit.

Non-paper është dokument joformal që përdoret në qarqet diplomatike evropiane për paraqitjen e ideve të reja, testimin e qëndrimeve ose propozimin e zgjidhjeve, pa e detyruar palën që e paraqet atë të marrë qëndrim formal.

Qasja e propozuar franko-gjermane bazohet në integrimin gradual të vendeve kandidate në politikat dhe institucionet evropiane, duke ruajtur parimin se përparimi varet nga rezultatet e reformave.

Sipas dokumentit, qëllimi i nismës është thjeshtimi i procesit të tanishëm të negociatave, zvogëlimi i pengesave procedurale dhe mundësimi i hapjes më të shpejtë të kapitujve negociues, kur për këtë ekzistojnë rekomandime nga Komisioni Evropian.

Autorët e dokumentit theksojnë se modeli i propozuar nuk është zëvendësim për anëtarësimin e plotë dhe as zgjatje e procesit të anëtarësimit, por një përpjekje për të përshpejtuar reformat dhe për t’u mundësuar qytetarëve të vendeve kandidate të ndiejnë përfitime konkrete nga integrimi evropian edhe para pranimit formal në BE.

Sipas propozimit franko-gjerman, fokusi më i madh duhet të vihet te përmbajtja e reformave dhe më pak te hapat proceduralë.

Dokumenti propozon krijimin e një strategjie të posaçme paraanëtarësuese, e cila do t’u mundësonte vendeve kandidate përfitime më konkrete edhe para anëtarësimit të plotë.

Mekanizmat e paraparë do të lidheshin me përparimin në reforma, por do të mbeteshin të kthyeshëm në rast të kthimit prapa në fushën e sundimit të ligjit ose shmangies nga vlerat themelore të BE-së.

Komisionit Evropian i kërkohet të përgatisë propozime që do ta lehtësonin një integrim të tillë gradual.

Ndër propozimet konkrete është mundësimi i qasjes së privilegjuar në tregun e përbashkët të BE-së, si dhe përfshirja graduale e përfaqësuesve të vendeve kandidate në punën e institucioneve evropiane, përmes statusit të vëzhguesit në takime të caktuara.

Si niveli më i lartë i integrimit gradual përmendet pjesëmarrja e plotë në tregun e përbashkët, sipas modelit të një Hapësire të zgjeruar Ekonomike Evropiane, me kusht që vendi kandidat të miratojë dhe zbatojë legjislacionin evropian në fushat kyçe të negociatave dhe të mbyllë përkohësisht kapitujt përkatës negociues.