Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Saraqi: Nagip Krasniqi nuk pati preferenca për ndonjë operator të caktuar

Nagip Krasniqi

Menaxherja për planifikim strategjik në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Arjeta Saraqi gjatë dhënies së dëshmisë së saj në rastin kundër ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka deklaruar se Krasniqi nuk kishte preferencë për ndonjë operator të caktuar.

Sipas saj i akuzuari për “Keqpërdorim të Detyrës Zyrtare” dhe “Zbulim të Fshehtësisë Zyrtare” Nagip Krasniqi gjatë udhëheqjes së KEK-ut kishte respektuar parimet e kësaj korporate që përfshijnë; çmimi më i lirë të ketë përparësi, operatori të jetë serioz dhe puna të kryhet shpejt.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Këto përgjigje Saraqi i dha gjatë marrjes në pyetje nga Vyrtyt Ibrahimaga avokati i të akuzuarit, Nagip Krasniqi.

“Jo nuk mund të them se ka pasur preferencë “, ka deklaruar Saraqi.

Sipas saj, ish-kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Nagip Krasniqi, ka respektuar parimet e KEK-ut për çmim të lirë, operator serioz dhe kryerje të punës brenda afatit.

“Si drejtorëve të tjerë që kam punuar si e Krasniqi ka qenë një parim në KEK që unë e kam pas gjatë punës çmimi më i lirë me pas përparësi, operatori serioz dhe me u krye brenda afatit sepse krejt projektet tona janë që kanë pasoja në furnizim të energjisë elektrike. Krasniqi në këtë rast ka qenë ai që i ka respektuar dhe unë sa di gjatë punës time këto kriteret, njëjtë sikurse edhe pasardhësit e tij”, tha ai.

Pyetje për menaxheren e planifikimit strategjik në KEK, Arjeta Saraqi parashtroi edhe prokurorja, Fikrie Zejnullahu e cila u interesua të di nëse dëshmitares i kujtohen aktivitetet e prokurimit për Kalldajën e Bllokut A5.

Lidhur me këtë, Saraqi e cila ishte shefe e kabinetit të Nagip Krasniqit deklaroi para trupit gjykues se i kujtohet ky aktiviteti i cili siç shprehet ajo, ka kaluar të gjitha procedurat tjera.

“Më kujtohet aktiviteti. Edhe lidhur me këtë aktivitet si gjithë të tjerat pa ndonjë ndarje apo veçanti kanë qenë të njëjta pranimi i kërkesave, delegimi për aprovim, mandej njoftimi se është në rregull ejani merreni ose që ka pas vërejtje plotësojeni rregullojeni si gjithë të tjerat”, ka deklaruar Saraqi

E pyetur nga prokurorja se a ka qenë pjesë e takimit kur është diskutuar për aktivitetin për riparimin e Kalldasë të Bllokut A5, Saraqi nuk e përjashtoi mundësinë që kur është diskutuar në vija të përgjithshme ka qenë e pranishme.

Në pyetjen e prokurores Zejnullahu se a njihte Isuf Zejnën, Saraqi pohoi se e njeh të akuzuarin Zejna pas një ftese që ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i kishte ardhur nga Policia e Kosovës dhe për të cilën i akuzuari Krasniqi kishte përgatitur një autorizim për Isuf Zejnën që t’i përgjigjej shkresës së Policisë.

“Personin Isuf Zejna e kam takuar ose e njoh me një rast kur drejtorit, Krasniqi i ka ardhur një ftesë nga Policia dhe ia kam dorëzuar dhe aty e ka përgatitur një autorizim për personin në fjalë Isuf Zejna për t’iu përgjigjur shkresës në Polici...100%. Kur ka qenë në zyre kam folur, mirëdita kur ka ardhur”, tha ajo.

Kur u pyet se a dinte pozitën që mbante Isuf Zejan, dëshmitarja, Arjeta Saraqi e mohoi atë.

Në pyetjen e prokurores për aktivitetin e prokurimi për angazhimin e një kompanie konsulent ligjor në vitin 2023, dëshmitarja, Saraqi deklaroi se Nagip Krasniqi kishte kërkuar angazhim të një konsulenti ligjor dhe kërkesën për procedura të mëtejme i kishte plotësuar ajo.

“Kryeshefi Nagip Krasniqi ka kërkuar që të përgatitet një kërkesë për angazhimin e një konsulenti ligjor. Edhe sipas kërkesës të kryeshefit janë mbushur format apo fletat unë i kam plotësuar ato forma dhe është dorëzuar kërkesa në prokurim, pastaj ka vazhduar tutej si krejt tjerat me u zhvillua prej fazave tjera”, tha ajo.

E kur u pyet se kjo kërkesë a është dashur të bëhej nga kryeshefi i KEK apo nga Zyra Ligjore e KEK, Saraqi tha se nuk e di se nga kush do të duhej të vinte, ndërsa theksoi se shuma e kësaj kontrate ishte 60 mijë euro me sa i kujtohet.

Menaxherja për planifikim strategjik në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), Arjeta Saraqi mohoi ta ketë ditur që Isuf Zejna ishte këshilltar i ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.

“Ka mund të më thotë kryeshefi nëse e kam pyetur se kush është me më thënë këshilltari im nuk po e di. Se nuk kam pasur si ta kuptojë sepse nuk është diskutuar çështja e Isufit kush është çka është qysh është nuk më ka interesuar”, deklaroi ajo.

Prokurorja, Zejnullahu u interesua të di se më parë KEK a kishte nënshkruar ndonjë kontratë me konsulent ligjore, për çka dëshmitarja, Saraqi deklaroi se Tetra-Tech ka qenë kompani konsulente si projekt i Ambasadës Amerikane në mbështetje të KEK-un.

Pyetje karshi dëshmitares parashtroi edhe kryetari i trupit gjykues, Rraham Beqiri i cili pyeti se a kishte vërejtur Saraqi se nga Nagip Krasniqi karshi drejtorit për Prokurim në KEK kishte presion për punën e tij, ajo mohoi këtë gjë.

Në fund të seancës së sotme trupi gjykues mori vendim që të dëgjohet si dëshmitar bashkëpunues, Ymer Dragusha pasi që dëshmia e tij e mbështet aktakuzën.

Edhe në seancën fillestare të mbajtur më 15 janarit 2026, ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi dhe Isuf Zejna u deklaruan të pafajshëm. Në këtë rast ishte i akuzuar edhe Ymer Dragusha, i cili ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë.

Sipas aktakuzës, ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, së bashku me Ymer Dragushën dhe Isuf Zejnën, akuzohet për dëmtim të buxhetit të shtetit me rreth 37 milionë euro.

Kjo aktakuzë nga Prokuroria Speciale u ngrit më 30 dhjetor 2024. Ndërsa, ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, gjykohet edhe në një rast tjetër ku akuzohet për korrupsion po ashtu në Korporatën Energjetike të Kosovës. /Kosovapress