Nënkryetarja e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Vjollca Shala, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se subvencionimi nga Ministria e Arsimit prej 80 eurosh për tekste dhe materiale mësimore nuk i mbulon nevojat reale të nxënësve.
Ajo tha se edhe procesi i aplikimit ka filluar me vonesë, vetëm pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, duke theksuar se edhe shumë prindër kanë vështirësi me procesin e aplikimit përmes platformës e-Kosova, gjë që po krijon pasiguri tek ta dhe nxënësit për sigurimin e teksteve në kohë.
“Këtë vit, me sa ne e kemi parë, ka filluar aplikimi për subvencion pak ndoshta me vonesë, pasi 1 shtatori është shumë afër. Disa prindër nuk kanë njohuri të mjaftueshme se si të aplikohet për subvencionim. Po në të njëjtën kohë edhe subvencionimi, i cili është duke u bërë në shumë prje 80 eurove, nuk është i mjaftueshëm, ngase librat për nxënësit e këtyre klasave nga klasa e parë deri në klasën e nëntë shpeshherë janë më të shtrenjta. Do të thotë nuk e përmbushin kërkesën dhe nevojën ato 80 euro për t’ju blerë tekste shkollore e mos të flasim për mjetet tjera”, tha Shala.
Ajo ngriti shqetësime edhe për përdorimin e librave nga gjeneratat e kaluara, të cilat shpeshherë janë të plotësuara dhe nuk kontribuojnë në cilësinë e mësimdhënies.
“Kur është fjala për zëvendësim të teksteve me tekste e viti të kaluar ato janë të plotësuara nga nxënësit që i kanë përdorur vitin e kaluar dhe nxënësit, të cilët do t’i përdorin këtë vit i marrin si të plotësuara, andaj edhe nëse fëmijës i jepet një detyrë që e ka zgjidhjen aty, atëherë sa ai nxënës do të mendojë për ta zgjedhur atë detyrë, të cilën e ka të gatshme të zgjedhur, që do të thotë që lë shumë për të dëshiruar çështja e ngritjes së cilësisë në arsim me libra të plotësuar”, tha ajo.
Shala shtoi se procesi i rimbursimit është i vonuar dhe kjo po ndikon drejtpërdrejt në mbarëvajtjen e vitit shkollor.
“Meqenëse është bërë aplikim, por akoma nuk e dimë a ka filluar rimbursimi me mjete, por edhe nëse ka filluar është shumë vonë ngase është paksa e vështirë që të arrijnë të gjithë prindërit e fëmijëve të Kosovës, gjithë nxënësve të Kosovës që diku i kemi rreth 203,000 nxënës në këtë vit shkollor të pajisen me libra dhe mjete të tjera mësimore që javën e parë. Unë e them që javën e parë e mos të flasim që ditën e parë. Derisa viteve të kaluara kur u blenin librat dhe u dërgoni në shkolla para 1 shtatorit, që me 1 shtator mësimdhënësit kishin për detyrë vetëm t’ua shpërndanin klasave të tyre ato libra. Që do të thotë që me 1 shtator nxënësit ishin të pajisur me libra”, tha ajo.
Duke u bazuar në përvojën e dy viteve të fundit, Shala ka thënë se edhe pas subvencionimit, shumë nxënës kanë shkuar pa libra gjatë gjithë vitit shkollor.
Ndërkohë, Ministria e Arsimit ka njoftuar se nga data 15 gusht, mund të aplikohet për subvencionimin e teksteve dhe materialeve mësimore përmes platformës e-Kosova. Për vitin shkollor 2025/2026, do të ndahen 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore, ndërsa me të njëjtën shumë do të subvencionohen nxënësit nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore.
Sipas MAShTI-t, brenda gjashtë ditëve të para të hapjes së aplikimit janë pranuar gjithsej 144,337 aplikime përmes platformës e-Kosova dhe deri më tani nuk është pranuar asnjë ankesë nga prindërit. Ky është viti i tretë radhazi që Ministria e Arsimit aplikon këtë formë të subvencionimit.
MASHTI të hënën ka dhënë numrat kontaktues në rast se ka vështirësi gjatë procesit të aplikimit.
“Të nderuar mësimdhënës, prindër dhe koordinatorë. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit njofton se, në rast se gjatë procesit të aplikimit për tekste dhe mjete shkollore hasni në ndonjë vështirësi teknike, mund të na kontaktoni në këta numra të telefonit dhe adresë elektronike: +383 (0) 38 200 65 058; +383 45 834 248; [email protected]. Orari i kontaktit: 08:00 – 16:00. Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj!” – ka njoftuar MASHTI./EO