Arbëri

Kurti nuk siguron votat për qeveri, Kosova drejt zgjedhjeve të reja

3 o. më parë Dështon “Kurti 3”
7 o. më parë Matet Kurti

Kuvendi i Kosovës nuk e ka zgjedhur Qeverinë e re. Propozimi për Kurti 3 mori vetëm 56 vota pro. 52 votuan kundër e 4 abstenuan. 

Kryeparlamentari Dimal Basha ka thënë se tash përgjegjësia kalon te presidentja Vjosa Osmani. 

Në prezantim të programit, mandatari Albin Kurti ka thënë se nuk ka arritur marrëveshje me asnjë parti tjetër për bashkëqeverisje. Ai ka kërkuar votën nga partitë tjera për të “vazhduar qeverisjen e mirë”. Në prezantim ai tregoi edhe emrat e 20 ministrave me të cilët synonte të siguronte shumicën.

Tash presidentja Vjosa Osmani pritet të mbledhë liderët e partive dhe të konstatohet nëse ka ndonjë shumicë, apo duhet të shkohet në zgjedhje.

Kjo ishte hera e parë që një mandatar për kryeministër dështon në votim. Në të gjitha proceset e deritashme të formimit të qeverisë, që nga viti 2001, mandatarët janë zgjedhur me shumicë votash me të parën në propozim: Bajram Rexhepi në 2002-n, Ramush Haradinaj në 2004-n, Bajram Kosumi në 2005-n, Agim Çeku në 2006-ën, Hashim Thaçi në 2008-n dhe 2010-n, Isa Mustafa në 2014-n, Ramush Haradinaj në 2017-n, Albin Kurti në 2020-n dhe 2021-n, si dhe Avdullah Hoti në 2020-ën. Votimi për Hotin u kontestua, meqë rezultoi se një deputet nuk kishte të drejtë të zgjidhej, e për rrjedhojë vota e tij që ishte përcaktuese për zgjedhjen, u konsiderua jokushtetuese.

Kushtetuta e Kosovës përcakton që nëse përbërja e propozuar e Qeverisë së re nuk e merr shumicën e nevojshme të deputetëve, presidenti i Kosovës duhet të emërojë një mandatar të dytë për kryeministër brenda dhjetë ditësh, i cili i ka gjasat më të mira për të formuar Qeverinë.

Pas dështimit, partitë opozitare kanë thënë se nuk do ta bëjnë shumicën dhe se vendi duhet të bëhet gati për zgjedhje.

E sipas Kushtetutës, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga data e thirrjes.

Deklaratat dhe të gjitha zhvillimet i gjeni këtu

Kadrijaj: Saga e izolimit të vendit mori fund

2 o. më parë / 26 tet 2025 12:53
Time Kadrijaj

Time Kadrijaj, deputete e AAK-së, ka thënë se Albin Kurti kishte thënë nga fillimi që deputetët duhet ta votojnë kryeparlamentarin sepse ai i ka votat për qeveri.

Sipas saj, sot është parë një Albin Kurti i “urtë, e i përkushtuar”.

“Sot e pranoi se ai e ka pranuar marrëveshjen e Asociacionin madje edhe aneksin e marrëveshjes. Tash është një etapë e re. Nuk ka më Qeveri Kurti 3. Kjo sagë dhe izolimi i vendit nuk do të vazhdojë”, ka thënë ai.

Murati: Në të kaluarën ishte e mundshme të ketë bashkëpunim përmes terminaleve e pozitave në ambasada

2 o. më parë / 26 tet 2025 12:40
Hekuran Murati

Hekuran Murati

Photo: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pas dështimit që Qeveria Kurti 3 t’i sigurojnë numrat e mjaftueshëm, deklaroi se interesi shtetëror sot mori pozitën e dytë. 

Sipas Muratit, në të kaluarën ka qenë më e mundur të ketë bashkëpunim, duke akuzuar se koalicionet janë lidhur përmes terminale e pozitave në ambasada.

“Opozita është ajo që na ka zvarritur tash e sa muaj. Ky është një paradoks në vetvete. Është tragjike për demokracinë e një vendi. Kemi një situatë ku modeli i bashkëpunimit që kemi ofruar ne është refuzuar. Ndoshta në të kaluarën ka qenë më e lehtë që të gjendet bashkëpunim përmes terminaleve doganore, përmes pozitave në ambasada të caktuara dhe përmes edhe ryshfeteve e korrupsioneve të tilla të ngjashme”, deklaroi Murati.

Tutje Murati tha se kanë ofruar edhe Qeveri pa Listën Serbe, parti të cilën partitë e tjera e prisnin deri në orët e vona t’ia votonin Qeverinë me instruksione të Beogradit.

“Kemi ofruar Qeveri pa Listën Serbe në të. Qeveri që nuk e pret Listën Serbe me orë të tëra derisa të vije nga Beogradi me instruksione që ka marrë nga atje si ta sabotoj Republikën e Kosovës. Kemi ofruar marrëveshje që nuk parasheh që në tre katër muajt e parë të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, deklaroi Murati.

Murati tutje ka folur edhe për propozimin e Albin Kurtit që Dimal Basha të jetë Ministër i Infrastrukturës. Ai tha se “Dimal Basha ka qenë prej fillimit i përcaktuar si ministër por siç e dini kemi qenë të kushtëzuar nga opozita ta propozojmë për kryetar kuvendi dikë që s’ka qenë ministër në Qeverinë Kurti 2”.

Spahiu: Do ta vazhdoj kontributin aty ku mendoj se duhet

2 o. më parë / 26 tet 2025 12:38
fatmir spahiu

Ka reaguar aktori Fatmir Spahiu, i cili është propozuar për ministër të Kulturës dhe Turizmit nga Albin Kurti, kabinet ky që nuk i mori votat.

Në një postim në Facebook, Spahiu ka thënë se para disa ditëve ka pranuar propozimin e Kurtit që ai ta marrë këtë post.

“Para do dite pra edhe me një konfirmim pozitiv nga ana ime, sot në mëngjes, duke pas bindje të plotë se do ta kry mirë këtë punë, i konfirmova Kryeministrit Kurti se do të pranoj ftesën për pozitën Ministër i Kulturës dhe Turizmit. Pavarësisht që nuk u votu, e falënderoj zotin Kurti që tek unë ka pa një profesionist që do ta kryente mirë këtë detyrë. Sidomos për përzgjedhjen e një personi që nuk është anëtar i ndonjë partie politike”, ka shkruar ai.

Ai ka thënë se do ta vazhdojë kontributin e tij aty ku mendon se duhet, e edhe kur nuk i kërkohet.

“Do të vazhdoj me promovu gjuhën e butë me respekt të ndërsjelle si deri tash! Do të vazhdoj me punu për me qenë Kosova e para! Përkundër dëshirës time me dhanë një kontribut kjo pune nuk u bë. Mandej dorën në zemër prites pak me shkru me “ë” - ja rregullisht, plus ish dashtë me pagu chatgbt pro. Për hir të sinqeritetit i kam bo gati dy statusa, ai i votimit ka qenë me i gjatë pak, kështu që më mirë për lexuesin ky që u postu se me i shkurtë! I propozuari për Ministër, në një mëngjes vjeshte në Prishtinë”, ka shkruar Spahiu.

 

Limaj: Hap i pamjaftueshëm, Basha s’duhet të ketë asnjë post publik

3 o. më parë / 26 tet 2025 12:23
Fatmir Limaj

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se është fatkeqësi që kjo po ndodhë që 8 muaj, duke aluduar në bllokimin e institucioneve.

Duke përmendur propozimet e Kurtit për kabinet qeverisës ai ka  thënë se: “është e pamjaftueshme largimi institucional i Bashës nga posti i kryetarit të Kuvendit”.

“Është hap i mirë, por i pamjaftueshëm. Dimal Basha nuk duhet të ketë asnjë post publik dhe ai duhet të japë dorëheqje sepse është dëm i madh për Kosovën”, tha Limaj, pas seancës. “Ne sot kemi shkuar në Parlament kur ka parashtresë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai duke shtuar se ka dyshime nëse Kuvendi është i konstituuar.

Ka thënë se ka abstenuar dhe do të jenë konsistent në qëndrimin e tyre.

Limaj ka thënë se janë treguar të hapur që nga fillimi.

Bajrami: Në zgjedhjet e ardhshme do të punojmë të dalim të parët, Qeverinë pa LVV-në

3 o. më parë / 26 tet 2025 12:22
Hykmete Bajrami

Photo: Driton Paçarada

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, pas përfundimit të seancës së Kuvendit të Kosovës, në të cilën dështoi formimi i Qeverisë së re, tha se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të punojnë që të dalin të parët dhe si preferencë kanë që edhe qeverinë ta bëjnë pa Lëvizjen Vetëvendosje.

“Në zgjedhjet e reja ne do të punojmë shumë që të dalim partia e parë dhe mandej preferojmë që vendit t’i japim një qeveri pa Lëvizjen Vetëvendosje. Ndërkohë zhvillimet bëhen dhe për të gjitha koalicionet njoftoheni me kohë”, deklaroi Bajrami.

Gjithashtu Bajrami tha se tha opozita s’ka interesim të bëjë qeveri, prandaj sipas saj kanë propozuar qeveri të përkohshme.

“Ne nuk kemi ndryshuar mendim, ne kemi pasur mendim që vendit edhe gjatë kësaj periudhe i është dashur një qeveri e ish-partive opozitare. Ne kemi biseduar me partitë e minoriteteve dhe na kanë thënë se nuk iu japim mbështetje andaj si ka pasur askush numrat dhe gjithashtu e kemi pasur parasysh që në mars na duhen 80 vota për pozitën e presidentit. Pra, nuk i kemi pasur numrat”, deklaroi Bajrami.

Krasniqi: Kurti më nuk do të jetë kryeministër, opozita s’mund ta bëjë qeverinë

3 o. më parë / 26 tet 2025 12:20
Krasniqi: Kurti më nuk do të jetë kryeministër, opozita s’mund ta bëjë qeverinë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Albin Kurti më nuk do të bëhet kryeministër i Kosovës, pas dështimit të dielën për të marrë shumicën e votave në Kuvend.

Ai ka thënë se për krizën në Kosovë fajtor janë Kurti dhe Vetëvendosje.

“Kemi pasur 9 muaj bllokadë dhe sot u vërtetua ajo që kemi thënë nga hera e parë. Albin Kurti nuk i ka numrat. 56 vota për dhe asnjë më shumë. Albin Kurti më nuk do të jetë kryeministër. As prej 9 shkurtit e as prej zgjedhjeve të ardhshme. Koha e qeverisjes së tij ka marrë fund”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se nuk do të synojnë të formojnë shumicë nga opozita.

Dështon “Kurti 3”

3 o. më parë / 26 tet 2025 12:11
Kurti 3

Photo: Driton Paçarada

Ka dështuar të votohet Qeveria” Kurti 3”.

Për ishin 56 vota, kundër 52 dhe katër abstenime.

PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja ftojnë Kurtin të matet, thonë se nuk e votojnë

3 o. më parë / 26 tet 2025 12:00
LIVE: Seanca për formimin e Qeverisë së re

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se kanë kaluar mbi 8 muaj që janë bllokuar nga siç ka thënë, sjelljet arbitrare që kanë fituar zgjedhjet.

Ai ka thënë se koha e fjalëve ka marrë fund.

Sipas tij, duhet të verifikohet ajo që VV-ja ka deklaruar se kanë arritur shumicën parlamentare.

“Tani ju bëjmë ftesë që tash ta dëshmoni këtë përgjegjësi”, ka thënë ai.

Ndërkaq kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk sheh asgjë sot kur mandatari e pranoi se nuk e ka shumicën.

Sipas tij, sot do të duhej të lindte thelbi i demokracisë, mazhoranca politike.

“Në këtë mungesë njohjeje bazike të arsyes pse jemi mbledhur sot, dëgjuam një përmbledhje pune fiktive që e kemi kry në legjislaturën e kaluar. Tani së paku minimalisht do të duhej të kishim dinjitet. Mungesa e këtij dinjiteti, ka sjell në shkelje të paimagjinueshme 48 herë të Kushtetutës së Kosovës. Mungesa e këtij dinjiteti ka sjell në situatën ku një deputet është edhe kryeministër e ministër”, ka thënë ai.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se fjalimin e Kurtit e ka parë si shfajësim për gjendjen e vendit.

Ka shtuar se si AAK-ja nuk e shohin të arsyeshme që të debatojnë për një program qeverisës, për të cilën, sipas tij, Kurti nuk e paraqiti.

Ai e ka quajtur Kurtin “produkt të luftës hibride të armiqve tanë”.

Murati: Duhet të ketë Kurti 3, zgjedhjet opsion i keq

3 o. më parë / 26 tet 2025 11:56
Hekuran Murati

Hekuran Murati

Photo: Driton Paçarada

I propozuari për ministër të Financave, Hekuran Murati ka thënë është seancë që materializon procesin zgjedhor. Sipas tij, LVV-ja ka ofruar bashkëpunimin me të gjitha subjektet që ka menduar që do të bashkëpunojnë.

Ka thënë se duhet gjithsesi të ketë Qeveri “Kurti 3” duke deklaruar se zgjedhjet janë opsioni më i keq i mundshëm.

Sipas tij, duhet lënë anash inatet.

Kabineti me të cilin synohej "Kurti 3"

3 o. më parë / 26 tet 2025 11:50
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka prezantuar kabinetin me të cilën synon të qeverisë edhe për katër vjet.

Emrat dhe ministritë:

Zv. kryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme – Glauk Konjufca

Zv. kryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë – Donika Gërvalla

Zv. kryeministër i tretë për çështje të pakicave dhe bashkëpunim ekonomik – Fikrim Damka

Ministër i Financave dhe Ekonomisë – Hekuran Murati

Ministër për Familje dhe Mirëqenie Sociale – Andin Hoti

Ministër i Mbrojtjes – Ejup Maqedonci

Ministër i Punëve të Brendshme – Xhelal Sveçla

Ministër i Administratës Publik dhe Digjitalizimit - Lulzon Jagxhiu

Ministër i Shëndetësisë – Arben Vitia

Ministër i Arsimit – Avni Zogiani

Ministër i Kulturës dhe Turizmit – Fatmir Spahiu

Ministër i Sportit dhe Rinisë – Blerim Gashani

Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal – Rasim Demiri

Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Fitore Pacolli

Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural – Armend Muja

Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit – Dimal Basha

Ministre e Tregtisë, Industrisë dhe Integrimeve Evropiane – Mimoza Kusari-Lila

Ministre e Energjisë dhe Minierave – Artane Rizvanolli

Ministër për Komunitete dhe Kthim – Nenad Rashiq

Ministër për Zhvillim Rajonal – Sejnur Vejshall

Kurti: Më votoni për interes publik e shtetëror, jo partiak

4 o. më parë / 26 tet 2025 11:20
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Mandatari për kryeministër, Albin Kurti, ka thënë se nuk ka arritur të sigurojë koalicion për të qeverisur. Ai ka thënë se asnjë prej partive që u ka bërë ftesë nuk kanë pranuar marrëveshje bashkëqeverisjeje.

Kurti ka kërkuar votën që të qeverisë për të mundësuar vijimësi të institucioneve për të votuar buxhetin e vitit të ardhshëm.

“Asnjëra nga partitë parlamentare të cilave u bëmë ftesë nuk ka pranuar që të hyjë në bashkëqeverisje, megjithëse vota e qytetarit kishte përcaktuar që të kishte koalicion. Po të pranohej oferta, sot do t’i kishim ofruar vendit qeverinë, por do ta kishim numrat që ta kalonim edhe sfidën e presidentit”, ka thënë ai në fillim të prezantimit. “Ky votim sot nuk është thjesht formalitet politik, por përgjegjësi shtetërore. Pa votimin e Qeverisë së re, Republika rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja, pa shumë institucione funksionale, pa buxhet të miratuar për vitin e ardhshëm. Kjo do të nënkuptonte rrezikim të pagave për shërbyesit publikë, pensionet, shtesat për fëmijët, furnizimit me barna, furnizimin e organeve të rendit dhe sigurisë. Një vend pa buxhet është një vend që nuk mund të ecë përpara”.

“Në mungesë të Kuvendit të këtyre muajve, kanë mbetur 33 agjenci pa mbikëqyrje. Ngjashëm pa qeveri, është një ditë humbje për zhvillimi, qytetarin dhe shtetin. Nëse nuk votohet qeveria e re, do të zgjatet qeveria në detyrë. Sot nuk jemi këtu për të ndarë pushtet, ndonëse kemi pasur oferta të sinqerta për partitë. Ftoj secilin deputet që të votojë jo për interes partiak, por për interes publik dhe shtetëror”, ka shtuar ai.

Kurti ka numëruar edhe ato që ka thënë se do të jenë pesë vendimet e para, po që se merr besimin e deputetëve.

“Miratimi i projektligjit të buxhetit 2026, vendimi për caktimin e pensionit minimal në vlerë prej 150 euro që prek 200 mijë pensionist, vendimi për rritjen e shtesave për fëmijë me 50 për qind, vendimi për rritjen e pagës minimale në 500 euro dhe miratimi i ndryshmit të plotësimit të ligjit që mundëson heqjen e kufizimit të punësimit në sektorin privat për veteranët”, ka thënë ai.

“Katër vitet e fundit kemi ndërtuar me krejt cka kemi ditur e mundur. Kemi pasur rritjen ekonomike më të lartë në rajon me rritje mesatare mbi 6 për qind. Sfidën e inflacionit kemi ditur ta menaxhojmë. Kemi shtuar punësimin dhe kemi rritur edhe të ardhurat e familjeve. Kemi bërë shumë punë të mira por kemi edhe shumë të tjera që na presim. Kemi liberalizuar vizat në zonat shengen. Kemi përmirësuar imazhin e vendit”, ka thënë ai teksa ka kërkuar nga partitë tjera bashkëpunim në çështje madhore.

“Është në dorën tuaj që ta na mundësoni qeverisjen e mirë. Ne jemi vendi më demokratik në rajon. Institucionet tona janë të ndërtuara mbi vullnetin qytetar dhe ky standard duhet të ruhet. Roli i Kuvendit duhet të forcohet në mbikëqyrjen e Qeverisë”, ka deklaruar Kurti.

Nis seanca për formimin e Qeverisë së re

4 o. më parë / 26 tet 2025 11:16
seanca

Photo: Driton Paçarada

Ka nisur me mbi një orë vonesë seanca për formimin e Qeverisë.

Disa nga deputetët janë mbledhur që nga ora 11.

Para hyrjes, deputetët e opozitës janë shprehur pesimistë që Kurti i ka votat për formimin e Qeverisë.

Kinolli: Kemi arritur marrëveshje me LVV-në

4 o. më parë / 26 tet 2025 10:30
Deputeti i Kuvendit nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Albert Kinolli,

Deputeti i Kuvendit nga Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Albert Kinolli, ka thënë se kanë arritur marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.

Kinolli deklaroi se e kanë përzgjedhur kandidatin për ministër nga partia e tij.

“Ne kandidatin e kemi këtu për ministër. Besoj që do të reflektojë dikush. Me rëndësi që institucionet të formohen. Jemi të gatshëm që me i pranu përgjegjësitë”, tha ai para seancës.

Berisha: Jemi kontaktuar nga Kurti, s’do të jemi bllokues

4 o. më parë / 26 tet 2025 10:27
Veton Berisha

Deputeti nga komuniteti joshumicë Veton Berisha, ka thënë se është kontaktuar nga mandatari për kryeministër Albin Kurti, gjatë së shtunës.

Ai nuk ka treguar nëse kanë folur për ndonjë pozitë specifike, porse ka shtuar se nuk do të jenë bllokues.

“Kemi diskutuar por të shohim sot propozimet si janë. Kemi pas mbrëmë kontakt, kemi taku kryeministrin, ta shohim sot se si është situata. Nuk jemi bllokues asnjëherë[“, ka thënë ai.

Haradinaj: Zgjidhja e vetme – zgjedhjet

5 o. më parë / 26 tet 2025 10:14
Ramush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se epilogu i seancës së jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë “Kurti 3” do të jetë dështim.

Ai tha se e vetmja zgjidhje, mbeten zgjedhjet.

“Po shihet që epilogu i ditës sotme do të jetë dështim. Zgjidhja e vetme me sa kuptojë mbetën zgjedhjet sepse nuk ka ndonjë ofertë”, tha Haradinaj nga holli i Kuvendit.

Limaj: Qëndrimet i kemi publike, s’na ka kontaktuar Kurti

5 o. më parë / 26 tet 2025 10:07
Fatmir Limaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj ka thënë se qëndrimet i kanë publike dhe ato nuk kanë ndryshuar duke lënë të nënkuptohet se nuk do ta votojë Qeverinë Kurti III.

Ai ka thënë se nuk është kontaktuar orëve të fundit nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Qëndrimet i kemi publike, jo nuk na kanë kontaktuar”, ka thënë shkurt Limaj.

Haradinaj: Do të tentohet votimi i fshehtë

5 o. më parë / 26 tet 2025 09:56
Daut Haradinaj

Daut Haradinaj

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka folur para mediave duke hyrë në Kuvendin e Kosovës për seancën e sotme të qeverisë së re. Teksa është pesimist se Kurti mund t’i ketë numrat për formimin e qeverisë, Haradinaj tha se do të tentohet edhe për votim të fshehtë.

“Duket që nuk jemi një qeveri programore që e kërkon Kosova por më shumë do të ketë qeveri të pazareve sesa programore, për këtë arsye jemi në këtë gjendje. Nëse kanë arritur gjatë natës pazare individuale ajo mbetet të shihet por mesa kam informacione do të tentohet një votim i fshehtë për shkak të ndonjë kontrabande individuale të deputetëve”, ka deklaruar Haradinaj.

Tahiri i bindur që Kurti nuk i ka votat

5 o. më parë / 26 tet 2025 09:50
Abelard Tahiri

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri para fillimit të seancës për zgjedhjen e Qeverisë së Kosovës, ka thënë se është i bindur që mandatari Albin Kurti nuk i ka votat.

Ai u ka thënë mediave se pas dështimit të sotëm të Kurtit, të gjithë duhet të respektojnë procedurat, por nëse PDK-do të tentojë të bëjë qeverinë, kjo mbetet për t’u vendosur në të ardhmen./ksp

Para nisjes së seancës, Sveçla uron për Qeverinë “Kurti 3”

5 o. më parë / 26 tet 2025 09:44
Xhelal Sveçla

Photo: Ekonomia Online

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla gjatë hyrjes në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës ka lënë të kuptohet se i kanë numrat për formimin e qeverisë sot.

Kjo pasi para mediave ai e bëri “për hajr” Qeverinë.

“Për hajër ju koftë Kurti 3”, tha Sveçla.

Megjithatë, Sveçla nuk dha më shumë detaje.

Paraprakisht, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nëse sot nuk votohet Qeveria, vendi do të shkojë në zgjedhje. E sipas Muratit nëse shkohet në zgjedhje do të rrezikohen shumë procese.

“Por a janë të gatshëm deputetët e opozitës që ta çojë vendin në zgjedhje dhe të rrezikojnë qëndrushmërinë e shtetit vetëm e vetëm për ta kundërshtuar Albin Kurtin”, ka shkruar ai në Facebook.

Por kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, para se të filloj seanca tha se një njëri që del i pari në zgjedhje do të duhej të bënte përpjekje me të gjitha partitë politike, e jo ta linte ditën e fundit.

Ai ka thënë se “punët e mira nuk lihen ditën e fundit” dhe se “sot do të bie perdja e mashtrimit të madh 8-mujor”.

Gashi: Kam frikë se vendi do të hyjë në krizë buxhetore

5 o. më parë / 26 tet 2025 09:41
Arben Gashi

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se nuk e beson që dikush jashtë vullnetit të partisë do të votojë për formimin e Qeverisë.

Ai ka thënë se është çështje delikate votimi i Qeverisë pa marrëveshje politike paraprake.

“Unë kam frikë se vendi do të hyjë në krizë buxhetore. Partitë politike pas ditës së sotme nëse dështon qeveria të shohim, a do të shkojmë në zgjedhje a të bëhet një qeveri e përkohshme që të kalojë buxheti ose ndonjë marrëveshje ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Abdixhiku: Punët e mira nuk lihen ditën e fundit, sot bie perdja e mashtrimit

5 o. më parë / 26 tet 2025 09:35
abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se sot nuk votohet një ligj i zakonshëm, por mandatari duhet të prezantojë shumicën.

Sipas tij, një njëri që del i pari në zgjedhje do të duhej të bënte përpjekje me të gjitha partitë politike, e jo ta linte ditën e fundit.

Ai ka thënë se “punët e mira nuk lihen ditën e fundit” dhe se “sot do të bie perdja e mashtrimit të madh 8-mujor”.

Ka shtuar se ditën e fundit, është show populist.

“Deputetët e LDK-së janë të lirë të votojnë si të duan por kanë deklaruar se pa marrëveshje politike nuk ka kuptim të jetë shumica. Duhet të ketë mazhorancë që për katër vite të udhëheqë Qeverinë”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se Kurti nuk ka arritur të bëjë shumicë.

Murati: Shkuarja në zgjedhje rrezikon shumë procese, sot të shikohet interesi shtetëror

6 o. më parë / 26 tet 2025 09:22
Hekuran Murati

Hekuran Murati

Photo: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nëse sot nuk votohet Qeveria, vendi do të shkojë në zgjedhje.

Në një status në Facebook, Murati ka shkruar se nëse shkohet në zgjedhje do të rrezikohen shumë procese.

“Në seancën e sotme janë dy mundësi, ose do të kemi Qeveri Kurti 3 ose vendi do të shkojë edhe njëherë në zgjedhje duke rrezikuar shumë procese si Buxheti, Plani i Rritjes i BE-së, funksionimi i institucioneve të pavarura etj. Opsioni i dëshiruar për ne natyrisht që është opsioni i parë.  Por a janë të gatshëm deputetët e opozitës që ta çojë vendin në zgjedhje dhe të rrezikojnë qëndrushmërinë e shtetit vetëm e vetëm për ta kundërshtuar Albin Kurtin”, ka shkruar ai në Facebook.

Murati ka thënë se uron që sot të triumfojë arsyeja dhe vullneti politik te secili deputet për të zgjedhur interesin shtetëror para së gjithash.

Matet Kurti

7 o. më parë / 26 tet 2025 08:01
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Albin Kurti do ta paraqesë para deputetëve të dielën, përbërjen e kabinetit qeveritar që synon ta ndërtojë, e edhe programin e qeverisë. Por, është mandatari i parë për kryeministër që del të “matet” në seancë, pa e siguruar paraprakisht shumicën.

Lëvizjes Vetëvendosje së cilës i prin Kurti, i duhen së paku edhe pesë vota që të sigurojë minimumin e nevojshëm prej 61 sosh për votimin e suksesshëm të Qeverisë së re.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, kjo parti ka siguruar 48 ulëse në Kuvend. Përkrahje ka edhe prej shtatë deputetëve të komuniteteve pakicë joserbe, si dhe të Nenad Rashiqit.

Një ditë para mbajtjes së seancës për formimin e Qeverisë së re, mandatari për kryeministër nuk ka treguar nëse i ka siguruar votat shumicën e votave në Kuvendin që përbëhet prej 120 deputetësh. Pas një aktiviteti që ka zhvilluar gjatë ditës, ai është pyetur nga gazetarët për marrëveshje të mundshme koalicioni, por nuk është përgjigjur.

Seanca plenare është paraparë të mbahet sot nga ora 10:00.

Në Lëvizjen Vetëvendosje e kanë përjashtuar mundësinë e bisedimeve me subjektin e dytë për kah fuqia e votës, Partinë Demokratike (PDK), dhe e lënë derën hapur për bashkëpunim me Lidhjen Demokratike (LDK) dhe me Nismën Socialdemokrate.

Por, në LDK e kanë refuzuar çdo lloj bashkëpunimi. E këtë e ka konfirmuar sërish të shtunën deputetja e kësaj partie, Hykmete Bajrami.

“Mua nuk më ka kontaktuar askush nga Lëvizja Vetëvendosje, teksa anëtarët e tjerë të partisë nuk i kam pyetur. Por qëndrimi i LDK-së nuk ka ndryshuar”, ka thënë Bajrami, një prej kritikeve më të mëdha të Vetëvendosjes dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

E, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës, ka konfirmuar këtë javë se nuk do të votojë për Qeverinë Kurti 3. Ai ka qenë ndër politikanët që ka negociuar me Kurtin për marrëveshje koalicioni, por sipas zyrtarëve të Vetëvendosjes, kërkesa e tij ka qenë e papranueshme. Limaj, partia e të cilit ka tre deputetë në këtë legjislaturë, nuk ka kërkuar hise në qeveri, por vetëm postin e kryeparlamentarit. Ndërkaq, Vetëvendosja ia ka ofruar atë të nënkryetarit të Kuvendit dhe dy pozita zëvendësministri.

Në të gjitha proceset e deritashme të formimit të qeverisë, që nga viti 2001, mandatarët janë zgjedhur me shumicë votash me të parën në propozim: Bajram Rexhepi në 2002-n, Ramush Haradinaj në 2004-n, Bajram Kosumi në 2005-n, Agim Çeku në 2006-ën, Hashim Thaçi në 2008-n dhe 2010-n, Isa Mustafa në 2014-n, Ramush Haradinaj në 2017-n, Albin Kurti në 2020-n dhe 2021-n, si dhe Avdullah Hoti në 2020-ën. Votimi për Hotin u kontestua, meqë rezultoi se një deputet nuk kishte të drejtë të zgjidhej, e për rrjedhojë vota e tij që ishte përcaktuese për zgjedhjen, u konsiderua jokushtetuese.

Për vështirësi në formimin e Qeverisë, Kurti ka folur më herët në një tubim me diasporën në Londër.

“Këto ditët e mbetura jemi duke komunikuar, jemi duke biseduar. Nuk është e lehtë sepse nuk di se si tu shpjegoj... Pak e keni ndje dhe ju vet por është intosikuar atmosfera. Ka shumë xhelozi e inate, më shumë se ide, punë e pasion, por jemi ku jemi tash këtu. Do të përpiqemi ta bëjmë qeverinë, por si duket alternativa do të shkojmë në zgjedhje prapë”, ka thënë ai.

Por, profesori i shkencave politike, Dritëro Arifi, vlerëson se problemi qëndron tek Vetëvendosja, së cilës subjektet e tjera ngurrojnë t’i bashkohen në qeverisje.

“Më duket që Kurti ose po e bën qëllimshëm, ose e ka humbur kuptimin pse qëndron aty. Qe 10 muaj diskutojmë a janë numrat, a s’janë”, ka thënë ai.

Kushtetuta parasheh që në rast se përbërja e propozuar e Qeverisë nuk e merr shumicën, atëherë presidenti duhet që brenda dhjetë ditësh ta emërojë një mandatar të dytë. Bazuar në aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, caktohet mandatari nga cilado parti që dëshmon se e ka shumicën në Kuvend. Por, edhe partitë oponente të Vetëvendosjes, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, kanë shprehur qëndrimin se nuk kanë vota dhe nuk kanë arritur të sigurojnë shumicën, për ta lënë jashtë qeverisë LVV-në.

Presidentja Vjosa Osmani, në një intervistë për Deutsche Welle në gjuhën shqipe, ka paralajmëruar se do t’i ftojë të gjitha partitë për konsultime, në rast se formimi i qeverisë dështon të dielën.

“Nëse s’ka marrëveshje, si presidente, do t’i ftoj të gjitha partitë politike nëse ka mundësi që dikush të krijojë shumicën. Mendoj se është herët të flasim për zgjedhje të jashtëzakonshme, por është alternativë nëse nuk krijohet shumica”, ka thënë Osmani.

Edhe mandatari i dytë, në rast të emërimit, do t’i ketë 15 ditë kohë për t’ia propozuar Kuvendit përbërjen e Qeverisë dhe programin e saj. Nëse as kjo përpjekje nuk rezulton me sukses, presidenti shpall zgjedhje të reja të cilat duhet të mbahen brenda 40 ditëve nga dita e shpalljes.

Dinamika politike mund të ndikohet edhe nga një vendim eventual i Gjykatës Kushtetuese, lidhur me ankesën e Listës Serbe për moszgjedhjen e asnjërit prej 9 deputetëve të saj nënkryetar Kuvendi. Në rast se deri të dielën Kushtetuesja vendos masë të përkohshme, Kuvendi nuk mund të marrë veprime në funksion të formimit të qeverisë.

Shkaku i dallimeve politike, edhe konstituimi i Kuvendit është bërë tek para dy javësh, ndonëse zgjedhjet janë mbajtur në fillim të shkurtit.