Arbëri

Serbia thotë se ka arrestuar dy shtetas të Kosovës me pretendimin për krime lufte

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq

Autoritetet serbe kanë raportuar se kanë arrestuar dy shtetas të Kosovës në pikën kufitare të Horgoshit me dyshimin për krime lufte të kryera në Kosovë në vitin 1999.

Kjo u bë e ditur nga Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq.

Siç raportohet, të arrestuarit janë X. E. (1976) dhe B. E. (1973). Siç deklaroi ai, ata u  arrestuan me të hyrë në Serbi.

Sipas mediave serbe. ky është njoftimi i parë publik nga Ministri i Brendshëm në lidhje me arrestimet gjithnjë e shpeshta të ish-anëtarëve të UÇK-së që kalojnë nëpër Serbi.

“Dyshohet se më 9 gusht 1999, në Rahovec, në bashkëpunim me disa anëtarë të të ashtuquajturës ‘UÇK’, me përdorimin e forcës fizike, armëve të zjarrit dhe kërcënimeve serioze për jetën dhe gjymtyrët, ata rrëmbyen një civil të kombësisë serbe, J. M., dhe e çuan në një drejtim të panjohur, që nga ajo kohë çdo gjurmë e tij është humbur. J. M. ende figuron si person i zhdukur. Të dyshuarve, me miratimin e prokurorit publik të Zyrës së Prokurorit Publik për Krime Lufte, u është urdhëruar paraburgimi deri në 48 orë, pas së cilës do të sillen në prokurorinë kompetente me një kallëzim penal”, thuhet në njoftimin e MPB-së serbe.

KOHA është duke pritur informata nga Ministria e Punëve të Jashtme, dhe sapo t’i marrë teksti do të përditësohet.