Arbëri

Shala: Shpërfillja e vendimit të Supremes për pensionistët mund të çojë në përgjegjësi penale

pensionistët

Institucionet e Kosovës rrezikojnë të bien në përgjegjësi penale nëse vazhdojnë të shpërfillin vendimin e Gjykatës Supreme për heqjen e obligimit të pensionistëve që të lajmërohen çdo gjashtë muaj për të dëshmuar se janë gjallë, ka vlerësuar Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

Duke folur në “Interaktiv” të KTV-së, Shala ka theksuar se praktika aktuale e lajmërimit të pensionistëve përbën shkelje të dinjitetit të tyre dhe tashmë është konstatuar si e tillë edhe nga Avokati i Popullit.

“Shteti aktualisht nuk ka Udhëzim Administrativ të vlefshëm që mund ta zbatojë, sepse këto dispozita janë shpallur të pavlefshme nga Gjykata Supreme. Duhet të miratohet një Udhëzim Administrativ i ri që obligon institucionet publike ta verifikojnë në mënyrë proaktive statusin jetësor të pensionistëve”, ka deklaruar Shala.

Gjykata Supreme para më shumë se një muaji liroi nga obligimi i lajmërimit çdo gjashtë muaj në Zyrat Pensionale përfituesit e pensionit kontributpagues të moshës, pensionit invalidor, pensionit të paaftësisë së përhershme dhe pensionit familjar. Gjykata rekomandoi që institucionet të gjejnë mënyra për të vërtetuar nëse një pensionist është gjallë.

Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi, institucionet vazhdojnë ta zbatojnë praktikën e vjetër. Gjatë ditës së djeshme, KOHA ka raportuar se vendimi i Supremes po shpërfillet, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta për pensionistët.

Një rast konkret është ai i pensionistit Bajram Maloku, i cili gjatë vitit 2025 ka humbur rreth 2 mijë euro pension, pasi për shkak të problemeve shëndetësore nuk ka mundur të paraqitet me kohë në zyrat e pensioneve.

Por hulumtuesi i IKD-së ka thënë se në asnjë rrethanë nuk mund të ndërpritet pagesa e pensioneve. Sipas tij, vetëm pasi të shterohen të gjitha mundësitë për verifikim dhe pensionisti nuk lajmërohet, institucioni mund ta suspendojë pagesën, por në asnjë rrethanë ta ndërpresë atë. Ai shtoi se në raste të tilla, pagesat duhet të bëhen në mënyrë retroaktive.

“Qasja që po ndjekin institucionet rrezikon të bie në përgjegjësi penale, qoftë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, qoftë për moszbatim të vendimeve gjyqësore. Për këtë arsye, Ministria e Financave duhet të marrë veprime të shpejta për ta adresuar këtë situatë”, ka theksuar Shala.

Raportimi i KOHËS: