Arbëri

Shala tregon pikën e kthesës në raportet Kosovë - SHBA

Blerim Shala

Gazetari dhe aktivisti politik Blerim Shala ka vlerësuar se raportet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës hynë në një fazë vendimtare në fund të viteve ’80 dhe fillim të viteve ’90, duke u shndërruar më pas në një përkrahje të fuqishme dhe të qëndrueshme për çështjen e Kosovës.
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Shala ka thënë se në atë periudhë edhe Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Jusuf Zejnullahu, u rreshtua me atë që ai e quajti “Alternativa kosovare”, e cila gëzonte autoritet moral te qytetarët.

Sipas Shalës, ftesa në Washington dhe kontaktet e drejtpërdrejta me institucionet amerikane përbënin një “boost” të madh politik për Kosovën, ku rol kyç luajti edhe lobi shqiptaro-amerikan. Ai kujtoi pritjen e jashtëzakonshme në Washington dhe dëshminë në Senat, ku përballë delegacionit serb të udhëhequr nga Dobrica Qosiq, Kosova u përfaqësua nga Ibrahim Rugova dhe një delegacion prej rreth 15–16 vetash.

“Kjo ka qenë një pikë kthese në raportet mes nesh dhe Amerikës. Prej aty fillon një përkrahje e madhe për Kosovën, e pakrahasueshme në SHBA, sepse dy krahët e politikës amerikane nuk janë përplasur kurrë për Kosovën, por kanë garuar se kush po ofron më shumë mbështetje”, u shpreh Shala.
Ai theksoi se reagimi më i fuqishëm i lobit shqiptar dhe i politikës amerikane erdhi pas 5 korrikut 1990, kur Serbia mbylli institucionet e Kosovës dhe e shpalli de jure okupimin. Shala përmendi vizitën e Delegacionit të Shtatë Senatorëve amerikanë, të kryesuar nga Bob Dole dhe Alfonse D’Amato, në Prishtinë, pavarësisht situatës së tensionuar dhe mungesës së sigurisë.

Sipas tij, mesazhi i senatorit D’Amato për të mos u futur në luftë dhe për të pritur momentin e duhur ishte një porosi e rëndësishme dhe vizionare për udhëheqjen dhe shoqërinë kosovare, duke dëshmuar se përkrahja amerikane për Kosovën ishte e menduar dhe strategjike, dhe jo e rastësishme.
 

Lexo përditësimet tjera
Blerim Shala

Blerim Shala në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e 38-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është gazetari e...