Arbëri

Shkaku i vonesës së pagave, që nga e premtja minatorët në Stantërg ndaluan disa herë punën

Minatorët e “Trepçës” vazhdojnë t’i marrin pagat me vonesë. Shkaku i kësaj në minierën e Stantërgut ata kanë bojkotuar punën disa herë. Minatorët paralajmëruan ashpërsim masash nëse situata nuk ndryshon.

Minatorët e Stantërgut që nga e premtja e deri të martën kanë bojkotuar punën disa herë meqë nuk u janë ekzekutuar pagat për muajin shtator.

Punonjësit e ndërresës së dytë në këtë minierë të “Trepçës” kanë filluar punën të martën, por ende nuk u janë ekzekutuar edhe 55 për qind të pagesës.

Minatorët thanë se problemin e njëjtë e kanë qe 5 muaj.

“Nuk është se nuk po del paga për shkak të mosrealizimit të prodhimit. Prodhimi del çdoherë prej këtij numri të minatorëve. Edhe pse mujti para 5 muajve me u realizu paga? Këta minatorë jemi. Nuk duhet ne si minatorë me i zbulu shkaktarët. Në jemi vetëm me prodhu”, tha minatori Esat Meha.

Minatori Rrahman Beqiri akuzoi menaxhmentitn për keqmenaxhim.

“Ishte kanë mirë me dalë rrogat me rregull qysh duhet me dalë, mirëpo tash ndoshta është edhe keqmenaxhimi, papërgjegjësi mund të them lirisht. Unë nuk mund t’i numëroj tash sa menaxherë vetëm prej Naxhmi Mikullovcit e deri në këtë të fundit i kam ndërru se di sa dhe asnjë prej tyre kur ka shku nuk ka dhënë përgjegjësi”, tha ai.

Minatorët paralajmërojnë masa më të ashpra sesa bojkotimi i punës, nëse pagat s’u dalin me kohë.

“Në fushatën elektorale të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ja u kam lëshu nga një letër në xhep a e kanë lexu a nuk e kanë lexu”, theksoi Beqiri.

Gani Osmani, anëtar i Kryesisë së Sindikatës së “Trepçës”, thotë se problemi me pagat dhe kushtet e punës kanë demotivuar minatorët.

“Punëtorët janë shumë të ftohur me u shpreh më thjesht janë të ftohur e pa kurrfarë vullneti janë duke punuar për shkak të kushteve për shembull të pagave e të gjitha këtyre.. Ne e dimë që në atë ditë që nuk punojmë që shkojmë në humbje, mirëpo neve po na imponohet pa fajin tonë, ata duhet me mendu që mos me u ndalë puna”, deklaroi Osmani.

E Bujar Jashari, ushtrues detyre i drejtorit të minierës në Stantërg, tha se ndalimi i punës ndikon shumë në proces.

“Më datën 16 kemi pasur takim me bordin dhe menaxhmentin aktual kemi arritur një ujdi që të takohen me Qeverinë për sigurimin e mjeteve financiare, bordi mbikëqyrës na dërgoi me email na e konfirmoi që janë siguru mjetet financiare që t’jua prezantojmë minatorëve.... por mbeten vetëm procedurat”, theksoi Jashari.

KOHA ka dërguar pyetje në menaxhmentin e “Trepçës” dhe ka provuar të kontaktojë me kryeshefin Enis Abdurrahmani, por nuk ka qenë i qasshëm. Të qasshëm nuk kanë qenë as zyrtarë të Ministrisë së Ekonomisë.