Komuna e Podujevës po planifikon këtë vit të nisë ndëtimin e objektit të ri të Shkollës Ekonomike “Isa Boletini”. Ky projekt sipas zyrtarëve komunalë pritet të kushtojë rreth 2 milionë euro. Zëdhënësi i Komunës, Fatri Zhitia ka thënë se për këtë objekt si komunë i kanë planfikuar 200 mijë euro për këtë vit.
“Këtë vit do të fillojë ndërtimi i Shkollës së Mesme Ekonomike ‘Isa Boletini’ në Podujevë. Objekti planifikohet të ndërtohet tek kompleksi i dy shkollave të mesme në rrugën ‘Xhemajl Mustafa’ në Podujevë. Vlera e projektit parashihet të jetë mbi 2 milionë euro”, ka theksuar Fatri Zhitia.
Zëdhënësi i Komunës së Podujevës thotë se kanë marrë zotim edhe nga Ministria e Arsimit se do të ndihmojë në realizimin e këtij projekti.
“Për shkak të vlerës së lartë të çmimit për realizimin e këtij projekti, ne kemi vu kontakte edhe me MASHT-in për të na ndihmuar për ta realizuar sa më shpejtë projektin e për këtë çështje edhe kemi marrë zotimin nga ana e tyre për mbështetje”, ka thënë ai.
Me ndërtimin e këtij objekti, sipas zëdhënësit Zhitia, objekti aktual i Shkollës Ekonomike do të shndërrohet në shkollë fillore.
“Objekti aktual i Shkollës Ekonomike do të shndërrohet në objekt të shkollës fillore, dhe kjo do të mundësojë që objektet e shkollave fillore në qytet të lirohen nga mbingarkesa që kanë me nxënës e në njërën prej tyre po punohet edhe me tre ndërrime gjatë kësaj kohe”, ka thënë ai.