Arbëri

Shprehet drojë për vazhdimin e bllokadës në Kuvend

Zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje e kanë akuzuar Gjykatën Kushtetuese për tejkalim të kompetencave dhe krijim të normave të reja, tek e kanë komentuar aktgjykimin për seancën konstituive. E njohës të zhvillimeve politike paralajmëruan se mospranimi i Aktgjykimit mund ta thellojë bllokadën institucionale

Zyrtarë të partisë që i ka fituar zgjedhjet nacionale, kanë vazhduar ta kritikojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese përkitazi me konstituimin e Kuvendit, i cili ende nuk është publikuar i plotë në Gazetën Zyrtare.

Në një konferencë për media të dielën, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se gjykata krijoi norma të reja dhe i ka tejkaluar kompetencat. 

Ajo e ka cilësuar grabitje të kompetencave të deputetëve urdhrin e gjykatës, për të organizuar votim të hapur për kryeparlamentarin.

“Për mua, njoftimi i Gjykatës Kushtetuese përbën shqetësim serioz, sepse është tejkalim flagrant i kompetencave që i ka Gjykata Kushtetuese. Pastaj do të ndërlidhem çka saktësisht është fjala për tejkalimin e kompetencave kushtetuese. Sipas nenit 4 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë që e bën interpretimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe është institucioni që është garant i respektimit të Kushtetutës. Disa nga pikat e dispozitivit që tashmë është bërë publik, nuk burojnë nga teksti i Kushtetutës, dhe nuk janë të parashikuara në asnjë nen të Kushtetutës. As në Kushtetutë, as në Rregulloren e Kuvendit dhe për pasojë ato përbëjnë krijim të normave të reja, çka është funksion i pushtetit legjislativ, por jo edhe i pushtetit gjyqësor”, ka thënë Haxhiu. 

Sipas saj, Lëvizja Vetëvendosje “asnjëherë nuk ka thënë se nuk do t’i respektojë aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese” dhe ka shtuar se veprimet e partisë për seancën pas këtij Aktgjykimi do të bëhen të ditura kur të vijë koha. 

“Se cili do të jetë veprimi i jonë pas këtij vendimi, do ta kuptoni kur të vijë koha. Unë nuk po di cilin vendim ta respektojmë, atë të 2014-s, apo atë të para një muajit, a sa ishte”, ka theksuar ajo.  

Haxhiu ka thënë se duhet të ketë debat që praktikat e interpretimit kushtetues që të mos kthehen në mekanizma të heshtur për ndryshime të rendit kushtetues.

“Në Kushtetutë askund nuk lejohet që deputeti të jetë subjekt i vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese. Vetëm presidenti mund t’i nënshtrohet aktit kushtetues dhe gjykata mund t’i trajtojë aktet e Kuvendit, por assesi të një individi, në këtë rast kryesuesit. Tjetra thotë, procesi i votimit për kryetar dhe nënkryetarët se votimi duhet të bëhet i hapur. Tash pyetja është se në aktgjykimin e parafundit ka thënë se nuk parashihet që votimi të jetë i hapur apo i mbyllur, kjo është në vullnetin e deputetëve. Tash gjykata thotë se votimi duhet të jetë i hapur. Ku e merr këtë të drejtë gjykata”, ka thënë Haxhiu. “Pra, gjykata ia ka grabitur kompetencat kushtetuese Kuvendit të Republikës së Kosovës, sepse ata janë autoriteti që duhet të vendosin, dhe këtë e ka konfirmuar edhe në aktgjykimin e vitit 2025. Tjetra është që votimi duhet të realizohet vetëm tri herë. Ku e ka parë gjykata këtë?”.  

Tek i ka komentuar deklaratat e eksponentëve të partisë më të madhe, njohësi i zhvillimeve politike, Afrim Kasolli, ka vlerësuar se ka sinjale se nuk do të pranohet aktgjykimi i fundit. 

“Tashmë është e qartë se përpjekja që kryetari i Kuvendit të votohet në mënyrë të fshehtë është jokushtetuese dhe po ashtu që partia fituese e zgjedhjeve nuk mund të shkojë pafundësisht me të njëjtin kandidat, sepse atëherë e drejta e saj për pozitën e Kryetarit të Kuvendit po transformohet në mekanizëm bllokues, nëse s’ka kompromis me subjekte të tjera politike. Pra, e ka tri herë të drejtën me të njëjtin kandidat për të kaluar te i dyti. Mirëpo, duke u bazuar në deklarimet e deritanishme politike, me theks të veçantë ato të partisë fituese të zgjedhjeve, kemi parë një qëndrim tejet kritik ndaj aktgjykimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kasolli. “Ajo që aktualisht qëndron, do të thotë, nëse ju kushtojmë rëndësi deklarimeve të tyre, partia fituese nuk e ka pranuar këtë aktgjykim. Është komunikata zyrtare e Lëvizjes Vetëvendosje ku e potencon faktin që Gjykata Kushtetuese e shkeli Kushtetutën. Në momentin kur e ke këtë perceptim, që është shkelur Kushtetuta, atëherë është non sens logjik që të pranohet i njëjti aktgjykim”. 

Kasolli i ka komentuar edhe konstatimet e një numri të deputetëve të Vetëvendosjes, se me aktgjykimin e fundit tentohet të vidhet vullneti demokratik i qytetarëve të Kosovës. 

“A do të reflektojë gjatë ditëve në vijim, kur të rrjedhin afatet, mbetet të shihet. Mbase ndonjë presion i madh ndërkombëtar dhe kalkulim mbi pasoja më fatale, nëse nuk zbatohet ky vendim, sesa që zbatohet, mund të ndikojë që të përfillet aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, por kjo nuk do të ishte zbatim prej vullnetit, por një lloj zbatimi prej presioni dhe jo demonstrim se Kushtetuta duhet të respektohet e sjellja politike duhet t’u përshtatet normave të saj, por vetëm sa për sy e faqe, për ta realizuar këtë detyrë”, ka thënë ai.

Ky ish-deputet ka theksuar se rruga për konstituim të Kuvendit është trazuar, nëse nuk do të ketë tendenca bllokuese. 

“Për mendimin tim situata është e qartë. Do të thotë, për praktikat e deritashme që janë ndjekur në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, duhet të vazhdohet me votim të hapur. Partia fituese e ka të drejtën dhe ajo që është e re në këtë drejtim, një kandidat më shumë se tri herë nuk mund të nominohet. Siç e dimë, Lëvizja Vetëvendosje i ka 48 deputetë dhe subjektet e tjera parlamentare, janë shprehur që janë të gatshëm të votojnë kandidatë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje. E dimë qëndrimin e PDK-së: kushdo që s’ka qenë ministër në kabinetin qeveritar. Po ashtu edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur disa nga preferencat e saj politike. Pra, realisht, nëse ndiqet ky aktgjykim, nëse nuk ndiqen metoda subversive ndaj tij me qëllim të bllokimit, rruga është trasuar për konstituim të Kuvendit”, ka thënë Kasolli. 

Sipas tij, problemi kryesor është te mungesa e vullnetit politik dhe te përpjekja për t’i interpretuar normat kushtetuese sipas prizmit të ngushtë partiak. 

“Edhe për këtë aktgjykim kam qenë skeptik se do të zbatohet, pavarësisht se nuk e dija se çfarë do të ishte forma dhe përmbajtja e tij. Kam qenë skeptik se do të mund të zbatohet me lehtësi, për arsye sepse ka filluar kjo tendencë negative që Kushtetuta dhe normat e saj, infrastruktura ligjore, më tepër të interpretohen sipas prizmit të ngushtë partiak e jo siç janë objektivisht që të gjitha subjektet politike duhet të kenë lojalitet primar Kushtetutën para interesave partiake”, ka theksuar ai. 

Gjykata Kushtetuese nxori Aktgjykimin këtë javë pasi bashkoi dy lëndë për seancën konstituive që ndaras i dërguan PDK-ja dhe LDK-ja. Kushtetuesja ka urdhëruar që votimi për kryeparlamentarin të bëhet në formë të hapur dhe që partia fituese nuk mund ta propozojë të njëjtin kandidat për këtë post më shumë se tri herë. 

Aktgjykimi i detyron deputetët ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit me votim të hapur brenda 30 ditëve, por nuk i tregon pasojat nëse ky afat shkelet. 

Deputetët nuk kanë arritur ta zgjedhin kryetarin e institucionit më të lartë ligjvënës, që nga zgjedhjet e shkurtit. Deri tash kanë dështuar më shumë se 50 seanca. Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese nuk i ka siguruar asnjëherë 61 vota për emrin e Albulena Haxhiut apo edhe për komisionin për votim të fshehtë për kryeparlamentarin.