Arbëri

Shqipëria hap katër kapituj të rinj negociatash për anëtarësim në BE më 16 shtator

Edi Rama

Foto: Associated Press

Shqipëria do të hapë katër kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, më 16 shtator, në një takim të thirrur nga Presidenca daneze e BE-së. Lajmin e bëri të ditur kryeministri Edi Rama përmes një njoftimi në rrjetet sociale.

Sipas Ramës, hapja e këtyre kapitujve do të zhvillohet në praninë e ministrave të Jashtëm të të gjitha vendeve anëtare të BE-së.

Katër kapitujt e rinj i shtohen 24 kapitujve të hapur më parë, duke e çuar në 28 numrin total të kapitujve të hapur brenda vetëm 11 muajve – ritëm që kryeministri e cilësoi si “rekord absolut” në procesin e negociatave.

Kapitujt e rinj përfshijnë fusha të Agjendës së Gjelbër dhe Ndërlidhjes së Qëndrueshme, të cilat lidhen me sektorë jetikë si transporti, energjia, rrjetet transevropiane dhe mjedisi.

“U vendos edhe një tjetër gur kilometrik në rrugën drejt majës së Shqipërisë 2030 në BE”, u shpreh Rama.

Shqipëria hapi kapitullin e parë të negociatave për anëtarësim në BE në tetor të vitit 2024. Kjo ndodhi pas një pritjeje të gjatë, pasi vendi kishte aplikuar për anëtarësim më 2009 dhe kishte marrë statusin e vendit kandidat në vitin 2014.

Tirana duhet të hapë dhe të mbyllë gjithsej 33 kapituj për t’u anëtarësuar në BE. Për hapjen dhe mbylljen e çdo kapitulli kërkohet miratimi i të gjithë vendeve anëtare të bllokut evropian.