Shqipëria sot (e diel) është në zi kombëtare në nderim të Fatos Nano, ish-kryeministër dhe një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare.
Gjatë ditës së sotme do të mbahen ceremoni shtetërore dhe homazhe kombëtare në nderim të tij.
Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike, flamuri kombëtar është ulur në gjysmë shtize, ndërsa në orën 12:00 do të mbahet një minutë heshtjeje në mbarë vendin.
“ Homazhet dhe ceremonia shtetërore zhvillohen në Pallatin e Kongreseve në Tiranë, ku nga ora 08:30 deri në 11:00 do të mbahen homazhe publike, nga ora 11:15 deri në 11:45 homazhe shtetërore dhe nderime nga personalitete, ndërsa ora 12:05 shënon fillimin e ceremonisë mortore shtetërore”, sipas mediave në Shqipëri.
Fatos Nano vdiq të premten në moshën 73-vjeçare.
Rama: Në takimin e Nanos me Millosheviqin nuk pati asgjë prej tradhtari
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën gjatë homazheve për ish-kryetarin e Partisë Socialiste dhe ish-kryeministrin Fatos Nano, mbrojti kontributin e tij patriotik dhe historik.
Nano vdiq dy ditë më parë në moshën 73-vjeçare.
Rama u shpreh se disa kritika ndaj Nanos pas vdekjes, përfshirë takimin me Sllobodan Millosheviqin në një aktivitet ndërkombëtar në Selanik, nuk e cenojnë rolin e tij në historinë e Shqipërisë dhe çlirimin e Kosovës.
“Ndaj ata që e nderuan me fjalë të mëdha kryetarin pas vdekjes, ishin ata që e ngritën dhe e ulën tradhtar pse takoi Sllobodan Millosheviqin gjatë një aktiviteti ndërkombëtar në Selanik dhe për plot të tjera që nuk ia vlen t’i kujtojmë. E kam dëgjuar bisedën e tij me kasapin e Beogradit dhe nuk e kam idenë nëse Fatosi e ka lënë diku me shkrim, jo vetëm që në atë bisedë nuk ka asgjë prej tradhtari, por kur një ditë të dalin si duhet në dritë fjalët në atë takim si dhe takimet, bisedat dhe bashkëpunimet e Fatos Nanos me patriotat e Lëvizjes Kombëtare për Liri dhe të Drejtën e shqiptarëve në Kosovë e Maqedoni, askush nuk do ta vërë në dyshim kontributin patriotik të kryetarit themelues të partisë sonë për çlirimin e Kosovës dhe nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, dhe kjo e rendit Nanon në rreshtat e nderit të historisë të Shqipërisë”, ka thënë Rama.
Ai theksoi rolin e Nanos në bashkimin e socialistëve me botën demokratike pas rënies së Partisë së Punës, duke e renditur atë ndër figurat më të nderuara të historisë moderne të Shqipërisë.
Nano, i cili sapo atëherë kishte marrë pushtetin me Partinë Socialiste dhe ishte zgjedhur kryeministër i Shqipërisë, u takua me kriminelin Sllobodan Millosheviq në një samit ndërkombëtar në Selanik në nëntor 1997 – në kohën kur gjendja në Kosova sa vjen e tensionohej.
Raportet e shtypit nga Kreta atë kohë thonë se Nano u takua me Millosheviqin, pavarësisht protestave nga kosovarët dhe apelit të Sali Berishës se Nano nuk duhej ta bënte këtë pa praninë e një përfaqësuesi nga Kosova. U raportua se Millosheviqi ra dakord në diskutim t’u jepte kosovarëve të drejtat themelore civile, në këmbim të të cilave Nano pranoi që çështja e Kosovës është çështje e brendshme e Serbisë.
Në homazhet për Nanon ishte prezent edhe kryeministri në detyrë Albin Kurti.
Kurti shkon në Tiranë për homazhe për vdekjen e Fatos Nanos
Kryeministri në detyrë Albin Kurti është parë të shtunën në Tiranë, ku ka marrë pjesë në homazhet për vdekjen e ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.
Homazhet po mbahen në Pallatin e Kongreseve.
Në ditë kur Nano vdiq, Kurti në Facebook e vlerësoi Nanon si një figurë qendrore të tranzicionit politik shqiptar dhe një emër që do të mbetet i pashlyeshëm në historinë e përbashkët të Shqipërisë dhe Kosovës.