Shqiptarët po dyshohet se po i udhëheqin operacionet e tyre kriminale në Britani të Madhe nga burgjet, sipas të dhënave zyrtare që kanë treguar se këta persona po bëjnë dyfish më shumë thirrje telefonike në krahasim me të burgosurit e kombësive të tjera.
Të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë kanë treguar se të burgosurit shqiptarë në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar kanë kryer gati 160 mijë thirrje telefonike në gjashtë muajt e fundit, apo rreth 900 në ditë, ka shkruar mediumi britanik “The Telegraph”.
Shqiptarët janë komuniteti më i madh në burgjet e Anglisë dhe të Uellsit, me më shumë se 1200 të burgosur, të pasuar nga polakët dhe rumunët. Bashkë të tri kombësitë përfaqësojnë çerekun e të gjithë të huajve që vuajnë dënimet në burgje.
Sipas të dhënave të burgjeve, numri i thirrjeve të shqiptarëve të burgosur ishte katër herë më i lartë se i polakëve dhe rumunëve.
Ian Acheson, që dikur ka udhëhequr burgje, dhe ish-këshilltar i Qeverisë për ekstremizmin në burg, ka thënë se shifrat janë “jashtëzakonisht në disproporcion”.
Edhe
“Do t’ju vrasim dhe do t’ju djegim shtëpinë”: Inspektorët britanikë nën sulm nga bandat kriminale
“Ajo që dimë është se krimi i organizuar i shqiptarëve dominon shpërndarjen e drogës brenda burgjeve. Sa mund të mbërrijnë jashtë burgjeve është më pak e qartë, por nuk do të ishte befasi nëse përmes thirrjeve të vazhdueshme telefonike organizojnë marrëveshjet. Nuk është e paarsyeshme të sugjerohet se këtu ka diçka”, ka thënë ai.
Ish-sekretari i Drejtësisë, David Lammy, gjatë kohës sa ishte në këtë detyrë atë kohë, në vazhdimësi pati paralajmëruar se bosët e krimit po i udhëheqin perandoritë kriminale nga burgu.
Ai ka shtuar se krimi i organizuar po koordinohet nga liderët e bandave brenda burgjeve. Madje sipas tij, kriminelët po përdorin edhe dronë specialë për të pranuar drogë e armë direkt brenda burgjeve.
Kriminelët shqiptarë që janë në burgje janë kryesisht për trafik droge. Ata konsiderohen udhëheqësit në mbjelljen e kanabisit dhe janë në vendin e parë për trafik droge në Britani, sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare kundër Krimit.
Shqiptarët, që më herët ishin pjesë e trafikut të kokainës kanë kaluar në kanabis sepse “është shumë, shumë, më pak i rrezikshëm”.
Edhe
Pretendime të rreme për dhunë në familje nga emigrantët për të qëndruar në Britani
Kanabisi del të jetë i kërkuar në Britani. Britanikët konsumojnë 240 tonë drogë në vit – rreth 2.4 miliardë funte. Sipas të dhënave, kryesisht ai prodhohet brenda dhe s’ka nevojë për kalim kufijsh.
Rritja e numrit të shqiptarëve që kaluan Kanalin me Evropën për të hyrë në Britani. Sipas shkrimit, kalimi i rreth 13 mijë shqiptarëve në Britani me anije të vogla, ka shtuar kapacitetin e punonjësve ilegalë, të gatshëm për të punuar në sektorin e zhvillimit të drogave.
Të dhënat për telefonat u nxorën nga Nick Timothy, sekretar në hije i Drejtësisë, që ka kërkuar publikimin e plotë të të dhënave. “The Telegraph” ka shkruar të dielën se Ministria e Drejtësisë po merr veprime zyrtare për të bllokuar publikimin e shifrave të krimit nga të huajt në Angli dhe Uells.
“Burgjet tona janë pothuajse të mbushura, dhe rreth 10 mijë të burgosur janë shtetas të huaj që s’do të duhej të ishin këtu. Na duhet të pranojmë se jo të gjitha kombësitë përfaqësojnë rrezik të njëllojtë të krimit, siç tregojnë të dhënat. Shqiptarët janë më shumë përgjegjës për më shumë thirrje ndërkombëtare nga burgjet sesa SHBA-ja, Kanadaja, Japonia, Italia, Gjermania e Franca bashkë. Edhe afganët, irakianët e pakistanezët përbëjnë shifra në disproporcion. Laburistët duhet t’i publikojnë statistikat e krimit nga kombësitë e ndryshme, ashtu që të ketë transparencë të plotë se kush po kryen krime në shtetin tonë”, ka thënë Timothy.
Edhe
Britania arreston katër persona, dyshohen se ndihmonin shërbimin sekret të Iranit
Thirrjet nga burgjet janë të lejuara, por numrat duhet të miratohen paraprakisht. Thirrjet mund të monitorohen nga zyrtarët e burgjeve kur ata dyshojnë se mund të ketë rrezik për kryerje krimi.
“Asnjë konkluzion s’mund të nxirret nga këto të dhëna, që nuk tregojnë dëshmi për kombësinë e të burgosurve. Të gjitha thirrjet e bëra nga të burgosurit duhet të regjistrohen dhe regjistrohen dhe paguhen nga vetë të burgosurit”, ka thënë një zëdhënës i burgjeve.