Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Bakteret rezistente ndaj antibiotikëve po rrezikojnë gjithnjë e më shumë fëmijët

Harry Booth, 13 vjeç nga Australia

Harry Booth, 13 vjeç nga Australia

Studimi ndërkombëtar, që ka analizuar mbi 106 mijë mostra infeksionesh te fëmijë nga 82 vende, ka zbuluar se rezistenca ndaj antibiotikëve është rritur në çdo rajon të botës gjatë periudhës 2004-2022. Ekspertët paralajmërojnë se deri në vitin 2035 situata mund të përkeqësohet ndjeshëm, ka shkruar The Guardian.

Studimi, i udhëhequr nga “Murdoch Children’s Research Institute” në bashkëpunim me Universitetin e Sydneyt, u publikua në revistën “Journal of the American Medical Association (JAMA)”.

Shkencëtarët thonë se antibiotikët, të cilët deri më tash kanë shpëtuar miliona jetë, po bëhen gjithnjë e më pak efektivë për trajtimin e infeksioneve të zakonshme te fëmijët, si infeksionet e mushkërive dhe të traktit urinar.

Më të rrezikuarit janë foshnjat, fëmijët në terapi intensive dhe ata që jetojnë në vende me sisteme shëndetësore më të dobëta.

Një nga rastet e përmendura në studim është ai i Harry Boothit, 13 vjeç nga Australia.

Edhe Rezistenca ndaj antibiotikëve rrezikon mjekësinë moderne Lifestyle 5 muaj më parë Rezistenca ndaj antibiotikëve rrezikon mjekësinë moderne
 Harry Booth, 13 vjeç 

Pas transplantit të veshkës, ai merr ilaçe që ulin imunitetin, duke e bërë më të ndjeshëm ndaj infeksioneve. Për shkak se bakteret që e infektojnë janë rezistente ndaj shumë antibiotikëve të zakonshëm, mjekët detyrohen t’i japin barna më të forta dhe më të rralla, shpesh në spital dhe përmes infuzionit.

Nëna e tij, Eileen Booth, shprehet e shqetësuar.

“Trajtimet rezervë ende po funksionojnë, por kam frikë se çka do të ndodhë nëse edhe infeksionet e djalit tim bëhen rezistente ndaj tyre”, ka thënë ajo.

Studiuesit zbuluan se bakteri Acinetobacter baumannii, i cili shkakton infeksione të rënda si pneumonia dhe sepsa, ka nivelin më të lartë të rezistencës ndaj ilaçeve. Ndërkohë, bakteri Klebsiella, një shkaktar i zakonshëm i infeksioneve urinare, po shfaq rritjen më të shpejtë të rezistencës, sidomos në Azinë Juglindore, Evropën Lindore dhe rajonin e Paqësorit.

Sipas parashikimeve të studiuesve, deri në vitin 2035, rezistenca ndaj antibiotikëve të linjës së fundit mund të arrijë në 82 për qind për Acinetobacter baumannii dhe 35 për qind për Klebsiella.

“Po shohim rezistencë ndaj antibiotikëve jo vetëm në sëmundje të rënda, por edhe në infeksione të thjeshta, si infeksionet urinare te fëmijët”, ka thënë bashkautorja e studimit, profesoresha Penelope Bryant.

Ajo ka shtuar se fëmijët janë lënë shpesh jashtë studimeve për rezistencën ndaj antibiotikëve, duke bërë që të mungojnë trajtime dhe udhëzime të përshtatura për ta.

Edhe pediatri Chris Blyth e ka cilësuar situatën alarmante.

Edhe AI-ja tregon potencial në krijimin e antibiotikëve kundër baktereve rezistente Lifestyle 7 muaj më parë AI-ja tregon potencial në krijimin e antibiotikëve kundër baktereve rezistente

“Po trajtoj gjithnjë e më shpesh fëmijë me infeksione që nuk reagojnë ndaj antibiotikëve të linjës së parë dhe të dytë. Na duhet të përdorim barna më të vështira për t’u siguruar, më të kushtueshme dhe potencialisht më toksike”, ka thënë ai.

Ekspertët theksojnë se përdorimi i kujdesshëm i antibiotikëve, përmirësimi i higjienës dhe monitorimi global i rezistencës janë thelbësorë për të mbrojtur fëmijët nga një kërcënim që po rritet me shpejtësi.