Tre të akuzuarit për përgatitje të veprave terroriste, Gëzon Kastrati dhe Korab Korça nga PSD dhe Ç.G. nga Vetëvendosje këtë të mërkurë janë deklaruar të pafajshëm për veprat të cilat u ngarkohen atyre.
Gjyqtarja Albina Rama ka përjashtuar publikun dhe mediat nga seanca me arsyetimin se i akuzuari Ç.G. është i mitur.
Por aktivisti i Vetëvendosjes ishte i mitur në 2016-n, kur pretendohet se u krye vepra penale, ndërkaq tani është i moshës madhore, raporton KTV-ja.
Prokurorisë i janë dashur rreth 3 vjet që të ngrejë aktakuzën për këtë rast.
Gëzon Kastrati nga PSD-ja, i cili në kohën për të cilën akuzohet ishte pjesë e Vetëvendosjes këtë gjykim e ka quajtur politik, derisa ka ngritur dyshimet se si një person për një vepër të tillë penale lihet në liri për kaq shumë vite.
Aktakuza është ngritur në fund të dhjetorit të 2019-s nga prokurori i Speciales, Enver Krasniqi.
Sipas saj, të akuzuarit më 1 shtator të 2016-s në një depo përballë ngrohtores së qytetit kanë mbushur shishe me ngjyrë, gozhda për shpërthimin e gomave të automjeteve dhe çanta të mbushura me gurë e mjete të tjera të forta.
Pos tyre, sipas aktakuzës, ata kishin përgatitur koktej molotovi në shishe të qelqit.
Në mesin e provave, sipas kësaj aktakuze, janë 25 çanta me 270 shishe me koktej molotovi dhe një sërë çantash të tjera të cilat përmbanin materie të lëngshme, shufra metalike për dëmtim të gomave të veturave, gurë, mjete piroteknike dhe qese me maska etj.
Sipas aktakuzës, Policia kishte marrë informatën se në një garazh në lagjen “Dardania” ndodhen mjete të dyshuara shpërthyese e të cilat ishin destinuar për ndonjë sulm të mundshëm kur ishte paralajmëruar protesta për seancën e Kuvendit të Kosovës rreth çështjes së demarkacionit me Malin e Zi.