Arbëri

SHSKUK-ja dhe spitalet nuk mohojnë problemet me furnizim të materialit për dializë

Derisa menaxhmenti i SHSKUK-së dhe spitalet e përgjithshme mohojnë mungesën e materialit të dializës, burime të KOHËS thonë të kundërtën. Sipas burimeve, të hënën pati mungesë të preparatit “Acetat” në Ferizaj. Tenderi i rregullt dhe ai emergjent për furnizim me material, janë bllokuar

Spitalet e përgjithshme po përballen me furnizim jo të qëndrueshëm të materialeve për hemodializë, e edhe me mungesë në ditë të caktuara.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës e edhe menaxhmentet e spitaleve kanë pranuar vështirësitë në furnizim, por jo edhe mungesën e tërësishme.

E burime të KOHËS brenda institucioneve shëndetësore kanë konfirmuar se çdo ditë po përballen me telashe.

Një anëtar i stafit shëndetësor në Spitalin e Ferizajt, në kushte anonimiteti, ka treguar se mungesa e preparatit acetat për hemodializë po shkakton vonesa e edhe kufizime në ofrimin e shërbimeve.

“Edhe këtu është problem mungesa e preparatit acetat për dializë. Të hënën pasdite pacientët janë kthyer pasi nuk ka pasur. Të martën e të mërkurën janë furnizuar nga Prishtina veç sa për shërbim. Sot janë duke u dializuar, por acetati është në mungesë tërë kohën dhe janë duke e kursyer”, ka thënë ky anëtar i stafit shëndetësor në Spitalin e Ferizajt.

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Spitalit të Ferizajt, Minire Alilaj, nuk ka pranuar të flasë për problemin, duke thënë se pyetjet duhet dërguar në SHSKUK.

“Spitali i Ferizajt është njësi e ShSKUK-së dhe furnizimi bëhet nga barnatorja qendrore. Informacionet për këtë mund t’i merrni nga zyra për media pranë ShSKUK-së”, ka thënë ajo.

Sipas burimeve, mungesë të furnizimit të qëndrueshëm ka edhe në Spitalin e Pejës. Siç ka mësuar KOHA, ky institucion është furnizuar nga QKUK-ja të enjten, sa për të mbuluar nevojat edhe të së premtes.

Furnizimin në sasi të vogla e ka konfirmuar drejtori i spitalit.

“Jemi të furnizuar me sasi të vogla, por nuk ka ndërprerje të programit të dializës as një ditë. Asnjë ditë nuk ka pasur ndërprerje. Furnizimi bëhet në bazë dy ditore, tri ditore, derisa të zgjidhet ky tenderi, nuk e di çka është atje në Prishtinë, kështu që nuk ka ndërprerje të programit të hemodializës në asnjë moment, për asnjë pacient. Prej Prishtinës furnizohemi një herë në dy ditë, një herë në tre ditë, sa kanë ata sasi që na ofrojnë neve”, ka thënë drejtori Fahri Hasani.

Situatë e ngjashme raportohet edhe në Mitrovicë, por stafi i repartit të Hemodializës nuk ka pranuar të flasë të enjten.

Në spitalet e Prizrenit, Gjakovës e Gjilanit kanë mohuar mungesën e materialit.

Në fakt, në Prizren të martën theksuan se kanë vështirësi në furnizim, e të enjten se furnizimi është i rregullt nga ShSKUK-ja.

Njëjtë ka vepruar edhe drejtori i spitalit të Gjilanit, Afrim Cana, që dy ditë më parë i tha KOHËS se nuk ka rezerva, ndërsa të enjten ndryshoi deklaratën.

“Ky furnizim është duke vazhduar në baza ditore. Nuk është ndal asnjëherë shërbimi i dializës për pacientë që janë në program në spitalin e Gjilanit, ka vazhdu, po vazhdon në vazhdimësi në bazë të atij programi që është i paraparë”, ka thënë ai.

Koha ka qëndruar të mërkurën në spitalin e Gjilanit dhe në orën 14:00, nuk pati asnjë pacientë duke e kryer hemodializën.

Në ShSKUK kanë konfirmuar se ka vonesa në furnizim, por mohuan se ato kanë ndikuar në ofrimin e shërbimeve. Po ashtu nuk kanë treguar për sasinë në stok.

“Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, dje ka furnizuar të gjitha spitalet e përgjithshme me material për dializë, ky furnizim ka vazhduar edhe ditën sotme! Shërbimet nuk janë ndërprerë dhe nuk do të ndërpriten për pacientët, por ka mundur dje të ketë ndonjë vonesë në fillim të shërbimeve, e që nuk ndikojnë në gjendjen shëndetësore të pacientëve, ndaj të cilëve kërkojmë mirëkuptim, duke i njoftuar se të gjithë do të marrin shërbimet e nevojshme mjekësore nga stafi i dializës së institucionit përkatës!” thuhet në përgjigje.

Tenderi i rregullt për material të hemodializës është bllokuar pas ankesave në Organin Shqyrtues të Prokurimit, e tenderi emergjent i hapur para pak ditësh është anuluar, pasi dy kompani ofertuan me çmim më të lartë sesa vlera e parashikuar e tenderit.

Hemodializa u bëhet personave, veshkat e të cilëve humbin funksionin, e për pasojë u duhet ta pastrojnë gjakun 2 ose 3 herë në javë.