Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

SHSKUK-ja listoi si të reja shërbime që ekzistojnë prej vitesh

Spital - QKUK

Spital - QKUK (Foto-Ilustrim)

Foto: Driton Paçarada

Raporti i punës janar-dhjetor 2025 i SHSKUK-së paraqet dhjetëra shërbime si të reja apo të konsoliduara, megjithëse shumë prej tyre kryhen prej vitesh në klinikat e QKUK-së. Të dhënat e siguruara nga vetë klinikat tregojnë se disa shërbime kanë nisur që nga viti 2008, ndërsa janë paraqitur në raport si të vitit 2025

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) ka listuar si shërbime të reja gjatë vitit 2025 në Qendrën Klinike Universitare (QKUK) një varg shërbimesh që datojnë shumë vjet më parë.

Këto shërbime janë listuar në raportin e punës janar-dhjetor 2025 të SHSKUK-së, i cili u miratua nga Bordi Drejtues më 18 shkurt.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Raporti me këtë përmbajtje që u miratua nga bordi, u publikua në ueb faqen zyrtare më 4 mars, e më pas u përditësua më 26 mars, nën arsyetimin se në të pati disa mospërputhjeve teknike.

Në raportin e përditësuar, te rreshti i tabelës për shërbime të reja, është shtuar edhe pjesa “shërbime të konsoliduara”.

Megjithatë, bazuar në përgjigjet që kanë dhënë vetë klinikat, ka shërbime që kanë ekzistuar shumë vjet më herët dhe janë realizuar edhe më parë.

Në Klinikën e Kardiokirurgjisë është përmendur si shërbim i ri apo i konsoliduar: procedura e avancuar e aortës “Bentall + Supracoronary graft me hemiarch replacement” për disekacionet akute të aortës.

Sipas përgjigjes që ka dhënë Klinika, ndaras për këto procedura, ato kryhen prej disa vjetësh.

“Procedura Bentall në Kardiokirurgji ka filluar të realizohet në vitin 2016, kurse Hemiarch Replacement në vitin 2023. Përderisa gjatë vitit 2025 janë realizuar 5 intervenime kardiokirurgjike sipas procedurës Bentall, si dhe 2 me Hemiarch Replacement (tek rastet me disekacion akut të aortës)”, thuhet në përgjigjen e Klinikën e Kardiokirurgjisë.

Nëntë shërbime me emërtimin e shërbimit të ri apo të konsoliduara janë listuar te Klinika e Alergologjisë me Imunologji.

Por pesë prej tyre, bazuar në përgjigjet e Klinikës, kanë ekzistuar më herët, disa që nga viti 2008, e disa që nga vitet 2021 dhe 2023.

“1. Testimet medikamentoze (Prick, IDR): Viti i fillimit të testimit, 2008. Numri total i pacientëve të testuar gjatë vitit 2025: Numri i testeve Prick, 58. Numri i testeve IDR, 58. Nga viti 2023 kemi filluar testimin e mbingarkimit medikamentoz (testim i cili realizohet vetëm në kushte spitalore). 2. Testimet ndaj vaksinave (Covid-19,  Prick & IDR). Viti i fillimit të testimit, 2021 / 2023. Numri total i pacientëve të testuar 235 për (2021/2023). Numri i testeve për Covid-19 1(një) 2025. Numri i testeve për MMR (Prick & IDR) ka filluar të implementohet në 2023. Numri total për 2025 është 2 pacientë”, ka bërë të ditur kjo klinikë, në një përgjigje të shkruar.

Në Klinikën e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit janë listuar dy shërbime si të reja apo të konsoliduara gjatë vitit 2025.

Për shërbimin e posturografisë, edhe në raport theksohet se është në pritje të trajnimit nga kompania.

Ndërsa për osteodensiometrinë (DEXA), bazuar në përgjigjen e Klinikës, shërbimi ka filluar që nga viti 2024, ndërsa gjatë vitit 2025 janë realizuar 329 shërbime.

Njësoj shërbime që ekzistonin janë listuar si të reja edhe në Klinikën e Pediatrisë.

“Në Klinikën e Pediatrisë, në repartin e Gastroenterologjisë kronike, terapia biologjike me infliximab ka filluar në shkurt 2023. Fillimisht kanë qenë 6 pacientë, ndërsa aktualisht janë në trajtim 4 pacientë. Në repartin e Reumatologjisë Pediatrike, terapia biologjike me adalimumab ka filluar në prill 2023. Gjatë vitit 2025 janë trajtuar 17 pacientë, ndërsa pritet të fillohet terapia edhe te 5 pacientë të tjerë”, thuhet në përgjigjen e Klinikës së Pediatrisë.

Në SHSKUK e as në Bordin Drejtues nuk kanë ofruar sqarime se pse këto shërbime janë paraqitur në raport vjetor si shërbime të reja.

Raporti përmban të dhëna jo të sakta edhe për disa njësi e spitale të tjera.

KOHA raportoi se si terapia antikancerogjene në Spitalin e Prizrenit paraqitet si shërbim i funksionalizuar gjatë vitit 2025 në raportin e SHSKUK-së, por të dhënat nga vetë spitali e mohojnë këtë pretendim.