Rikthimi i rasteve me fruth në Kosovë po përcillet me rritje të komenteve kundër vaksinimit në rrjetet sociale. Në postimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ku bëhen thirrje për imunizim, qytetarë të shumtë kanë shprehur hapur dyshime dhe kundërshtime ndaj vaksinës kundër fruthit. Sociologu Endrit Imeri është shprehur se hezitimi i qytetarëve për vaksinim tregon nivel të ulët të vetëdijes shoqërore ndaj procedurave dhe standardeve shkencore
Në postimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, ku u bëhet thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët për imunizim pas shfaqjes së rasteve me fruth, figurojnë dhjetëra komente kundër vaksinimit.
Vaksina që e mbron organizmin nga virusi i fruthit është quajtur si “helm” nga persona, të cilët bazuar në profilet e tyre në rrjetet sociale, janë prindër.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Po këto janë helm e efektet po shihen pas disa vitesh. E kur po vjen puna me i shëru, po duhet me dalë me lypë pare”. “Çdo prind ka të drejtë të vendosë për fëmijën e vet. Sa më përket mua, unë zgjedh të mos e aplikoj këtë vaksinë”. “Nëse ti ia jep vaksinën, unë s’ia jap”.
Këto janë veç tri prej komenteve të lëna në postimin e IKSHPK-së. Si këto komente, në rrjetet sociale janë bërë edhe fushata të ndryshme se vaksinimi shkakton më shumë dëm te fëmija sesa dobi.
Ndërkohë, rastet me fruth po vazhdojnë të shtohen në Kosovë.
Përveç tetë rasteve të konfirmuara më herët, IKSHP-ja në një përgjigje për KOHËN të enjten ka njoftuar se është shtuar edhe nga një rast i ri në komunën e Ferizajt dhe atë të Fushë-Kosovës.
“Gjatë periudhës 16.04 deri më 05.05.2026 janë raportuar gjithsej 10 raste të konfirmuara me fruth në Kosovë. Ekipet epidemiologjike janë angazhuar në terren në komunat e prekura dhe po realizojnë hulumtime epidemiologjike, gjurmimin e kontakteve dhe informimin e qytetarëve, profesionistëve shëndetësorë, mësimdhënësve, prindërve”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.
E specialisti i shëndetit publik, Faik Hoti, në emisionin “60 minuta” në KTV ka thënë se mbulueshmëria me vaksinën kundër fruthit ka rënë në 82 për qind. Po ashtu sipas tij, fëmijët e prekur me fruthin janë të moshës nga 1 deri në 1 vit e gjysmë dhe të gjithë këta fëmijë, nuk e kanë marrë dozën e parë të vaksinës.
“Të gjithë janë fëmijë të moshës 12 deri në 18 muaj. Fatkeqësisht të gjithë që nuk e kanë marrë dozën e parë të vaksinës kundër fruthit. Këto vaksina jepen në dy doza, doza e parë jepet në moshën 12 muajshe ndërsa doza e dytë në moshën 6-vjeçare. Të gjithë këta fëmijë nuk e kanë marrë vaksinën për shkak të hezitimit apo frikës që prindërit kanë pasur rreth kësaj vaksine duke pasur dezinformata të ndryshme”, ka deklaruar Hoti.
Sipas tij, hezitimi i prindërve është rritur edhe në shtetet e tjera, në veçanti pas pandemisë COVID-19.
“Kjo vaksinë përdoret në Kosovë që nga viti 1972 dhe nuk kemi asnjë dëshmi që ndonjëherë ka shkaktuar dëm. Jemi të shqetësuar sepse mbulueshmërinë me vaksinën e kemi pasur 95%, që është një standard që garanton që të mos kemi ndonjë epidemi. Tash së fundmi ka rënë në vlerat e 82% që pak a shumë korrespondon me rënien që e kanë pësuar edhe vendet e tjera sidomos pas pandemisë Covid-19”, ka thënë Hoti.
Vaksinimi i fëmijëve është i obliguar me Ligjin për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse.
E bazuar në akte nënligjore dhe qarkore informative, vaksinimi është kusht i domosdoshëm për regjistrimin e fëmijëve në institucione parashkollore dhe shkollore.
Ligji parasheh edhe masa ndëshkuese, përfshirë shqiptim të gjobës deri në 200 euro ndaj prindit i cili nuk ka respektuar kalendarin e vaksinimit.
KOHA ka drejtuar pyetje në Ministrinë e Shëndetësisë lidhur me atë nëse deri më tani janë shqiptuar gjoba ndaj prindërve që kanë refuzuar vaksinimin e fëmijëve, por gjatë ditës së enjte nuk ka marrë përgjigje.
E sociologu Endrit Imeri është shprehur se hezitimi i qytetarëve për vaksinim tregon nivel të ulët të vetëdijes shoqërore ndaj procedurave dhe standardeve shkencore, të cilat tashmë janë të standardizuara.
“Në momentin kur kemi kësi lloj krizash dhe skepticizmi ndaj autoritetit shkencor dhe pjesës institucionale, atëherë prodhohen boshllëqe shoqërore, të cilat pastaj mundësojnë dhe zëvendësohen me praktika tjera apo autoritete të cilat i plotësojnë këto boshllëqe. Pastaj e shohim se aty mund të hyjë edhe autoriteti fetar dhe teori të cilat janë konspirative, ku shërbejnë si alternativa për ruajtjen e shëndetit dhe kjo atëherë manifestohet si një lloj krize”, ka thënë Imeri.
Sipas IKSHPK-së, nga viti 2018 deri në vitin 2024 nuk është shënuar asnjë rast me fruth, ndërsa gjatë vitit të kaluar janë regjistruar rreth 70 raste.