Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shtrenjtimi i naftës prek produktet e tjera, Qeveria paralajmëron stabilitet në verë

nafta

Rritja e çmimit të naftës pritet të reflektohet në shtrenjtimin e produkteve dhe shërbimeve në treg, duke rritur barrën për qytetarët. Derisa në Qeveri thonë se çmimet pritet të stabilizohen gjatë verës, ekonomistët propozojnë masa në mbrojtje të kategorive të ndjeshme

Rritja e çmimit të naftës ka nxitur menjëherë paralajmërime për shtrenjtimin e produkteve të tjera në treg, duke prekur drejtpërdrejt koston e jetesës. 

Por, ndryshe nga kjo rritje e shpejtë, kur çmimet e naftës bien, ulja rrallëherë reflektohet në çmimet e produkteve bazë dhe të shërbimeve.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas Visar Vokrrit, drejtor i programeve në institutin Riinvest, ky është fenomen i njohur në ekonomi, i lidhur ngushtë me pritjet inflacioniste dhe pasiguritë globale që ndikojnë në sjelljen e bizneseve.

“Kjo është e njohur si fenomen, por, kjo mund të ndodhë edhe për shkak të pritjeve inflacioniste, për shkak se bota është në një valë krizash të njëpasnjëshme, dhe kësisoj bizneset në këso lloj rrethanash, pritjet i kanë që krizat mund të vijnë dhe çmimet prapë të ndryshojnë, kësisoj çmimet nuk kthehen në nivelet paraprake, por mbeten aty”, ka thënë Vokrri.

E përfaqësues të institucioneve shtetërore janë shprehur optimist sa i përket stabilizimit të çmimeve. 
Ministrja e Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se stabilizimi i çmimeve të derivateve mund të ndodhë në muajt në vijim, veçanërisht gjatë verës.

“Mund të shkojë edhe në një periudhë kohe deri në një stabilitet. Këtu ne nuk jemi akterë, ne jemi konsumues të rrethanave që po ndodhin atje. Por po shpresojmë që sa më parë të ketë një stabilitet. Parashihet në muajt në vijim, në veçanti në periudhën e verës, që do të ketë një stabilitet të çmimit”, ka thënë ajo.

Megjithatë, përballë kësaj situate të paqëndrueshme, ekspertët kërkojnë ndërhyrje të kujdesshme nga qeveria. 

Vokrri ka thënë se masat duhet të fokusohen në mbrojtjen e kategorive më të ndjeshme, të cilat preken më së shumti nga rritja e çmimeve.

“Masat fiskale të cilat do të ulin barrën fiskale për sektorin privat do të duhej të ishte një nga intervenimet që do të duhej të kihet parasysh nëse situata mund të eskalojë, pasi po shihet tashmë që bota është në një krizë, e cila nuk dihet se kur do të përfundojë dhe çmimi i naftës do të vazhdojë të ngritët më tepër ose të rrijë në këto nivele për një kohë edhe më të gjatë, që ne ende nuk e dimë”, është shprehur Vokrri.

Si pasojë e luftës mes SHBA-së e Izraelit me Iranin, çmimet e karburanteve janë rritur. Deri në 1.60 euro për litër ka arritur çmimi i naftës në tregun me pakicë në Kosovë të martën nga rreth 1.20 euro sa ishte kur nisi lufta. 

Përveç vendimit për caktim të marzhës tregtare për produktet e naftës nga Ministria e Tregtisë, nuk ka pasur një vendim tjetër nga qeveria.

Qytetarët vazhdojnë të përballën me një kosto gjithnjë e më të lartë jetese.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave tregojnë se inflacioni gjatë muajit shkurt ishte 6 për qind, e ekspertët paralajmërojnë përkeqësim të situatës për muajin mars.