Arbëri

Sigurohen librat falas për nxënësit e komuniteteve joshumicë

Në dy javët e shkuara procesi mësimor për nxënësit e komuniteteve joshumicë në Prizren është zhvilluar me vështirësi në mungesë të teksteve shkollore. Por, të premten, pas angazhimit të disa deputetëve, atyre librat u janë ndarë falas në formë donacioni nga shtëpitë botuese

Me nismën e deputetëve nga radhët e komunitetit turk dhe atij boshnjak janë siguruar falas, në formë donacioni, tekstet shkollore për nxënësit që e vijojnë mësimin në gjuhët turke e boshnjake.

Tekstet shkollore për nxënësit e shkollave fillore të ulëta u shpërndanë të premten në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit në Prizren.

Duda Balje, deputete nga radhët e komunitetit boshnjak, ka theksuar se librat për nxënësit boshnjakë u siguruan për tërë territorin e Kosovës, në formë donacioni, nga shtëpitë botuese. Ajo ka thënë se në mungesë janë veç librat e gjuhës angleze e që mund të blihen nga prindërit me mjetet e ndara nga Ministria e Arsimit.

“Qe praktikisht 11 ditë janë pa libra dhe mendoj se është e pamundur për të mësuar diçka, nuk kanë qenë të motivuar, edhe ka qenë shumë problem për mësimdhënësit, edhe për krejt. Mendoj se kemi bërë një hap shumë të madh dhe jam shumë e lumtur sot”, ka deklaruar Balje.

Enis Kervan, deputet nga radhët e komunitetit turk, ka bërë të ditur se tekstet për nxënësit e komuniteteve joshumicë janë cilësore, pasi që në to janë bërë përmirësimet e duhura.

“Prej sot fëmijët tanë, që vijojnë mësimin në gjuhën turke, do t’i kenë librat nëpër bankat e tyre. Natyrisht që falënderoj ‘Dukagjinin’, por edhe shtëpitë e tjera botuese, të cilat na janë bashkëngjitur në këtë projekt të themi për të përkrahur komunitetet joshumicë”, ka thënë Kervan.

Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj-Gutaj, ka treguar se gjatë dy javëve të shkuara mësimi për nxënësit e komuniteteve joshumicë është realizuar në mënyrë të improvizuar, në mungesë të librave.

“Deri më tani drejtuesit e shkollave, në bashkëpunim me mësimdhënësit, kanë punuar me improvizime me këta nxënës. Kurse sot deputetët e Parlamentit të Kosovës, znj. Duda Balje dhe z. Enis Kervan, kanë marrë një donacion nga shtëpia botuese ‘Dukagjini’ dhe i kanë sjellë për nxënësit e këtyre komuniteteve. Përndryshe vështirësi dhe sfida po hasim çdo ditë edhe me komunitetet e tjera në secilën shkollë”, është shprehur Veselaj-Gutaj.

Ministria e Arsimit sivjet mori vendim që në vend të shpërndarjes falas nëpër shkolla ta bëjë subvencionimin e prindërve për blerjen e librave. Sipas vendimit, për librat e materialet shkollore prindërit e nxënësve deri në klasën e pestë janë subvencionuar me nga 80 euro, kurse ata të klasave nga e gjashta deri në të nëntën me nga 30 euro për materiale shkollore, pasi librat do t’u ofrohen nga gjenerata e kaluar.