Arbëri

Gashi: Rritja e numrit të ministrive u bë pa asnjë analizë paraprake

Fitim Gashi

Analisti politik, Fitim Gashi, ka vlerësuar se rritja e numrit të ministrive në qeverinë “Kurti 3” është bërë pa asnjë analizë paraprake. 

Sipas tij nuk dihet nëse ky vendim është marrë për t’i akomoduar interesat partiake të partnerëve të koalicionit qeverisës.

“Në rregull do të ishte sikur të kishte një analizë paraprake. Nuk ka pasur as riformatim gjatë qeverisjes së kaluar, nuk ka pasur asnjë analizë, vazhdimisht është thënë se gjithçka po funksionon në rregull, nuk ka pasur probleme sa i përket funksionimit të ministrive dhe ne nuk e dimë se si ka ardhur deri te ky vendim, a është bërë për t’i akomoduar interesat partiake të partnerëve të koalicionit”, ka thënë ai të enjten në “Konfront” të KTV-së.


Alijaj: Nuk kemi problem me komunitetin serb por me Listën Serbe, LS-ja agjente e huaj

Artan Alijaj, njohës i politikës, ka theksuar se nuk duhet të Lista Serbe me komunitetin serb në Kosovë. 

Të enjten në “Konfront”, Alijaj ka theksuar se vendi nuk ka problem me komunitetin serb por me këtë subjekt politik që, sipas tij, është agjent i huaj.

Ai ka përmendur edhe dyshimet që janë ngritur për akterë të tjerë politikë, por ka theksuar se pikëpyetjet më të mëdha lidhen me mënyrën se si Lista Serbe siguron votat në Kosovë dhe me rolin e shtetit të Serbisë në këtë proces.

“Mendoj se nuk është që është harruar Lista Serbe dhe mendoj se nuk është e vërtetë që kemi problem me komunitetin serb, por kemi problem me Listën Serbe dhe unë për vete nuk mund ta barazoj Listën Serbe me komunitetin serb në Kosovë. U përmendën dyshime për akterë të tjerë politikë, mirëpo më së shumti dyshime ka se si i mbledh votat Lista Serbe në Kosovë, me çfarë metoda dhe çfarë bën shteti i Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës kur vjen puna e votimit për Listën Serbe. Lista Serbe është ajo që ka qenë dje, e cila operon si agjent i huaj në këtë vend, që nuk e njeh pavarësinë e këtij vendi dhe që punon kundër pavarësisë së këtij vendi”, ka thënë ai.


Sadiku: E dhimbshme se si Kosova ka humbur një vit për të njëjtat arsye

Analisti politik Naim Sadiku ka thënë se është e dhimbshme se si Kosova humbi gjithë vitin e kaluar me ngërçin politik. 

Ai ka thënë se e gjithë bllokada ishte lojë politike nga Vetëvendosja e po ashtu nga partitë opozitare. 
Sadiku ka thënë në “Konfront” të KTV-së ka thënë se së paku ka mundur të imponohej emri i kandidatit për nënkryetar nga Lista Serbe e jo të votohej Sllavko Simiqi. 

“Krejt viti ishte lojë, lojë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe partitë opozitare. E dhimbshme se si Kosova ka humbur një vit për të njëjtat arsye. Opozita thoshte se Albin Kurti kurrë nuk do të jetë më kryeministër, ai është në ulëse të kryeministrit tash. Thoshte se Albulena Haxhiu s’do të jetë kurrë kryetare e Kuvendit, ajo është kryetare sot. VV-ja thoshte se do t’i priste duart e s’do ta votonte Listën Serbe. Nënkryetari i Kuvendit sot është nga Lista Serbe. Është tragjike çfarë ka ndodhur me këtë popull e këtë humbje njëvjeçare për Kosovën. Tash po nguten shpejt e shpejt me i zënë disa afate të cilat kalojnë”, ka thënë Sadiku. 

Ai tha se në mungesë buxheti komunat janë në krizë të madhe dhe madje disa s’kanë buxhet as për ndriçim publik. 


Sopi: Ne e kemi ditur prej fillimit qëndrimin destruktiv të Listës Serbe

Analisti politik Agim Sopi ka thënë se qëndrimet destruktive që i ka Lista Serbe ndaj shtetit të Kosovës janë të ditura. 

Sopi në “Konfront” të KTV-së ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka pse ankohet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese për t’i dhënë të drejtë partisë që ka shumicën e votave të minoritetit serb për të zgjedhur nënkryetarin serb në Kuvend. Sopi ka thënë se Ligji për zgjedhje është hartuar dhe aprovuar nga Qeveria e drejtuar nga Vetëvendosja pasi ka pasur shumicën e votave në legjislaturën e kaluar dhe aty përcaktohet kjo pikë qartë. 

“Ne e kemi ditur prej fillimit se Lista Serbe nuk e njeh Kosovën, saktësisht pakica serbe nuk e njeh Kosovën. Kot përpiqemi të sofistikojmë e të dallojmë Listën Serbe nga pakica serbe. Lista Serbe në Kosovë i merr 99 për qind të votave...Dallimi në komunitetin serb është Nenad Rashiq që mbledh vota shumë të dyshimta për të marrë një mandat. Pasi gjithë serbët i japin votat subjektit të krijuar nga Beogradi. Ky është fakt. Dhe kanë mision të jenë destruktiv e votojnë vazhdimisht kundër çdo gjëje që është në interes të Kosovës”, tha Sopi.