Ka dështuar edhe përpjekja e 14-të për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Edhe në vazhdimin e së dielës, sikurse në pesë të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar që të ndërrojë formën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nga e hapur në të fshehtë, por në mungesë të votave nuk ka arritur të formohet komisioni që duhet të mbikëqyrte këtë proces. Për kanë votuar 54 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Seanca e radhës është caktuar për të martën në orën 10:00. Zhvillimet para, gjatë dhe pas seancës mund t’i lexoni këtu

Kadrijaj: Bllokuese është LVV-ja, s’jemi të obliguar t’ia sigurojmë votat

16 o. më parë / 11 maj 2025 11:10
Time Kadrijaj

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, e ka akuzuar Lëvizjen Vetevednosje (LVV) për bllokadën e krijuar në Kuvendin e Kosovës. 

“Bllokuese e konstitutimit të Kuvendit të Kosovës është Lëvizja Vetëvendosje, është absurditet i kohës kur barazohet zgjedhja e kryetarit me zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit”, ka deklaruar Kadrijaj, pas dështimit të konstituimit të Kuvendit.

Ajo ka thënë se partitë që kanë qenë në opozitë nuk e kanë obligim që t’i sigurojnë votat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. 

“Nuk e kemi obligim, ne opozita që t’i sigurojmë vota Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidates së Lëvizjes Vetëvendosje”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas saj LVV-ja është shkelësja më e madhe e Kushtetutës. 

“Ata u thirren aq shumë në Kushtetutë, e këta janë shkelësit më të mëdhenjtë të Kushtetutës, vetëm shikoni sa ligje i kanë miratuar në Kuvend e që janë shpallur antikushtetuese”, ka deklaruar Kadrijaj.

Ajo ka thënë se tashmë i kanë mbledhur nënshkrimet dhe të hënën do ta kontestojnë në Gjykatën Kushtetuese, kërkesën e LVV-së që të ndryshojë formën e votimit për kryeparlamentar, nga e hapur në votim të fshehtë.  

Kusari–Lila: Bllokada e pakuptimtë dhe paradoksale

16 o. më parë / 11 maj 2025 10:51
Faton Peci dhe Mimoza Kusari-Lila

Deputetja nga radhët e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se nuk ka kuptim dhe është paradoksal ky bllokim konstituimit të Kuvendit të Kosovës. 

Ajo ka reaguar ndaj iniciativës së ndërmarrë nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, për të mbledhur nënshkrime që të dërgojë në Kushtetuese dy vendime të ZRRE-së, ajo për shtrenjtim të rrymës dhe daljes në treg të hapur për biznese. 

“Mbledhja e nënshkrimeve me ngrit çështje me ZRRE s’ka kuptim. Është e qartë kjo punë dhe e paraparë me rregullore. Po ZRRE raporton në Komisionin e Kuvendit. Por ne nuk kemi as kryetar e as nënkryetarë të Kuvendit e lëre më komisione. Të kryhet kjo fillimisht nga ata që po mbledhin nënshkrime. Kemi 48 orë tjera. Të hyjmë në proces që e zhbllokon këtë bllokadë të pakuptimtë e paradoksale”, ka thënë Kusari-Lila, që i ka akuzuar deputetët nga partitë opozitare të legjislaturës së kaluar se me mosvotim në seanca konstituive po bëjnë shkelje Kushtetuese. 


E për ftesën e presidentes Vjosa Osmani për një takim me krerët e partive lidhur me çështjen, ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se e rëndësishme është të shihet përmbajtja e ftesës.

Ai ka thënë se në asnjë moment nuk ka thënë se presidentja Osmani bën ftesa koti. 

“S’kam dilemë, kur ta shohim ftesën do të ketë përgjigje adekuate”, tha Peci. 

Haxhiu akuzon opozitën për qasje destruktive: Deputetët obligohen të marrin pjesë në votim

16 o. më parë / 11 maj 2025 10:46
Albulena Haxhiu

E propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se ka një tendencë të vazhdueshme për të bllokuar konstituimin e Kuvendit.

Ajo i ka akuzuar partitë që në legjislaturën e kaluar të Kuvendit kanë qenë në opozitë, për qasje të papranueshme dhe destruktive.

Sipas Haxhiut të gjithë deputetët janë të obliguar që marrin pjesë në votim.

Ajo ka thënë se bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, deputetët në seancën konstituive duhet të votojnë për, kundër ose të abstenojnë, sepse sipas saj nuk mund të lirohen nga ky obligim. 

Sipas Haxhiut edhe në letrën e presidentes, Vjosa Osmani, dërguar kryesuesit të seancës, Avni Dehari, thuhet se ne mesin e subjekteve politike duhet të gjendet një zgjidhje për ta konstitutuar Kuvendin e Kosovës.

“Opozita po vazhdon me një qasje destruktive, më një qasje të papranueshme, duke mos marrë përgjegjësinë që i takon, është përgjegjësi e të gjithë deputetëve të Kuvendit që të votojnë për, kundër, ose të abstenojnë dhe është përgjegjësi e tyre që ta konstiuojnë Kuvendin”, ka deklaruar Haxhiu, pas dështimit të konstiuimit të Kuvendit të dielën.

Krasniqi: Kemi një fatkeqësi institucionale, Kurti po i mban peng Kuvendin e qytetarët

16 o. më parë / 11 maj 2025 10:41
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti, se po i mban peng Kuvendin, qytetarët e institucionet e Kosovës duke përsëritur të njëjtin skenar me rezultat të njëjtë. 

Të dielën dështoi për herë të 14-të konstituimi i Kuvendit. 

“Duket se për Kurtin, Albulena Haxhiu ka më tepër rëndësi se rreth 1 milion qytetarë”, tha Krasniqi. 
Ai e ka quajtur “fatkeqësi institucionale” situatën aktuale. 

Sa i përket për një takimi të partive me presidenten Vjosa Osmani, ai ka thënë se PDK-ja është e gatshme të marrë pjesë. 

E për iniciativën e ndërmarrë nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, për të mbledhur nënshkrime për të dërguar në Kushtetuese dy vendime të ZRRE-së për shtrenjtim të tarifave dhe dalje në treg të hapur, Krasniqi ka thënë se padyshim e mbështesin këtë.

Edhe një dështim në konstituimin e Kuvendit

17 o. më parë / 11 maj 2025 10:29
Kuvendi i KOsoves

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Ka dështuar edhe përpjekja e 14-të për konstituim të Kuvendit të Kosovës.

Edhe në vazhdimin e së dielës, sikurse në pesë të fundit, Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar që të ndërrojë formën e votimit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, nga e hapur në të fshehtë, por në mungesë të votave nuk ka arritur të formohet komisioni që duhet të mbikëqyrte këtë proces. 

Për kanë votuar 54 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, ndërkohë që në sallë kanë qenë 92 deputetë. 

Seanca e radhës është caktuar për të martën në orën 10:00.

Haziri: Situata në Kuvend s’mund të zgjidhet pa marrëveshje politike për qeverinë

17 o. më parë / 11 maj 2025 10:11
Lutfi Haziri

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Hazi, njëherësh deputet i zgjedhur, ka thënë se nuk beson që situata në Kuvend do të zgjidhet pa një marrëveshje politike edhe për qeverinë. 

“Me vetë faktin që nuk kemi ende një marrëveshje politike për qeveri, nuk po besoj që mund të përballohet zgjedhja e kryetares së Kuvendit e nominuara e Lëvizjes Vetëvendosje, sepse ky është proces i lidhur, përkundër që kryeministri në detyrë po insiston t’i ndajë dhe po punon që t’i ndajë”, ka theksuar Haziri, para nisjes së vazhdimit të seancës konstituive. 

Ai ka thënë se LDK-ja nuk ka qëllim që të krijojnë bashkëqeverisje sipas kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Peci: Do të ketë ndryshim të gjendjes vetëm nëse kanë ndryshuar qëndrim partitë opozitare

17 o. më parë / 11 maj 2025 09:37
Faton Peci

Deputeti i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Faton Peci, ka thënë se gjendja e krijuar në Kuvendin e Kosovës do të ndryshojë sot, vetëm nëse kanë ndryshuar qëndrim partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë. 

“Tashmë dihet që pamundësi që ne të kemi Kuvend të konstituuar varet nga vota e partive opozitare, nëse ata kanë reflektuar atëherë do të kemi ndryshim të gjendjes, në rast se jo, atëherë jo”, ka theksuar Peci, para nisjes së vazhdimit të 14-së. 

Ai ka thënë se nëse do të dështonte që e propozuara e LVV-së, Albulena Haxhiu të bëhej kryetare e Kuvendit me votim të fshehtë, atëherë do të shtohej nevoja për të parë modalitete të tjera.

Peci i ka akuzuar deputetët e partive që në legjislaturën që shkoj kanë qenë në opozitë, duke thënë se ata po flasin në emër të të tjerëve. Ai ka thënë se ata po duan ta përzgjedhin emrin brenda LVV-së për kryetar të Kuvendit. 

“Emri i Albulena Haxhiut nuk është problemi, problemi është diku tjetër”, ka shtuar Peci.


Bajqinovci: Posti i kryeparlamentarit s’negociohet

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka thënë se për pozitën e kryeparlamentarit nuk negociohet dhe se ajo i takon partisë fituese. 

Ai ka thënë se  nuk është nevoja të ndryshohet propozimi i Vetëvendosjes për postin e kryeparlamentarit. Vetëvendosja ka propozuar Albulena Haxhiun. 

“Na takon, jemi partua më e madhe, e thotë Kushtetuta. Të reflektojë opozita e të kalohet në pjesën tjetër, krijimi i ekzekutivit”, tha Bajqinovci.