Legjislatura e nëntë e Kuvendit të Kosovës ka dështuar të konstituohet edhe në përpjekjen e tetë. Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryeparlamentare këtë herë ka marrë 54 vota për. Për shkak të moskonstituimit Kuvendi do të mblidhet edhe të enjten. Të gjitha zhvillimet rreth seancës së sotme mund t’i lexoni këtu.

Limaj s’e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të reja

13 o. më parë / 29 pri 2025 11:44
Fatmir Limaj

Foto: EO

Kryetari i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj nuk e ka përjashtuar mundësinë e zgjedhjeve të reja pas bllokadës së krijuar për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“Nëse nuk ka kapacitet dhe pjekuri, nuk ka hapësirë për një zgjidhje, atëherë zgjidhje tjetër janë zgjedhjet e reja”, ka deklaruar Limaj pas vazhdimit të tetë të seancës konstituive të Kuvendit. 

Por sipas tij, dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këtë. /EO

AAK-ja kërkon ndihmën e Trumpit për zgjidhjen e ngërçit politik: S’jemi të zot ta bëjmë vetë

14 o. më parë / 29 pri 2025 10:58
Beke Berisha

Bekë Berisha

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka kërkuar ndihëm e presidentit amerikan Donald Trump, për zgjidhjen e ngërçit politik në Kosovë. 

“E kemi një propozim si grup parlamentar, mendojmë dhe kërkojmë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që ta zgjedhe një shesh në Prishtinë dhe të ja vë emrin e presidentit Trump, në mënyrë që të angazhohen edhe të mos na harrojnë edhe miqtë, sepse na kanë harruar edhe nuk po merret askush me neve dhe si duket ne nuk jemi të zot ta zgjedhim asnjë situatë politike në Kosovës”, ka deklaruar Berisha, pas dështimit të konstiutimit të Kuvendit. 

“Po shihet që kjo nuk po mbaron edhe si duket i kanë mësuar kandidatët tanë politikë, vetëm t’i kapin për krahu dhe të ju thonë se kështu duhet të bëjnë, në jemi të shqetësuar për këtë situatë”, ka shtuar Berisha.

Video: Deklarata e plotë

Murati: Të votohen në paketë emri i Haxhiut dhe i nënkryetarëve të partive opozitare

14 o. më parë / 29 pri 2025 10:46
Hekuran Murati

Hekuran Murati

Photo: Driton Paçarada

Hekuran Murati nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se kompromisi që kjo parti ka ofruar për konstituim ka qenë që emri i Albulena Haxhiut si propozim për kryeparlamentare të përfshihet në pako me emrat e propozuar nga partitë opozitare për nënkryetarë të Kuvendit.

“Ajo që kemi ofruar si kompromis është dakordim politik që të tri partitë më të mëdha që u takon të propozojnë kandidatë për nënkryetarë, pos partive parlamentare të komuniteteve joshumicë, të mblidhen të dakordohen dhe në paketë të përfshihen emri i kryetares Albulena Haxhiu dhe i nënkryetarëve që të vazhdohet tutje”, ka thënë ai pas dështimit të tetë që të ketë konstituim të Kuvendit.

Të martën Haxhiu mori vetëm 54 vota për. Nga partitë që në legjislaturën e shkuar ishin në opozitë, në vazhdimësi është bërë thirrje për ndërrim të emrit të propozuar. Teksa Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se emri i Haxhiut nuk është unifikues, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se do ta votonin kryeparlamentarin nëse do të propozoheshin Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimin. Lidhja Demokratike ka thënë se nuk do ta votojë asnjë kandidat të VV-së. E në partinë fituese kanë përsëritur në vazhdimësi se nuk mund të marrin propozime për emra nga partitë tjera.

Pas seancës, Murati ka thënë se ka deputetë nga opozita që kanë shprehur gatishmëri për ta votuar Haxhiun, megjithatë sipas tij kjo e drejtë po u ndalohet nga partitë.

VIDEO: Deklarata e plotë

Krasniqi: LVV-ja po tallet me qytetarët, ta kuptojë që sundimi njëpartiak ka përfunduar

14 o. më parë / 29 pri 2025 10:43
Memli Krasniqi

Memli Krasniqi

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka akuzuar LVV-në për tallje me qytetarët dhe verdiktin e tyre. 

“U shpreh keqardhje të gjithë qytetarëve për këtë tallje që po bëhet me verditikin e tyre nga ana e partisë së parë e cila na mblodhi për të tetën herë në Kuvend dhe sillet me mentalitetin e njëjtë”, është shprehur Krasniqi. 

Ai ka thënë se dëshiron që t’i japë tri mesazhe. 

“Dëshiroj të japë tri mesazhe, e para demokracia funksionon me shumicë, jo me imponim, e dyta institucionet janë të popullit, nuk janë të asnjë partie politike të veçantë dhe e treta duhet ta kuptojmë të gjithë se koha e sundimit njëpartiak dhe monizmit ka përfunduar”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka thënë se sa më parë që LVV-ja t’i kuptojë këto çështje, aq më mirë do të jetë për vendin. 
Krasniqi ka theksuar se LVV-së i takon ta propozojë kandidaten  për kryetare, por se nuk mundët që votat për të t’i marrë me zor. 

VIDEO: Deklarata e plotë

Bajrami: VV-ja po i mban peng institucionet

15 o. më parë / 29 pri 2025 10:37
Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami

Photo: Driton Paçarada

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje po i mban peng institucionet e Kosovës, duke shtuar se “kjo po iu kushton qytetarëve”.

Ajo ka thënë se është e turpshme që as të martën s’u konstituua Kuvendi.

Sipas Bajramit, kjo situatë politike u shndërrua në teatër.

“Pengmarrja e institucioneve nga ana e  Vetëvendosjes po iu kushton qytetarëve. Ata përballen me probleme të ndryshme e ato si adreson askush. Na vjen keq që në bazë të rezultatit dhe vullnetit tonë jemi pjesë e Kuvendit, por pa dashje jemi pjesë e këtij teatri që tashmë po besoj është bërë mjaft për secilin qytetar të Kosovës”, ka thënë Bajrami.

VIDEO: Deklarata e plotë

Kuvendi në cikël dështimesh, Haxhiu sot vetëm 54 vota

15 o. më parë / 29 pri 2025 10:25
Kuvendi i KOsoves

Photo: Driton Paçarada

Ka përfunduar pa sukses edhe përpjekja e tetë për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, nuk po arrin të marrë 61 vota e mjaftueshme për të marrë postin. Si pasojë do të duhet edhe seanca e nëntë për të tentuar konstituimin.

Për dallim nga votimet e deritashme në të cilat Haxhiu merrte 57 vota, sot ajo mori 54. Kundër kandidaturës së saj votuan 44 vota. Tre deputetë abstenuan.

Kuvendi tashmë prej 15 prillit është duke mbajtur çdo dy ditë seanca në përpjekje për të kaluar procedurat fillestare. Konstituimi konsiderohet i përfunduar vetëm pas zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Nga partitë që në legjislaturën e shkuar ishin në opozitë, në vazhdimësi është bërë thirrje për ndërrim të emrit të propozuar. Teksa Partia Demokratike e Kosovës ka thënë se emri i Haxhiut nuk është unifikues, në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës kanë thënë se do ta votonin kryeparlamentarin nëse do të propozoheshin Saranda Bogujevci ose Shqipe Selimin. Lidhja Demokratike ka thënë se nuk do ta votojë asnjë kandidat të VV-së. E në partinë fituese kanë përsëritur në vazhdimësi se nuk mund të marrin propozime për emra nga partitë tjera.

Seanca e ardhshme mbahet të enjten me fillim prej orës 10:00.

VIDEO:

Haradinaj: Votojmë për vetëm nëse ndërrohet kandidatja, s’do ta takoja Kurtin edhe po të më ftonte

15 o. më parë / 29 pri 2025 10:07
Remush Haradinaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka theksuar se partia e tij do të votojë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit vetëm nëse LVV-ja e ndërron kandidaten e  propozuar. 

“Për fat të keq nuk ka ndonjë ndryshim nga seancat e mëparshme, ne kemi dhënë një zgjidhje, të propozohen kandidatë të tjerë unifikues, nëse kjo ndodh me siguri se sot do të votohet, nëse ndërrohet kandidatja, nëse jo do të jemi në situatë të njëjtë”, ka theksuar Haradinaj. 

Ai ka thënë se nuk do të pranonte të takohej me Kurtin për konsultime. 

“Nuk do të pranoja një takim me Kurtin personalisht, por nënkryetarja e pastrisë Time Kadijaj është e autorizuar që të konsultohet me zotëri Deharin”, është shprehur Haradinaj, para nisjes së vazhdimit të seancës.  

Haziri: Është bërë situatë e neveritshme, Kuvendi po mbahet peng

15 o. më parë / 29 pri 2025 10:00
Lutfi Haziri

Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se situata me Kuvendin është bërë e neveritshme, duke thënë se Lëvizja Vetëvendosje s’ka marrëveshje për formim të Qeverisë “prandaj Kuvendi po mbahet peng”.

Haziri ka shtuar se deputetët s’po mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre për tejkalim të situatës.

“E drejta politike për të propozuar s’do të thotë e drejtë absolute. Marrëveshja politike është e pritshme, do të duhej të ndodhte por kjo s’po ndodh...Seanca e parë ka qenë e nevojshme për ta tejkaluar këtë, lërë më e dyta. Ky është problem serioz politik”, është shprehur Haziri.

Basha: Bllokimi po shkaktohet nga ata që votojnë kundër

15 o. më parë / 29 pri 2025 09:46
dimal basha

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka deklaruar se bllokimi i konstituimit të Kuvendit po shkaktohet nga deputetët që po votojnë kundër në seancë.

Ai ka thënë të martën se opozita po përdor argument ofenduese “kur duhet se Albulena Haxhiu s’duhet të votohet pasi është e zhurmshme dhe përçarëse”.

“Haxhiu ka qenë deputete, ministre për mbi katër vjet dhe s’gjeni asnjë njollë në punën e saj”, u shpreh ai para gazetarëve.

Haxhiu është e propozuara e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit.

Deputeti i grupit parlamentar të LVV-së, nga Lista Guxo, Faton Peci, ka thënë se Kushtetuta e ka p[përcaktuar që kryetari i Kuvendit i takon partisë fituese dhe se ai ka të drejtën e propozimit. 

“Është e padrejtë që partitë e tjera që nuk e kanë fituar këtë të drejtë të kërkojnë të drejtën e tyre brenda llojit, në këtë rast brenda LVV-së dhe koalicionit të saj”, ka theksuar Peci, në deklarimin e tij para nisjes së seancës.