Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Nis gjykimi për pengim në administrim të drejtësisë ndaj Thaçit

Sot në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë po jepen deklaratat hyrëse në gjykimin e dytë ndaj ish-presidnetit Hashim Thaçi, e në të cilin përfshihen edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

Aktakuza fillestare kundër pesë të akuzuarve u konfirmua më 29 nëntor 2024 dhe u ndryshua më 16 prill 2025. Kjo është aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Të pestët janë vetëdeklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Pas përfundimit të deklaratave hyrëse, Zyra e Prokurorit të Specializuar pritet të vazhdojë me paraqitjen e provave para trupit gjykues, ndërsa seancat e gjykimit janë planifikuar të mbahen nga 2 deri më 6 mars.

Sipas aktakuzës, midis 12 prillit 2023 dhe 2 nëntorit 2023, gjatë vizitave të ndryshme në objektin e paraburgimit, Thaçi u dha Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit informacion konfidencial për dëshmitarë të thirrur nga Prokuroria në çështjen gjyqësore për krime lufte Thaçi dhe të tjerët, duke i udhëzuar ata “që të ndikonin në dëshmitë e dëshmitarëve dhe u dha hollësi se si të vepronin”.

Në aktakuzë më tej pretendohet se Thaçi bashkërendoi tre grupe, të përbëra nga Smakaj, Fazliu, Kilaj, Kuçi dhe persona të tjerë për të cilët nuk janë ngritur akuza me qëllimin e ndërhyrjes në dëshmitë e dëshmitarëve të thirrur nga Prokuroria në gjykimin aktual për krime lufte Thaçi dhe të tjerët.

“Isni Kilaj u arrestua së pari si i dyshuar më 2 nëntor 2023, dhe u lirua përkohësisht me kushte të rrepta më 15 maj 2024. Pas konfirmimit të aktakuzës, më 5 dhe 6 dhjetor 2024, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan dhe transferuan në njësinë e paraburgimit të DHSK-së. Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së, ndërsa Hajredin Kuçit iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Pesë të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm. Prokuroria dorëzoi dosjen paraprake të saj më 19 shtator 2025. Z. Smakaj, z. Thaçi dhe z. Fazliu dorëzuan dosjet paraprake të tyre më 19 dhe 20 tetor 2025. Dosja e çështjes iu kalua për gjykim Gjykatësit të Vetëm më 12 nëntor 2025. Isni Kilaj u lirua me kusht në Kosovë për të dytën herë në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm më 10 dhjetor 2025. Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u liruan me kusht më 10 shkurt 2026 në bazë të vendimit të Gjykatësit të Vetëm”, thuhet në aktakuzë.

Avokatët e Smakajt dhe Kilajt mohojnë pretendimet e ZPS-së

13 o. më parë / 27 shk 2026 15:07
Isni Kilaj

Avokati i Bashkim Smakajt, Jonathan Rees, dhe ai i Isni Kilajt, Ian Edwards, kanë mohuar pretendimet e  ZPS-së se kanë marrë udhëzime nga Hashim Thaçi gjatë takimeve të tyre në Hagë lidhur me dëshmitarë. 

Rees ka thënë se Smakaj nuk ka folur asnjëherë me Bislim Zyrapin për dëshminë e tij për çështjen e ngritur për krime lufte dhe krime kundër njerëzit ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. 

Për dokumentin që ZPS-ja e shfaqi dhe tha se e gjeti në veturën e Smakajt, Rees theksoi se s’ka dëshmi se dokumenti ishte në veturën e tij apo kush e solli atë aty. Ai shtoi se ZPS-ja nuk ka dhënë dëshmi se kush e ka printuar atë dokument që kishte titull “për avokatët” në qendrën e paraburgimit në Hagë. 

Kurse, Edwards ka thënë se Kilaj ka folur me Thaçin për jetën, UÇK-në dhe si dy miq të vjetër. 

“Nuk ka asnjë provë të ketë bërë diçka në bazë të vizitës që ka pasur në Hagë”, theksoi Edwards.  
 

ZPS-ja shfaq fotografi nga Kilaj e Smakaj me pretendimin se përmbanin udhëzime nga Thaçi

13 o. më parë / 27 shk 2026 14:50
spec

Prokuroria ka shfaqur një fotografi të një dokumenti të grisur që u gjet në banesën e Isni Kilajt në Kosovë, dhe Bashkim Smakajt po ashtu një tjetër në veturën e tij. 

Prokuroria ka thënë se dokumenti i sekuestruar nga Kilaj është pikërisht pjesë dhe faqja që Hashim Thaçi ka thënë se dëshmitari duhej ta ndryshonte. 

Edhe në dokumentin e Smakajt Prokuroria ka pretenduar se përmbante udhëzime të dhëna nga Thaçi.

Në të Prokuroria ka thënë se ka të nënvizuar “aspekte që minimizojnë rolin udhëheqës të Thaçit në UÇK”. 

“Provat tregojnë se anëtarët e secilit prej grupeve Fazliu, Smakaj, Kilaj, të udhëhequr nga Thaçi, morën pjesë qëllimshëm në një grup përpjekja e të cilit ishte për të penguar dëshmitarët e shënjestruar të çështjes 6 [rasti për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit]. Nuk ka asnjë dyshim, të akuzuarit e dinin se çfarë po bënin dhe e dinin se ishte vepër penale”, tha një nga prokurorët e specializuar.
ZPS në fund ka kërkuar dënimin e të akuzuarve. 
 

ZPS: Kemi nëntë audio-incizime të Thaçit në qendrën e paraburgimit në Hagë

15 o. më parë / 27 shk 2026 13:14 Nga: Radio Evropa e Lirë
Hashim Thaçi

Prokurori Joshua Hafetz tha se ka dëshmi të shumta kundër Thaçit dhe të akuzuarve, përfshirë nëntë audio-incizime në qendrën e paraburgimit në Hagë, thirrje telefonike, urdhra të gjykatës që pretendohet se janë shkelur dhe ekspertizë që dëshmojnë se dokumentet që u gjetën në Kosovë ishin printuar nga printeri që përdorte Thaçi në Hagë.

Gjatë seancës u shfaq edhe një audio-incizim i Thaçit dhe Fazliut në takimin e tyre më 2 korrik 2023 në Hagë.

Prokuroria tha se ata po flisnin për dëshminë e komandant Remit.

“Thuaj shkurt, po, jo, mos filozofo”, dëgjohet Thaçi në këtë audio-incizim.

Më vonë, ai thotë se të dëshmojë shkurt e jo 12 orë siç ishte planifikuar. “Shkurt jo 12 orë, se 12 orë pa rrëshqit diku nuk e lë”, tha Thaçi, sipas audio-incizimit të ZPS-së.

ZPS po ashtu shfaqi mesazhe të Mustafës dhe Fazliut, që këmbyen me t'u kthyer Fazliu në Kosovë, ku edhe ishin takuar.


Prokuroria publikon pjesë të audio-incizimeve të takimit të Thaçit me Kilajn dhe Kryeziun

Prokuroria publikoi një audio-incizim që pretendoi se është nga takimi i 6 tetorit në qendrën e paraburgimit në Hagë mes Thaçit, Kilajt dhe Vllaznim Kryeziut.

ZPS tha se Thaçi aty jep udhëzime për Kilajn dhe Kryeziun e si dëshmitari 4 – dëshmitar i mbrojtur i ZPS-së – të ndryshonte pjesë të dëshmisë.

“Faqja 7, pjesa 6, rreshti 9”, dëgjohet Thaçi duke thënë, pohoi Prokuroria, duke shtuar se këto pjesë duhej që ky dëshmitar t’i “korrigjonte” para se të dilte në gjykatore, përkatësisht gjatë seancës përgatitore me ZPS-në.

ZPS: Udhëzimet e Thaçit kishin në shënjestër dëshmitarë specifikë

16 o. më parë / 27 shk 2026 12:36
Hashim Thaçi

Prokurori Joshua Hafetz në nisje të fjalës së tij shfaqi fragmente të bisedave të incizuara në Hagë, gjatë takimeve të  Hashim Thaçit me vizitorët e tij, përfshirë disa nga të akuzuarit, ku ai pretendoi se është tentuar të ndikohej te dëshmitarët.

“ZPS do të tregojë se udhëzimet e Thaçit kishin një shënjestër: shënjestër ishin dëshmitarët specifikë, dëshmia e të cilëve, sipas Thaçit përbënte kërcënim”, tha ai duke shtuar se synimi ishte të shmangej ky kërcënim, raportoi Radio Evropa e Lirë. 

Sipas tij, motivi i Thaçit ishte se ai “nëse gjendet fajtor” në rastin për krime lufte, “do të dënohet me burgim të gjatë” dhe prandaj, sipas ZPS-së, ai përdori mënyra për të ndërhyrë në drejtësi.

“Provat do të tregojnë se sapo filloi çështja [për krime lufte] Thaçi u përqendrua në pengim të dëshmive të dëshmitarëve që mund ta dëmtonin mbrojtjen e tij. Thaçi kishte dy lloj dëshmitarësh. Të parët ishin personat e brendshëm të UÇK-së, që në mënyrë të veçantë i identifikoi Thaçi, që mendoi se ishin vendimtar në gjykimin ndaj tij, të cilët duhet të flisin për strukturën e UÇK-së dhe rolin drejtues të Thaçit. Lloji i dytë ishin dëshmitarët viktima që mund ta implikonin atë”, tha prokurori.

Hafetz pretendoi se akuzat ndaj Fadil Fazliut kanë të bëjnë me udhëzimet që ai mori dhe ia përcolli Rrustem Mustafës - Remit, se si dëshmonte në Hagë gjatë gjykimit të Thaçit.

Fazliu e kishte vizituar Thaçin në paraburgim në Korrik të vitit 2023. Sipas ZPS, me të kuptuar Thaçi se kur do të jepte dëshminë në Hagë Remi, si dëshmitar i ZPS, djali i Fazliut e kontaktoi Remin dhe më pas ai u takua me të akuzuarin.

“Tre ditë më vonë Fazliu shkoi e takoi Thaçin në Hagë dhe vizita u incizua”, tha prokurori.

Pesë ditë pasi ZPS njoftoi për dëshmitarin për 26 qershor, djali i Fazliut kontaktoi Remin që Fadil Fazliu të takohej në Kosovë. Tre ditë më vonë Fazliu shkoi e takoi Thaçin në Hagë dhe vizita u incizua në bazë të një urdhri gjyqësor.

“Gjatë vizitës ai foli për dëshminë e Remit dhe tha se dëshmia e tij ishte vendimtare dhe se ai do të vendoste precedentin e dëshmitarëve pasues që do ta ndiqnin atë, duke thënë atë që Thaçi i tha në hollësi se si do të duhej të ishte dëshmia e Mustafës, çfarë duhej të thoshte ai, në mënyrë që Remi të kthehej në Kosovë 'ose si hero ose si njeri i turpëruar'. Thaçi i dha urdhër Fazliut që këto udhëzime t’ia jepte Mustafës para se ai të dëshmonte në Hagë”, tha prokurori duke shtuar se Fazliu u pajtua dhe madje kontribuoi se çfarë duhej të thoshte Mustafa.

Ndërkaq, Hajredin Kuçi, tha ai, foli me Thaçin për ndikim ndaj dy dëshmitarëve dhe një viktime.

Më 3 shtator 2023, në Hagë Thaçi dhe Kuçi diskutuan për tre dëshmitarë, pretendoi Prokuroria. Dy nga ta ishin ish-pjesëtarë të UÇK-së, përfshirë Zyrapin dhe i treti ishte një person që do të dëshmonte për keqtrajtimin e pretenduar nga UÇK, tha ZPS.

Thaçi, tha ZPS, udhëzoi se si duhej të dëshmonin. ZPS tha se ka prova që mbështesin të gjitha pikat e aktakuzës.

Gjatë seancës, prokurori tha se në vizitën në Hagë, Isni Kilaj kishte marrë udhëzime se si dëshmitari 4, të ndryshonte dëshminë.

Ky dëshmitar ishte viktimë, “që më parë e kishte implikuar Thaçin lidhur me keqtrajtimin që i kishin bërë anëtarë të UÇK-së”.

Kilaj, tha Prokuroria, mori shënime gjatë takimit në Hagë.

“Thaçi nënvizoi rreshtin dhe faqen e dëshmisë paraprake të dëshmitarit, saktësisht se çfarë duhej të ndryshonte ai”, pretendoi prokurori.

Gjatë dy vizitave në qendrën e paraburgimit në Hagë, Smakaj, tha Prokuroria, mori udhëzime nga Thaçi se si të ndikohej në dëshmitarë.

Një nga ta u tha se ishte Bislim Zyrapi. Prokurori tha se Thaçi dha detaje se si ish-shefi i Shtabit të UÇK-së, Zyrapi – dëshmitar i Prokurorisë – të dëshmonte.

“[Thaçi] Dha udhëzime si të jepte dëshmi, se duhej të ishte konciz, të mos i jepte shumë gojës”, tha ai, duke shtuar se Thaçi kishte dhënë informacione konfidenciale për dëshmitarët e mbrojtur dhe duke pretenduar se ishte “tallur me dy prej tyre, dhe një nga ta ishte me aftësi të kufizuara”./ REL

Të akuzuarit për pengim të drejtësisë deklarohen sërish të pafajshëm

17 o. më parë / 27 shk 2026 11:18
Hashim Thaçi

Hashim Thaçi

Photo: Associated Press

Në Hagë ka nisur seanca e deklaratave hyrëse në rastin për pengim të drejtësisë kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe veteranit të UÇK-së, Fadil Fazliu.

Gjykatësi ka pyetur me radhë të akuzuarit - që më herët janë deklaruar të pafajshëm - të tregojnë nëse e kuptojnë aktakuzën dhe nëse janë fajtorë ose jo.

Ata u deklaruan sërish të pafajshëm.

Prokurori ka thënë se Thaçi mban përgjegjësi për tentim të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe mosbindje ndaj gjykatës. Për Smakajn, Prokuroria tha se mban përgjegjësi për veprën penale të tentimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Për të njëjtat akuza akuzohen edhe Kilaj, Fazliu, ndërkaq Kuçi akuzohet për dy pika të veprës penale për mosbindje ndaj gjykatës.

Kryeprokurorja Kimberly West ka thënë se Thaçi dhe katër të akuzuarit të tjerë kanë "minuar" Gjykatën Speciale. Ajo shtoi se të akuzuarit “shkelën qëllimisht vendime gjyqësore të hartuara për të garantuar se dëshmitarët dhe viktimat mund të dëshmojnë lirshëm, pa frikë dhe pa ndikim, dhe të kenë
besimin se identitetet dhe fjalët e tyre do të mbeten konfidenciale për gjykatën dhe palët. 

"Ish-kryetari Thaçi akuzohet se në mënyrë të përsëritur dhe sistematike tentoi të ndërhyjë ndaj dëshmive të dëshmitarëve, duke dhënë udhëzime se si duhet të dëshmojnë dëshmitarët në çështjen gjyqësore tjetër kundër tij për krime lufte, dhe duke shkelur një numër urdhrash gjyqësorë që synojnë mbrojtjen e informacionit konfidencial në lidhje me dëshmitarët. Të bashkakuzuarit e tij – Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi – akuzohen për pjesëmarrje të paligjshme në një ose më shumë prej këtyre veprave penale", potencoi ajo.