Arbëri

Sot përfundon masa e përkohshme e Kushtetueses

kusht

Sot, e martë (30 shtator) përfundon masa e përkohshme që Gjykata Kushtetuese ia caktoi konstituimit të Kuvendit, duke ua ndaluar çfarëdo veprimi apo procedure për formimin e Qeverisë së re.

Vendimi ishte marrë më 6 shtator dhe u bazua në kërkesën e 9 deputetëve të Listës Serbe (LS) dhe të deputetit goran, Adem Hoxha, lidhur me mënyrën e votimit për nënkryetarët e Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë. Masa e përkohshme, e cila ka hyrë në fuqi nga premtja, do të zgjasë deri më 30 shtator, kur më së largu do të pritet një vendim përfundimtar për çështjen.

"Gjykata Kushtetuese njëzëri vendosë - TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve, masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë; TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025”, thuhej në vendim.

Kjo masë është kritikuar nga fituesja e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila ka bërë thirrje që të ecet përpara me formimin e Qeverisë së re.

Në ankesën e Listës Serbe, të deponuar në Gjykatë, është kërkuar që të vendoset masë e përkohshme dhe është shprehur drojë që në rast se deputetët “vazhdojnë me formimin kundërkushtetues të institucioneve” do të cenohet rendin juridik e demokratik në Kosovë.

Pranë Kushtetueses, Lista Serbe e ka kontestuar procedurën e zgjedhjes së nënkryetarëve nga komunitetet, vendimin për zgjedhjen e nënkryetares nga grupi multietnik, Emilja Rexhepi, procedurën e tentimit të zgjedhjes së nënkryetarit serb dhe të gjitha vendimet e nxjerra në seancën konstituive të 26 e 28 gushtit. Në këtë parti të serbëve të Kosovës, e cila e ka mbështetjen e Beogradit zyrtar, kanë argumentuar se sikurse LVV-ja që si fituese e zgjedhjeve e ka pasur të drejtën për ta propozuar kryetarin Kuvendit, edhe Lista Serbe, si fituese e shumicës së votave të serbëve të Kosovës, ka të drejtë ta nxjerrë emrin për nënkryetarin serb. Në ankesë, ky subjekt ka kërkuar që Gjykata të konstatojë se kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, i ka shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke e veçuar votimin për nënkryetarët nga komunitetet dhe duke e ftuar grupin multietnik para komunitetit serb që ta bëjë propozimin. Tjetër kërkesë e Listës Serbe është që të shpallet kundërkushtetuese zgjedhja e Emilja Rexhepit nënkryetare si dhe që Kushtetuesja ta urdhërojë Bashën ta përsërisë procedurën e votimit për nënkryetarët nga komunitetet.

Zgjedhja e nënkryetarit serb nuk është arritur, pasi që Lista Serbe ka këmbëngulur që për këtë post ta propozojë deputetin, Slavko Simiq, ani se ai nuk ka arritur t’i siguronte 61 votat e nevojshme as pas tri rundeve të votimit. Pasi kjo parti nuk ka pranuar që ta propozojë një kandidat tjetër, kryeparlamentari Dimal Basha ka vendosur që kandidati të nxirret me short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb. Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post është propozuar edhe deputeti i partisë serbe “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë”, Nenad Rashiq, i cili aktualisht është ministër në detyrë në qeverinë e Kurtit. Por as Rashiqi nuk ka marrë vota të mjaftueshme në tri raunde votimi.

E pasi që janë konsumuar të gjithë deputetët serbë, Basha në mënyrë të njëanshme e ka mbyllur seancën konstituive dhe ka deklaruar se Kuvendi është konstituuar.

Seanca konstituive për legjislaturën e re të dalë nga zgjedhjet e shkurtit ka nisur më 15 prill. Pas afro pesë muajsh bllokadë, dy aktgjykimesh të publikuara nga Kushtetuesja dhe një mase të përkohshme, Basha i LVV-së është zgjedhur kryetar Kuvendi më 26 gusht. Më pas, nëpërmjet votimit të përbashkët janë zgjedhur edhe nënkryetarët nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiu nga LVV-ja, Vlora Çitaku nga Partia Demokratike (PDK) dhe Kujtim Shala nga LDK-ja.

Ngërçi politik ka ndodhur pasi asnjëra nga subjektet politike nuk ka fituar vota të mjaftueshme për t’ë formuar vetë institucionet dhe në mungesë të një marrëveshjeje politike.

LVV-ja e kryeministrit në detyrë Kurti ka fituar 48 ulëse gjatë zgjedhjeve të 9 shkurtit. PDK-ja ka dalë parti e dyta me 24 vende të siguruara në Kuvend, LDK-ja e treta me 20, e pasuar nga Lista Serbe me 9 deputetë dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave.