Ka dështuar edhe përpjekja e pestë për konstituimin e legjislaturës së nëntë. Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje ka marrë sërish vetëm 57 vota në kandidaturën për kryeparlamentare. Seanca do të shkojë në përpjekjen e gjashtë për të konstituar Kuvendin. Ajo do të mbahet të premten. Gjithçka që ndodh rreth kësaj seance, mund ta përcillni këtu.
Limaj: Lojë nervash, Kosova s’e ka luksin që të mbetet pa institucione
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka quajtur “lojë nervash” procesin e konstituimit të Kuvendit, pas dështimit të përpjekjes së pestë për konstituim të legjislaturës së nëntë.
“Vërtetë është një lojë nervash, por gjithmonë konstituimi i institucioneve ka rrugën e vet dhe vështirësitë e veta”, ka thënë ai.
Limaj po ashtu ka thënë se beson që në ditët në vijim do të ketë angazhim të palëve për të dalë nga ngërçi në Kuvend.
“Kosova nuk e ka luksin me mbet pa institucione. Shpresoj se do të gjendet. Institucionet bëhen përmes rrugëve të njohura, ashtu siç bën bota e qytetëruar. Shpresoj se kjo do të ndodhë”, ka thënë ai.
Limaj dhe dy deputetet e partisë së tij të mërkurën abstenuan në propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje që Albulena Haxhiu të jetë kryeparlamentare. Emri i saj sërish mori 57 vota pro. Seanca u shty për të premten.
Kusari: Haxhiu ka legjitimitet për të qenë kryetare e Kuvendit
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, ka deklaruar se Albulena Haxhiu ka legjitimitetin për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit, pasi tha se ajo është gruaja më e votuar në legjislaturën aktuale.
Kusari shtoi se Haxhiu ka vota më shumë se grupi parlamentar i AAK-së dhe “30.000 vota më tepër se kreu i PDK-së, Memli Krasniqi”.
“Albulena Haxhiu është gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit me rreth 125.000 vota. Tri herë më shumë se Ramush Haradinaj, apo dy herë më shumë se i tërë grupi parlamentar i AAK-së. Pesha politike dhe legjitimiteti i saj për kryetare të Kuvendit është e pakontestueshme. Nëse krahasohet me Memli Krasniqin, është 30.000 vota para tij”, ka shtuar ajo.
Ajo ka theksuar se s’kanë pajtueshmëri me Nismën për të votuar Haxhiun.
“Votimi në Kuvend është publik. Deri në këtë moment s’ka pajtueshmëri nga ana e tyre (Nismës) për votë, siç e keni parë”, tha ajo.
VIDEO:
Haradinaj: Haxhiu s’është kandidaturë unifikuese
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se kandidatura e Albulena Haxhiut të Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentare është jounifikuese.
Sipas tij, kjo është arsyeja përse edhe opozita po voton kundër zgjedhjes së saj kryeparlamentare.
“Haxhiu s’është kandidaturë unifikuese. Kandidatura është jounifikuese dhe kjo po na pengon”, ka thënë ai pas dështimit të tretë që Haxhiu të bëhet kryeparlamentare.
Haradinaj ka shtuar se është i interesuar për tejkalim të ngërçit, por sipas tij, pengesa është te VV-ja.
“Faji bie mbi atë që s’e ka shumicën e s’jep opsion bashkëpunimi. Nëse u duhen votat tona, duhet bashkëpunim”, ka thënë ai.
Ai ka komentuar edhe thirrjet e VV-së që nëse nuk zgjidhet kandidati i saj i propozuar mund të shkohet në zgjedhje. “Edhe për të shkuar në zgjedhje duhet votë e opozitës”, ka thënë ai.
Murati: Opozita është totalisht e painteresuar për zhbllokim
Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, njëherit ministër në detyrë, ka deklaruar se partitë e tjera janë totalisht të painteresuara për të tejkaluar bllokadën në Kuvend.
Ai ka thënë para mediave se këto parti nuk duan të konstituohet Kuvendit, derisa shtoi se “të gjithë po pajtohemi që Qeveria duhet të formohet nga shumica parlamentare”.
“Deputetët dështuan të konstituojnë Kuvendin. Ka disa kundërthënie e paradokse me sjelljet e deputetëve të opozitës...Kjo është sjellja e opozitës, totalisht e painteresuar që të zhbllokojë procesin, s’duan të mundësojnë konstituimin e Kuvendit...Për faktin që kemi kryetar e nënkryetarët e Kuvendit, kjo nënkupton se kemi të bëjmë me pluralizëm politik. Po shohim kush po e bllokon, se po dalin të pavërteta me pretendime të mëhershme se Vetëvendosje do të refuzojë të propozojë kandidatin. Po shohim se opozita po bllokon duke mos votuar”, ka shtuar Murati.
Ai ka potencuar se kandidati i VV-së për kryetare të Kuvendit mbetet Albulena Haxhiu “si deputetja më e votuar në legjislaturën aktuale”.
Murati e quajti paradoks qasjen e LDK-së, që tha se para seancës nuk morën pjesë në takimin konsultativ, e pas seancës “kërkuan bashkëpunim për dalje nga bllokada”.
Bajrami: LDK-ja nuk është e gatshme për marrëveshje politike, shumë shpejt dorëzojmë kallëzim penal
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se LDK-ja s’do ta votojë asnjë kandidat të Vetëvendosjes që propozohet për kryetar të Kuvendit.
Bajrami ka thënë se LDK-ja nuk është e gatshme për marrëveshje politike. Ndërsa ajo ka akuzuar LVV-në se po i mban peng institucionet.
“Një grup i juristëve të LDK-së tashmë është në proces të finalizimit të kallëzimit penal, besoj shumë shpejt, nesër, do ta dorëzojmë”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka thënë se përgjegjësia për zhbllokimin është te Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Janë 15 parti parlamentare. Jemi deklaruar nga fillimi se nuk jemi të gatshëm për marrëveshje politike. Kryetari i Kuvendit duhet zgjedhur me marrëveshje politike. Këta nuk duan. Janë 13 parti tjera. Ne i kemi 20 deputetë në Kuvend nga 120. Janë të tjerë që janë të gatshëm të hyjnë. Është paaftësi e tyre për të krijuar një shumicë...Ne nuk kemi votë as për partnerët e koalicionit të Vetëvendosjes”, tha Bajrami.
VIDEO:
Krasniqi: VV-ja po e mban peng shtetin për një emër, votat nuk merren me zor
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokimin e konstituimit të Kuvendit dhe formimit të institucioneve, duke e akuzuar këtë subjekt se po e mban peng shtetin për shkak të insistimit në një kandidat të vetëm për kryeparlamentar.
“Tashmë kjo situatë është për keqardhje. Kanë kaluar 72 ditë nga zgjedhjet dhe 27 ditë që kur janë certifikuar rezultatet, por ende nuk kemi institucione të themeluara. Kjo s’i ka ndodhur kurrë më parë Republikës së Kosovës”, deklaroi Krasniqi pasi të mërkurën dështoi konstituimi i Kuvendit për të pestën herë.
Ai theksoi se është përgjegjësi e VV-së që të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, por sipas tij, nuk mund të imponohet emri te deputetët e opozitës.
“Mentaliteti arbitrar i marrjes së votës me zor nuk ka vend në sistemin demokratik. VV-ja është e vetmja parti që, në vend të një oferte, ka bërë vetëm kërkesa – edhe në fushatë, edhe tani në Kuvend”, ka thënë ai.
Krasniqi theksoi se PDK-ja është e gatshme të shqyrtojë një kandidat tjetër, duke e cilësuar si të papranueshëm ngulmimin e VV-së për një emër që, sipas tij, ka një histori përçarëse, duke aluduar te Albulena Haxhiu.
“Sikur të donte VV-ja ta zhbllokojë situatën, do të propozonte emra që janë të pranueshëm edhe për opozitën, siç ka sugjeruar edhe Ramush Haradinaj. Por qëllimi i VV-së nuk është bashkëpunimi, por bllokimi”, përfundoi ai.
PDK kërkon nga VV-ja që të ndërmarrë hapat e nevojshëm për të zgjidhur krizën politike dhe të sjellë një propozim që reflekton konsensusin parlamentar.
Prapë s’ka vota, Haxhiu dështon që të bëhet kryeparlamentare edhe në votimin e tretë
Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje nuk ka marrë shumicën e votave as në votimin e tretë për kryeparlamentare.
Ajo ka marrë 57 vota për, 46 kundër dhe 3 abstenime.
Seanca është shtyrë për të premten, me fillim prej orës 10.
VV-ja propozon sërish Albulena Haxhiun për kryeparlamentare
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar edhe një herë emrin e Albulena Haxhiut për kryeparlamentare. Është hera e tretë që emri i saj del në votim. Në dy herët e para i ka marrë nga 57 vota. Duhen 61.
“LVV e propozon atë që gjithmonë ishte propozimi ynë zonjën Albulena Haxhiu. Ju lus të gjithëve ta mbështetni dhe te dalim nga kjo bllokadë”, ka thënë Konjufca gjatë prezantimit të kandidaturës së Haxhiut.
Abdixhiku: Po t’i kisha 48 deputetë, do ta bëja edhe Kuvendin edhe Qeverinë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje për qasjen e saj ndaj ndërtimit të institucioneve, duke e konsideruar të pakuptueshme paaftësinë për të krijuar shumicën parlamentare me 48 deputetë.
Abdixhiku ka thënë se në rast se ka mungesë të një marrëveshjeje politike, seanca e sotme e Kuvendit prapë do të jetë e kotë.
“Partia e parë e ka detyrim demokratik të arrijë kompromis me partitë që kanë shprehur gatishmëri për një të tillë. Ne si LDK kemi qëndrime të qarta dhe pikëpamje të ndryshme me ta, si për qasjen, ashtu edhe për vizionin për të ardhmen e vendit”, ka thënë ai.
Kryetari i LDK-së u shpreh gjithashtu i habitur me qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Është e çuditshme se si një parti me 48 deputetë nuk arrin të bëjë shumicën 61. Më çudit më shumë mënyra se si një ditë akuzojnë partitë shqiptare për lidhje me Listën Serbe, e ditën tjetër kërkojnë kompromis”, u shpreh Abdixhiku.
Ai theksoi se politikës nuk i takon gjuha e shantazhit, por arti i diskutimit.
“Po t’i kisha unë 48 deputetë, do ta bëja edhe Kuvendin edhe Qeverinë, por pa sharje dhe shantazhe. Politika është art i diskutimit”, deklaroi ai.
Në fund, Abdixhiku aludoi edhe mbi papajtueshmërinë kushtetuese mes pozitës së deputetit dhe detyrës së kryeministrit, duke thënë se një person që jep betimin si deputet nuk mund të ushtrojë funksionin ekzekutiv.
Përfundon takimi konsultativ
Ka përfunduar takimi konsultativ, që e ka ftuar kryesuesi i seancës Avni Dehari me përfaqësues të subjekteve politike.
Pas takimit, kryesuesi i seancës konstitutive, Avni Dehari tha se “tash e shohim” kur u pyet se çfarë u arrit në këtë takim.
Sipas deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, “qëndrimet deklarativisht ishin të njëjta”.
Sot do të tentohet për herën e peste të konstituohet legjislatura e nëntë e Kuvendit.
Hasani: Përpos Gërvallës e Haxhiut, kandidatët tjerë për kryekuvendar janë të mirëpritur
Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka thënë se përveç Donika Gërvallës dhe Albulena Haxhiut, kandidatët tjerë që propozohen për kryekuvendar nga Lëvizja Vetëvendosje janë të mirëpritur.
“...Ne do të votojmë kryetarin që është konstruktiv, bashkëpunues, mirëkuptues dhe nder i Kuvendit. Përveç Donika Gërvallës dhe Albulena Haxhiut të gjithë të tjerët janë të mirëpritur”, tha Hasani.
Dehari fton partitë në konsultim, LDK: Ai duhet vetëm ta udhëheqë seancën
Deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari “e ka vetëm rolin e udhëheqjes së seancës”, kur u pyet nëse do të marrë pjesë në takim konsultativ.
“Avni Dehari ka vetëm një rol, të ushtrojë udhëheqjen e seancës si deputeti më i vjetër. Ne e respektojmë për moshën dhe kontributin, por vetëm procedurat duhet t’i ndjekë. Asgjë s’ka në dorë”, ka thënë Haziri para mediave.
Zyrtarë të PDK-së kanë thënë se Deharit do t’i shkojnë në takim konsultativ, para nisjes së seancës.
Haradinaj: VV-ja s’po ka qasje serioze ndaj temës së kryeparlamentarit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kritikuar qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj procesit të zgjedhjes së kryeparlamentarit, duke e cilësuar atë si jo serioze dhe të vonuar.
Haradinaj u shpreh se AAK-ja ka ofruar qëndrimin e saj për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje, duke propozuar edhe dy emra si opsion për një kandidat unifikues, si Saranda Bogujevcin apo Shqipe Selimin.
“Shpresoj ta votojnë kryeparlamentarin. Kemi dhënë opsionin tonë, por nuk kemi informata të tjera. Kemi thënë se nëse ka kandidat unifikues, do ja japim votën”, deklaroi ai para nisjes së seancës së sotme.
Ai theksoi se posti i kryeparlamentarit nuk duhet të trajtohet si çështje politike dhe nuk do të duhej të ishte pengesë për konstituimin e Kuvendit.
“Ata (VV) e kanë shtyrë seancën dhe nuk kanë ndërmarrë diçka konkrete. Vetëm gjysmë ore para nisjes së seancës, e kanë ftuar takimin konsultativ. Kjo nuk është qasje serioze ndaj kësaj teme”, shtoi Haradinaj.
Sipas tij, Vetëvendosje është dashur të konsultohet me subjektet e tjera politike përpara se të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, si pjesë e një procesi të përgjegjshëm institucional.
PDK-ja shkon në takimin konsultativ para përpjekjes së pestë për konstituim
Partitë politike janë ftuar për të mbajtur një takim konsultativ para përpjekjes së pestë për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Ftesën e ka konfirmuar Albulena Haxhiu e Lëvizjes Vetëvendosje, që është propozimi i kësaj partie për kryeparlamentare. E pjesëmarrjen në takim e ka konfirmuar Partia Demokratike.
“Kemi marrë ftesën para pak mminutash. Sigurisht që do të shkojmë. PDK-ja dhe po besojmë qytetarët presin zhbllokimin e gjendjes së krijuar në Kuvend si pasojë e paaftësisë së VV-së për të krijuar shumicën. Fatkeqësisht këto janë vetëm shqetësimet tona. E, shqetësimet e qytetarëve janë çmimi e lartë i energjisë elektrike”, ka thënë Vlora Çitaku, deputete e PDK-së.
Jakaj: Menjëherë pas konstituimit, Kuvendi të miratojë ndryshimet në Ligjin për Pagat
Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të ndërmarrë veprime urgjente për funksionalizimin e plotë të tij dhe për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Jakaj theksoi se Kuvendi duhet ta zgjedhë kryetarin e ri të Kuvendit në seancën e sotme, duke kërkuar nga deputetët që të arrijnë konsensus për të votuar kandidatin e propozuar.
“Emrat e nënkryetarëve duhet të votohen në pako, ashtu siç është ndërtuar praktika e konsensusit tashmë prej dy dekadash e më shumë”, ka shkruar Jakaj, duke paralajmëruar se shmangia nga kjo praktikë rrezikon vonesën në ndërtimin e institucioneve të tjera.
IKD-ja gjithashtu kërkon që nesër Kuvendi të miratojë ndryshimet në Ligjin për Pagat, në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas këtij aktgjykimi, Kuvendi është i obliguar të garantojë pagesën për përvojën e punës në sektorin publik në nivelin prej 0.5% për çdo vit përvoje, me efekt nga 1 shkurti 2024.
Moszbatimi i këtij vendimi, sipas IKD-së, rrezikon të drejtat e mbi 90 mijë shërbyesve civilë në Kosovë.
VV-ja s’heq dorë nga emri i Haxhiut për kryeparlamentare
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka hequr dorë nga emri i Albulena Haxhiut si propozim për postin e kryeparlamentares. Këtë e ka konfirmuar vetë Haxhiu, por edhe deputetë të tjerë të LVV-së që kanë folur para përpjekjes së pestë të Kuvendit për konstituim.
“Ne vazhdojmë ta mbajmë qëndrimin e njëjtë”, ka thënë Haxhiu para hyrjes në Kuvend të martën.
Ajo ka paralajmëruar takim konsultativ me partitë tjera, por ka përsëritur se e mbajnë qëndrimin e njëjtë.
E deputetja Saranda Bogujevci, për të cilën AAK-ja ka thënë se do ta votonte po të propozohej për kryeparlamentare, ka thënë se “nuk mundet një grup individësh nga subjekte të tjera të caktojë personin që VV-ja e ka si propozim”.
“Haxhiu është ndër gratë jo më të votuara në vendin tonë, por të njëjtën kohë ka përvojë të gjatë jo vetëm si ministre por edhe si deputete. Nëse dikush me të vërtetë e meriton dhe ka mbështetjen e gjithësecilit prej nesh në këtë rrugëtim është Albulena Haxhiu. S’mundet grup individësh nga subjektet tjera politike me determinu atë ose personin që ne e kemi si propozim. Pse duhet të propozohen emra të tjerë? A më ka pyetur mua dikush? Pse e marrin atë të drejtë të bëjnë propozime të tilla. Pse duhet të jem unë e pse jo Albulena Haxhiu”, ka thënë ajo.
Në dy herë që u votua për propozimin e VV-së që Albulena Haxhiu të jetë kryeparlamentare, ajo mori 57 vota pro. Në seancën pasuese, VV-ja kërkoi “kohë shtesë”.
E ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se shpreson që opozita ka reflektuar.
"Konstituimi i Kuvendit nuk është vetëm detyrë e partisë fituese por e të gjithë deputetëve", tha Murati.
Basha: Partitë obligohen të konstituojnë Kuvendin, opozita po refuzon
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka deklaruar se partitë janë të obliguara të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, duke thënë se partitë e tjera po refuzojnë, me ç’rast tha se po e bllokojnë procesin.
Basha ka thënë për media para futjes në Kuvend se Kushtetuta i bën përgjegjëse partitë që të konstituojnë.
“Kushtetuta i bart si përgjegjëse tri partitë për të konstituuar Kuvendin. Ky bie si obligim nga partitë që të zgjedhin kryesinë...Ata po refuzojnë të votojnë. Kryesia është VV-ja, LDK-ja, PDK-ja. Nëse dikush do të akuzojë për bllokim, janë ata që po refuzojnë të votojnë”, ka shtuar ai.
I pyetur nëse VV-ja do ta ndërrojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, Basha tha se vazhdon të jetë Albulena Haxhiu dhe “ne s’jemi këtu t’ua plotësojmë dëshirën cilin kandidat ta vendosim”.
Për media foli edhe deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, që tha se qytetarët zhbllokim.
“Kjo është si pasojë e paaftësisë së VV-së për të krijuar shumicën. Këto janë shqetësimet tona, e shqetësimet e qytetarëve janë më të larta”.