Arbëri

Sovranat e Kosovës

Sovran Nrecaj ishte në Bosnjë-Hercegovinë në ditën e zgjedhjeve, por rezultati pasqyroi edhe dëshirën e tij për ndryshim në Kosovë.

“Fatkeqësisht, nuk kam mundur të votoj, sepse isha në Sarajevë, por mirë që sovrani vendosi me ndërru, me ba njëfarë reforme, a revolucioni, a çka me thanë, dhe me sjellë një frymë të re. Dhe shpresoj se do të ketë një qeverisje shumë më të mirë se deri tani”, thotë Nrecaj, student i regjisë në kryeqytetin boshnjak.

Kosova, edhe më shumë se një muaj e gjysmë pas zgjedhjeve, nuk ia ka dalë të jetësojë vullnetin e sovranit, për shkak të procedurave të stërzgjatura burokratike, shkruan Koha Ditore. Njëherësh, për ndryshimin e pritur nga Sovran Nrecaj dhe nga shumica e votuesve të tjerë, po vazhdojnë pazaret për hisen e pushtetit në koalicionin e pritur ndërmjet VV-së dhe LDK-së. Edhe pse i fituan zgjedhjet me premtimin për ndryshimin më të madh pas luftës, zyrtarët e dy partive po hahen përditë në mediat sociale për postet që duhet t’i ndajnë.

Rugova dhe historia e Sovranit

Në njërën prej karikaturave të javëve të fundit, karikaturisti i “Kohës Ditore”, Jeton Mikullovci – Jemi, ka reflektuar pritjet e qytetarëve. “Sovrani” i Jemit pret një faqe të re prej Albin Kurtit e Vjosa Osmanit në politikën e Kosovës.

Sivjet Sovran Azemi ka votuar për herë të parë. Xhaxhai e kishte ndarë mendjen që t’ia linte emrin Sovran pasi atëherë, më 2001, Kosova po mbante zgjedhjet e para të përgjithshme të lira. Por Kosova ende nuk ishte sovrane. Ibrahim Rugova, presidenti i parë në liri, po ua përsëriste perëndimorëve kërkesën e paraluftës për shtet sovran. Edhe ai bënte pazare me partitë më të vogla vetëm që të mos hiqte dorë prej postit të presidentit. President ishte zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë në zgjedhjet kundërthënëse në pranverën e 1998-s. Kosova ishte në luftë. Shumë shpejt lufta do të mbërrinte edhe në rrethinën e Ferizajt, kur familjes Nrecaj, më 1998, iu shtua edhe një anëtar. Sovran Nrecaj thotë se kërkesa e përbashkët e rezistencës së armatosur dhe asaj paqësore për shtet të pavarur kishte nxitur gjyshin që ta pagëzonte Sovran.

“Gjyshi ka qenë fans i Rugovës dhe mbase i asaj thënies së Rugovës se duhet me pasë Kosovën sovrane”, thotë Nrecaj. Derisa po rritej, kuptimin e emrit do ta mësonte tërthorazi nëpërmjet emisioneve informative.

“Më shumë e kam marrë vesh prej televizorit...”, ndalet e qeshet pak para se të vazhdojë, “... kur ka pasur lajme ose diçka të ngjashme, kur ka thanë shtet sovran, i pavarur e të tjera”.

Pos emrave Sovran, Kosova ka edhe shumë Sovrane. Njëra prej tyre ka refuzuar të flasë me mbiemër, por ka shpjeguar se edhe familja e saj ia la emrin Sovrane më 1998 për motive të ngjashme. Kosova po vlonte prej revoltës të shprehur me protesta paqësore e rezistencë të armatosur pas masakrave të kryera nga regjimi i Slobodan Milosheviqit në të gjitha pjesët e Kosovës. Emri ishte pjesë e rezistencës.

Analistit Imer Mushkolaj menjëherë i shkon mendja te Kosova sovrane kur i dëgjon këta emra.

“Në fakt, edhe emrat Sovran e Sovrane u janë vënë fëmijëve bazuar në kërkesat e shprehura publikisht, në protesta e demonstrata, si dhe në artikulimin politik të kohës, se Kosova duhet të jetë sovrane”, thotë Mushkolaj. Ai është i bindur se jo të gjithë e kanë kuptuar saktësisht – sikurse e konfirmon rasti i Sovran Nrecajt – se çfarë kuptimi ka fjala sovran ose sovrane. “... por, në ndërdije, kanë qenë të bindur se është ‘diçka e mirë’, diçka që e çliron vendin nga Serbia”.

“Sovran ta ha loçkën”

Fjalori i Gjuhës Shqipe ofron disa shpjegime për fjalën sovran. Fillimisht shkruan se sovran është “kryetari i një shteti me regjim monarkik, mbret ose perandor”. Pastaj rendit tri shpjegime. Në mesin e sqarimeve të të parit shkruhet: “Jemi të lirë e sovranë”. Në të dytin, ndër të tjera, ofrohet dhe ky sqarim: “Që është i lirë e i pavarur për të ushtruar pushtetin më të lartë, pa iu nënshtruar dikujt tjetër”. Në të tretin: “Që i përket dikujt me të drejtë dhe me ligj; që qëndron më lart se çdo gjë. Të drejtat sovrane të popullit, interesat sovrane të popullit”.

“Sovran ta ha loçkën”, shkruante në murin e tij në “Facebook”, profesori i Fakulteti Juridik, Vigan Qorrolli, në kohën kur OQJ-të dhe KQZ-ja po njoftonin për dalje masive të qytetarëve në ditën e zgjedhjeve të 6 tetorit. Ai shpjegon se Jean Bodin, jurist francez në shekullin e 16-të, e përkufizonte sovranitetin si pushtetin përfundimtar dhe të përhershëm të një trupi politik.

“Ndërsa një jurist tjetër po aq i famshëm, si Carl Shcmitt, në shekullin e 20-të, në veprën e tij kryesore ‘Teologjia politike’, përkufizimin e sovranitetit e bën në mënyrë të veçantë, ku thotë se, ‘sovran është ai që vendos për përjashtimin’”, thekson ai.

Sipas tij, 6 tetori është ditë e veçantë në historinë politike të Kosovës, sepse, “së pari, procesi elektoral u karakterizua për dalje masive të zgjedhësve (pra të sovranit kosovar), që është njëri prej katër komponentëve kryesorë të përbërjes së shtetësisë së një shteti.

“Në të Drejtën Ndërkombëtare njihen katër përbërës kryesorë të shtetësisë: Territori, Popullsia, Qeveria dhe aftësia për të hyrë në marrëdhëniet me shtetet e tjera”, shprehet Qorrolli.

Ai thotë se në kuptimin politik, sovraniteti – megjithëse kuptimet e tij kanë ndryshuar gjatë historisë, ka një kuptim tejet thelbësor, sepse paraqet një “autoritet suprem brenda një territori të caktuar. Kështu që, sqaron ai, sovraniteti është një nocion modern i autoritetit politik.

“Variantet historike mund të kuptohen brenda një definicioni të vetëm, se shteti është institucioni i vetëm politik në të cilin është mishëruar sovraniteti”, shpjegon ai, duke shtuar se termi sovranitet është përdorur dhe vazhdon të përdoret në katër mënyra të ndryshme: sovraniteti juridik ndërkombëtar, sovraniteti sipas konceptit të Paqes së Ëestfalisë (1648), sovraniteti i brendshëm dhe sovraniteti i ndërvarësisë.

Në ballë të murit të korridorit të administratës së Fakultetit Juridik, ku ligjëron Qorrolli, janë tri nenet e para të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në të parin - “Përkufizimi i Shtetit” - thuhet se “Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”. I dyti është i “Sovranitetit”, që nënkupton se “Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit, dhe ushtrohet....” në pajtim me Kushtetutën nga përfaqësuesit politikë.

Qorrolli thotë se Kosova është sovrane 100 për qind në “kuptimin e brendshëm”, përderisa në të jashtmin, “vetëm për shtetet që ia njohin subjektivitetin ndërkombëtar”, bazuar në Deklaratën e Pavarësisë së 17 Shkurtit 2008.

Emrat, tipar kombëtar

Sovran Nrecaj thotë se shumëkujt i ka lënë përshtypje emri i tij.

“Njerëzit më kanë pyetur goxha shumë se pse ky emër dhe kryesisht u ka pëlqyer”, tregon ai. “Kam pasur edhe aso komente, kur më kanë thënë: ‘Më sovran ti se Kosova”.

Mushkolaj mendon se Kosova nuk është krejtësisht sovrane në shtrirjen e dorës së pushtetit brenda territorit të saj. “Nëse në fushën e politikës, sovraniteti është e drejta absolute e ushtrimit të një autoriteti, kjo nuk ndodh në Kosovë, ngase institucionet e shtetit të pavarur nuk kanë arritur ende të shtrijnë as autoritetin legjislativ, as juridik e ekzekutiv në pjesën më të madhe të hapësirës së banuar me serbë”.

Shkrimtari Kliton Nesturi shkruante më 19 korrik 2003 në Shtojcën për Kulturë në “Kohën Ditore” se veç gjuhës, traditave dhe folklorit, tipari më i rëndësishëm në jetën e një populli janë edhe emrat.

“Në ballafaqimin me botën, por edhe me veten, shqiptarët shfaqen denjësisht si një popull pa emrat e tij”, shkruante Nesturi, duke treguar se Shqipëria kishte dy fjalorë emrash: të parin, “Fjalor me emra njerëzish”, të botuar më 1982 nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Shqipërisë, nën kujdesin e Androkli Kostallarit, dhe të dytin, “Fjalor me emra shqiptarë”, të hartuar më 2001 nga Mustafë Xhemaili. Është goxha kritik dhe mendonte se kjo punë duhej të rregullohej me ndërhyrje të shtetit shqiptar. Thotë se shqiptarët e Kosovës gjatë pushtimit serb, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar, iu kthyen emrave ilirë e të figurave më të vonshme shqiptare.

“Ky fakt është për t’u përgëzuar, pasi nëpërmjet emrave shqiptarët patën mundësi të tregonin një pjesë të identitetit të mohuar”, shkruante Nesturi, duke shpjeguar sesi Perandoria Osmane gjatë pesë shekujve ia kishte dalë të rrënjoste emra osmanë e islamikë në trojet shqiptare.

Derisa në vitet 1940-1960 në Kosovë dominonin emrat si: Fatime, Emine, Ajshe, Bajram apo Ramadan, në vitet 1961-1980 dominonin emrat: Agim, Bekim, Fadil, Afërdita apo Ganimete. Deri në fund të viteve ‘80 emrat ishin më shumë të ndërlidhur me zhvillimet e mëhershme historike, sociale, religjioze etj. Pas viteve 1990, emrat pothuajse kishin kryesisht domethënie shqiptare si: Egzon, Liridona, Qëndresa, Erëza, Edona, thuhet në raportin “Emrat dhe mbiemrat në nivel vendi”, të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (AST). Emrat Fatime e Bajram vazhdojnë të dominojnë në Kosovë, shkruan në dokumentin e vitit 2012. Emrat më të gjatë në Kosovë i kanë dymbëdhjetë shkronja - Ismailqemail dhe Mirandolinda - përderisa emrat më të shkurtër janë me dy shkronja - Ad dhe Al.

Sovran Nrecaj, i cili studion në Bosnjën me sovranitet të ndërlikuar, do t’iu lërë edhe më shumë përshtypje kolegëve të shteteve të ndryshme tani që në Evropë është kthyer debati i madh për sovranitetin. Prej Sarajevës po pret lajme për krijim sa më shpejt të Qeverisë së re në Prishtinë. Edhe në Kosovë, si kudo në Ballkan, proceset zvarriten për shkak të sistemeve të ndërlikuara zgjedhore.

Qorrolli thotë se sovrani “ka folur qartë” më 6 tetor dhe e ka mandatuar si fituese njërën prej partive të deridjeshme opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje. Thotë se i takon asaj, sipas interpretimit kushtetues, të bëjë koalicion me njërën prej partive më të përafërta politikisht, “dhe siç vërehet, do të bëjë koalicion me LDK-në, si e dyta në këto zgjedhje”.

Por Sovran Azemi, Sovran Nrecaj dhe “Sovrani” i Jemit vazhdojnë të presin. Nrecaj, me gjithë zvarritjet, beson se është hedhur hapi i parë për një ndryshim të madh që po e pret sovrani.