Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Spanca: Për mbindërtimet pa leje, në Shqipëri SPAK-u ngre aktakuzë

Auditori - Komision

Foto: Driton Paçarada

Në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, raportoi për sfidat e Zyrës Kombëtare të Auditimit. Ajo vuri në dukje edhe numrin e ulët të rasteve që ata kanë dërguar të cilat s’janë hetuar nga prokuroritë, duke theksuar dallimet me Shqipërinë, ku për raste të ngjashme ngrihen aktakuza.

Qëndrimi në objekt privat që nga themelimi, largimi i stafit për shkak të pagave dhe zbatimi i ulët i rekomandimeve, ishin disa nga sfidat që nënvizoi auditorja e përgjithshme, Vlora Spanca, gjatë raportimit në Komisionin parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Spanca para deputetëve si problem e potencoi edhe numrin e ulët të rasteve të denoncuara nga ta, e që hetohen nga prokuroritë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas saj, më shumë se 500 raste janë dërguar në Prokurori që nga viti 2018.

“Kemi marrë vetëm një raport përmbledhës për 143 raste, dhe nga ai raport rezulton që vetëm për 3 raste ka aktakuzë, rastet e tjera janë qoftë të mbyllura, janë mbyll hetimet, nuk ka pasur elemente sipas tyre potenciale të veprës penale dhe pjesa tjetër është në hetime”, tha Spanca.

Kjo situatë u vlerësua shqetësuese nga deputetët, të cilët kërkuan më shumë sqarime.

“A flet kjo për neglizhencë nga Prokuroria apo ndoshta ka diçka më tepër të bëhet nga ZKA në mënyrë që rastet të cilat i dërgoni në Prokurori të jenë më të kompletuara, të kenë dyshime më të bazuara, më të artikuluara që rastet të cilat identifikohen të mos mbeten pa u adresuar nga drejtësia”, tha deputeti i PDK-së, Arben Mustafa.

“Për neve është shqetësuese trajtimi i ulët i rasteve nga Prokurori i Shtetit, ju thatë që keni gjeneruar rreth 133 raporte financiare, 80 i keni dërguar në Prokurori, ndërsa për 3 është ngrit aktakuzë. Po na intereson sa raste prej tyre janë mbyllë”, tha deputeti i Vetëvendosjes, Taulant Kelmendi.

Për këtë, Spanca ofroi shembuj krahasues dhe theksoi se mandati i ZKA-së përfundon në momentin e denoncimit të rasteve.

“Nëse e krahasojmë me Shqipërinë për raste të njëjta, Prokuroria atje, apo SPAKU ngre aktakuzë, p.sh. rastet kur jepet leja e ndërtimit pa kushte ndërtimore, d.m.th. apo në përputhje me kushtet ndërtimore. Raste të tilla ne kemi pas dhe kemi publikuar raportin për Komunën e Prishtinës, pastaj ka qenë raporti për Komunën e Lipjanit, tash jemi për Komunën e Ferizajt, por që d.m.th. nuk kemi pasur një progres në këtë aspekt”, tha Spanca.

Deputeti i PDK-së, Arben Mustafa, kërkoi të dinte nëse Zyra Kombëtare e Auditimit i trajton në mënyrë të mjaftueshme dhe specifike rastet e dhënies së kontratave njëburimore.

Për këtë, auditorja e përgjithshme tha se këto raste auditohen në secilën organizatë buxhetore, veçanërisht kur lidhen në mënyrë të jashtëligjshme.