Arbëri

Strehimi i 50 emigrantëve nga Kosova, DASH-i: Jemi mirënjohës ndaj partneres sonë

Flamuri i SHBA-së dhe objekti i Qeverisë së Kosovës (Foto: Alban Bujari)

Flamuri i SHBA-së dhe objekti i Qeverisë së Kosovës

Foto: Alban Bujari

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë mirëpritur gatishmërinë e Kosovës që t’i pranojë 50 emigrantë përkohësisht.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka thënë se e mirëpret bashkëpunimin nga një partner i saj.

“Ne jemi mirënjohës ndaj partneres sonë, Kosovës, për pritjen e shtetasve të vendeve të treta të larguar nga SHBA-ja dhe për lehtësimin e kthimit të sigurt të këtyre të huajve në vendet e tyre të origjinës”, ka thënë DASH-i në përgjigje për CBSNews.

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka miratuar vendimin për pranimin e 50 emigrantëve, për siç ka thënë, lehtësimin e kthimit të tyre në vendlindje. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se strehimi i tyre do të bëhet brenda një periudhe njëvjeçare.

DASH-i ditë më parë konfirmoi se shtetet e Ballkanit ishin përfshirë në kontaktet brenda një strategjie amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.

Kosova ka shprehur gatishmëri për zhvillimin e diskutimeve të ngjashme edhe me Britaninë e Madhe.